E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: Nuk ka transparencë pa fletët e votimit

27/05/2010 Partia Socialiste lëshoi sërish thirrje për reflektim në adresë të mazhorancës qeverisëse, lidhur me zgjidhjen e krizës politike. Kampi rozë dhe gjatë ditës së djeshme nuk harroi jo vetëm të paraqesë situatën në vend, por nga ana tjetër rikujtoi për kampin kundërshtar dhe pasojat, në rast se do të vijohet më tej me një klimë të tillë politike. Deputeti i PS-së, Namik Dokle, ndalur në një moment të tillë vuri në dukje gjatë një konference për shtyp se “moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, në vijim të këtij qëndrimi, deputeti socialist listoi një sërë problemesh dhe shqetësimesh me të cilat përballet sot vendi. “Transparenca e munguar për çdo gjë që ndodh në këtë vend, për votën e lirë, për fondet buxhetore, për pronat publike, për taksat dhe faturat, për punësimin dhe asistencën sociale, për gjithçka që të zgjedhurit duhet t’u ofrojnë zgjedhësve, po e fut Shqipërinë në një rreth vicioz të mosfunksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës” nënvizoi Dokle duke theksuar aktin se ishte aksioni opozitar ai që sensibilizoi opinionin ndërkombëtar, e për më tepër, qëndrimi i këtij të fundit vjen në mbështetje të kampit të majtë. Për këtë arsye, deputeti Dokle lëshoi një mesazh paralajmërues për mazhorancën. “Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar, kryeministër, qeveri apo KQZ, dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre, se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen”, deklaroi Dokle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›