KE: Të liberalizohen vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën

Cecilia Malstrëm: Progres i rëndësishëm, por nuk përfundon këtu. Duhet edhe plotësimi i tri kritereve.
Tani situata është në dorën e shqiptarëve. Procedura deri në liberalizimin përfundimtar dhe afatet që nuk duhet të shkelin shtetasit shqiptarë
BRUKSEL - Pas miratimit nga kolegji i komisionarëve, Komisioni Europian konfirmoi dje hyrjen në fuqi të propozimit të këtij institucioni për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Bashkimi Europian mendon se Shqipëria dhe Bosnja kanë plotësuar pjesën kryesore të kushteve teknike dhe çështja është në dorën e tyre për të plotësuar tre kërkesat e fundit. Por liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me emigracionin për punë apo qëndrimin e përhershëm në vendet e BE.
Vizat e liberalizuara do të kenë afat vetëm 90 ditë dhe shkelësit e tyre do të përballen me sanksione të mëdha.
Komisioneria për Çështjet e Brendshme në Bashkimin Europian, Cecilia Malstrëm, specifikoi dje se pavarësisht këtij propozimi pozitiv të Komisionit Europian, procesi për heqjen e vizave nuk ka përfunduar ende.
Sipas saj, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kanë bërë një progres të rëndësishëm, duke arritur të përmirësojnë pasaportat, duke forcuar kontrollin kufitar dhe forcimin e kuadrit ligjor.
Detyrat e reja për Shqipërinë janë hartimi i një strategjie për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer në atdhe, përforcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimit me efektivitet të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, si dhe zbatimin me efektivitet të kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve të krimit të organizuar.
"Propozimi i miratuar është rezultat i një pune të vështirë nga autoritetet dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ata kanë bërë një progres të rëndësishëm në përmirësimin e pasaportave, forcimin e kontrollit kufitar, forcimin e kuadrit ligjor të institucioneve lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet fqinjësore dhe të drejtat themelore të njeriut.
Komisioni ka monitoruar me kujdes të gjitha këto përpjekje, por puna nuk ka përfunduar ende plotësisht. Ka ende disa kritere që kanë mbetur. Shqipëria duhet të përmbushë strategjinë për të mbështetur riintegrimin e riatdhesuarave.
Duhet gjithashtu që të forcojë kapacitetet për forcimin e ligjit, zbatimin efektiv të ligjit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe zbatimin efektiv të ligjit për konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. I njëjti kriter vlen edhe Bosnje - Hercegovinën", - tha Cecilia Malstrëm në konferencën e djeshme për shtyp.
Në këtë mënyrë, BE, do të vazhdojë punën e tij duke monitoruar në vazhdimësi plotësimin e këtyre kritereve. Kjo procedurë vëzhgimi do të kryhet nëpërmjet ekspertëve të këtij institucioni që do të mbërrijnë në muajin korrik në Shqipëri.
Pasi të kenë kryer monitorimin e tyre përkatës për përmbushjen ose jo të kritereve të mbetura nga ana e Shqipërisë dhe Bosnje -Hercegovinës, ekspertët e KE-së do të raportojnë në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian dhe në Parlamentin Europian. Sesilia Malmstrom theksoi se shpreson që dy institucionet e BE-së të marrin një vendim pozitiv përgjatë stinës së vjeshtës.
"Komisioni Europian do të vazhdojë të monitorojë këto përpjekje dhe do të japë një vlerësim, pasi një ekip ekspertësh do të shkojë në këto dy vende këtë verë dhe do të raportojë më pas në Këshillin dhe Parlamentin Europian mbi këtë monitorim, për t'i dhënë mundësinë dy institucioneve të tjera të BE-së që të marrin një vendim, që shpresojmë të jetë pozitiv më vonë, diku nga vjeshta.
Do të garantojmë edhe zbatimin efektiv të reformave që kanë ndërmarrë këto dy vende dhe kjo është e rëndësishme sepse përbën përmbushjen zyrtare të kritereve", - u shpreh ajo.
PËRGJEGJËSITË
Duhet të informoni qytetarëve për vizat
Heqja e vizave të dy vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor, sipas Malmstrom, bart në vetvete edhe përgjegjësitë respektive. Ajo që ndodhi pak muaj më parë me Serbinë dhe Maqedoninë, ku një pjesë e madhe të rinjve të këtyre vendeve emigruan për në BE, duke kërkuar azil politik, qëndron endi si "shpatë" mbi kokën e Shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Cecilia Malstrëm kërkoi dje që Shqipëria të marrë parasysh problemet që mund të lindin nga mos informimi i qytetarëve për kushtet e udhëtimit të tyre në vendet e hapësirës "Shengen". "Liberalizimi i vizave për këto vende si për të gjitha të tjerat bart gjithashtu edhe përgjegjësi. Në rastin e heqjes së vizave për tre vendet e tjera të Ballkanit vitin e kaluar vumë re një fluks azilkërkuesish që ishte një çështje problematike për vendet e BE-së.
Konsiderojmë se liberalizimi i vizave nuk është vënë në dyshim nga këto aplikime, por pati disa raste të izoluara për shkak të keqkuptimeve dhe informacioneve të gabuar. I kemi diskutuar këto probleme me vendet përkatëse ndaj është thelbësore që Shqipëria dhe Bosnja t'i kenë parasysh këto probleme. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën", - nënvizoi Malmstrom.
Megjithatë, pavarësisht propozimit pozitiv të konfirmuar dje nga Komisioni Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë europarlamentarë të caktuar kanë theksuar se në rast se Shqipëria nuk zgjidh krizën politike, Parlamenti Europian mund të hedhë poshtë propozimin e KE-së për liberalizimin e vizave me vendin tonë.
Tri kriteret e mbetura për Shqipërinë:
1. Zhvillimin e një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer;
2. Përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare;
3. Zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar.
Lohan: Vizat, në dorën tuaj
TIRANË - Liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian në hapësirën "Shengen" është në dorë të Shqipërisë dhe se udhëtimi i lirë i qytetarëve shqiptarë në këto vende do të ndodhë vetëm pas plotësimit të kritereve të mbetura. Ky konstatim erdhi dje nga ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, Helmut Lohan.
Gjatë një konference për shtyp pas konfirmimit të propozimit pozitiv nga KE-ja për heqjen e vizave, Lohan vuri në dukje se tashmë është Shqipëria, ajo që duhet të marrë përgjegjësitë në përmbushjen e tri kritereve të mbetura që kërkon Bashkimi Europian. Propozimi i Komisionit Europian do t'i kalojë institucioneve të BE-së, si Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europian.
Këto institucione do të japin edhe vendimin e tyre për këtë propozim dhe, sipas Lohanit, janë politikanët europianë ata që tashmë do t'i japin një përgjigje konkrete Shqipërisë, nëse do të përfitojë ose jo nga heqja e regjimit të vizave. "Tashmë çdo gjë është në dorën e Shqipërisë për të plotësuar kërkesat e tjera, që kanë mbetur për t'u plotësuar. Propozimi i Komisioni Europian do t'i kalojë Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit.
Për sa i përket vendimit ky vendim do të merret në të lloj forme që ne e quajmë bashkëvendimmarrje, i cili do të merret nga Këshilli i Ministrave nga njëra anë dhe Parlamentit Europian nga ana tjetër. Të gjitha vendimet që merren nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti janë vendime politike.
Do të jenë politikanët e Bashkimit Europian që do t'u japin një përgjigje", - tha dje Lohan. Kreu i delegacionit të KE-së qartësoi se Shqipërisë nuk i janë shtuar kushte të reja por nevojitet që ajo të plotësojë kriteret e mbetura. Sipas ambasadorit Lohan, duhet që qeveria shqiptare të rrisë kapacitetet financiare dhe njerëzore për Policinë e Shtetit.
I pyetur nga gazeta "Shekulli" se ka një kërcënim nga europarlamentarët se Parlamenti Europian mund të hedhë poshtë propozimin e Komisionit Europian për vizat, nëse Shqipëria nuk zgjidh krizën politike, Lohan u përgjigj se nuk mund të japë një konstatim konkret se çfarë vendimi mund të japë Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së, edhe pse, sipas tij, vendimi i këtyre institucioneve do të jetë vendim politik.
"Do të jenë pikërisht këta politikanë që do të marrin vendime në lidhje me propozimin që ka bërë sot Komisioni Europian, duke parë pastaj përmbushjen e të gjitha kërkesave që janë bërë për dialogun e liberalizimit të vizave.
Për këtë arsye, unë nuk mundem që sot t'ju jap një mendim se çfarë vendimi do të marrin këta politikanë europianë në institucionet përkatëse", - u përgjigj Lohan.