Xhaçka: "Turpi i zëdhënësit të Berishës, Ilir Meta"
Autori i Lajmit: Redaksia“Zëdhënësi i Berishës dhe njëherësh ministri ynë i Jashtëm, Ilir Meta, në retorikën e tij për integrimin, na bëri me dije se Shqipëria historikisht ka qenë vendi i fundit në renditjen e rajonit duke harruar të na shpjegojë përse ne vazhdojmë të mbetemi ende të fundit”. Kështu ka deklaruar dje deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, e cila shtoi se është e turpshme që një ministër që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për ta çuar këtë vend përpara justifikon paaftësinë e tij e premtimet e pambajtura të Sali Berishës duke theksuar se kemi qenë gjithnjë të fundit. “Shqiptarët kanë dy dekada që janë ndarë me referencat e së kaluarës historike që na kujtoi zoti Meta dhe ti referohesh sot prapambetjes nga qeverisja në kohën e Ahmet Zogut apo Enver Hoxhës, kur Shqipëria ka hyrë në NATO dhe shqiptarët meritojnë të prekin ëndrrën e tyre evropiane, do të thotë të ironizosh me fatin e tyre. Shqipëria, zoti Meta, mund të mos justifikojë kryesimin e vendeve të rajonit, por nuk ka asnjë arsye që të rreshtohet e fundit. E detyra juaj dhe e atyre që ju mbajtët në pushtet me vota të trafikuara, është ta çoni këtë vend përpara e jo ta lini në vend-numëro”, - tha më tej Xhaçka. Sipas saj, Meta do të bënte mirë të shpjegonte përse Shqipëria vazhdon të jetë ende e fundit në përmbushjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, përse Shqipëria vazhdon të mbetet shembulli më i keq i korrupsionit qeveritar, përse pushteti qendror vazhdon të ushtrojë presion dhe të shkelë të drejtat legjitime të pushtetit vendor, përse cenohet liria e medias apo pavarësia e gjyqësorit. “Zëdhënësi i Berishës që përpiqet të na fshehë krizën financiare që ka pllakosur vendin e arkën e boshatisur të shtetit, mund të na shpjegonte në këtë fundviti edhe se si do të festojnë ata shqiptarë që nuk po marrin rrogat e ato biznese që nuk po paguhen për punimet e kryera”,- përfundoi Xhaçka.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009