E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti fton francezët të investojnë në Shqipëri

27/05/2010 Zhvillohet në Francë konferenca “Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit të BE-së”

Idrac: Duhet të investojnë në Shqipëri, vend i bukur dhe i sigurt për ne

Biznesi francez është i mirëpritur të investojë në Shqipërisë, pasi është një vend që të ofron siguri dhe mundësi të shumta për të zhvilluar biznes. Ftesa është bërë dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në konferencën “Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit të BE-së”, e cila u zhvillua në Paris. Në këtë konferencë, e cila u zhvillua nga UBIFRANCE, Komisioni i Tregtisë Franceze, ishte e pranishme dhe Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac. Gjatë fjalës së saj ajo theksoi se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe shprehu mbështetjen e plotë të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sekretarja franceze foli edhe për mundësitë për investime të huaja që ka Shqipëria dhe u bëri thirrje investitorëve francezë që të investojnë në vendin tonë. “Francezët duhet të investojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur, i sigurt dhe me interes për investime. Shqipëria është vend i rinisë, pasi mosha mesatare e popullsisë është 31 vjeç. Qeveria franceze do të mbështesë kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri”, deklaroi Idrac. Gjatë fjalës së tij, ministri Dritan Prifti ftoi investitorët francezë të investojnë në Shqipëri, duke theksuar faktin se Shqipëria është një vend ku ata mund të nxjerrin shumë fitime, pasi ka një klimë jashtëzakonisht miqësore për biznesin, një qeveri pro biznesit, taksa të ulëta, forcë pune të kualifikuar dhe të lirë. “Shqipëria, tha Prifti, është një vend që ka shumë sektorë në të cilin mund të investojnë investitorët francez dhe përmendi në këtë drejtim sektorin energjetik dhe minerar, që janë kthyer kohët e fundit në sektorë tepër tërheqës dhe fitimprurës për investime”. Në kuadër të prezantimit të resurseve që ofron vendi ynë, Prifti theksoi se Shqipëria është një vend i pasur me rezerva hidrike dhe me tepër interes dhe rëndësi është edhe sektori i energjisë së rinovueshme. Në prezantimin më të detajuar të këtyre sektorëve, ministri Dritan Prifti foli për mundësitë për investime që paraqet sektori energjetik në vendin tonë, si për sa i përket energjisë hidro, por edhe asaj së rinovueshme. “Shqipëria, theksoi ai, është një vend në të cilin ka diell për 300 ditë gjatë një viti, që ka forcë pune të kualifikuar dhe të lirë, si dhe taksa shumë më të ulëta, madje më të ulëta se sa taksat në Kinë”. Gjithashtu, ministri përmendi faktin se vetëm në dy vitet e fundit janë dhënë më shumë se sa 200 koncesione për hidrocentrale, ndërkohë që ka një interes të madh të investitorët për të investuar në miniera, bujqësi dhe turizëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›