E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO i përgjigjet Shqipërinë. Mbërrijnë ndihmat e para

Autori i Lajmit: Redaksia
Rreth 40 automjete ushtarake të Aleancës së Atlantikut janë duke mbërritur në pikën kufitare të Kakavijës për t’u futur në territorin shqiptar, me qëllim dhënien e ndihmës ndaj qytetarëve në nevojë në zonat e përmbytura. Bëhet me dijeni se automjetet në fjalë do të shërbejnë në të njëjtën kohë edhe si mjete ndërhyrëse në kuadrin e përmbytjeve në veri të vendit, ndërkohë që ato përmbajnë edhe materiale ushqimore për t’u ardhur në ndihmë kështu nevojave të të përmbyturve në Shkodër dhe Lezhë. Automjetet e NATO-s kanë mbërritur pas një ftese të bërë nga autoritetet e qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e tyre në kuadrin e përmbytjeve të mëdha në veri të vendit. Ndihma e parë ka ardhur nga Greqia si vend anëtar i NATO-s dhe fqinji ynë.
Kërkesa
Komiteti Ndërministror nëpërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Emergjencave Civile i është drejtuar për ndihmë emergjente Qendrës së Emergjencave të NATO-s (EADRÇ) dhe Qendrës së Emergjencave Evropiane (MIC-ut). Të dy qendrat u drejtuan një apel vendeve anëtare për dhënien e ndihmës vendit tonë sipas kërkesave dhe specifikimeve të kryera nga ana jonë. Deri dje kanë ardhur në vendin tonë ndihma, kryesisht në pajisje logjistike për të përballuar situatën e përmbytjeve në veri të vendit nga Italia, Franca, Sllovenia, Austria etj.
Vendet ndihmëse
Vendet që kanë ofruar ndihmë janë Italia që ka sjellë një helikopter tip ACH 47 me kapacitet transporti 37 trupa, Sllovenia 13 gjeneratorë (GNR), Austria – 8 gjeneratorë (GNR), Italia – 12 autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje, Franca – 12 pompa dhe 8 gjeneratorë dhe Moldavia, e cila ka kontribuar me ushqime dhe medikamente mjekësore. Ndërsa burime nga konsullata greke në qytetin e Gjirokastrës bënë të ditur se në ndihmën e ofruar nga Greqia përfshihen 4 automjete zjarrfikës, 4 varka shpëtimi, 9 pompa për nxjerrjen e ujit, 5 gjeneratorë, si dhe mjete të tjera logjistike që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste fatkeqësish natyrore. Në ndihmë të forcave të policisë dhe ushtrisë shqiptare, kanë mbërritur edhe 28 efektiva zjarrfikës të specializuara për ndërhyrje të shpejta në raste emergjencash. Ministria e Brendshme ka informuar se vazhdojnë kontaktet me vendet e tjera për sigurimin kryesisht të ndihmave në pajisje. Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se ka kthyer përgjigje pozitive për pranimin e dy helikopterëve me medikamente mjekësore nga Italia.

Ndihmat
Italia– helikopter tip ACH 47 me kapacitet transporti 37 trupa.
Sllovenia – 13 gjeneratorë (GNR)
Austria – 8 gjeneratorë (GNR)
Greqia – 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetësh, 4 makina, së bashku me pajisjet, 2 varka me motor, 7 pompa të fuqishme.
Italia – 12 autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje.
Franca – 12 pompa dhe 8 gjeneratorë.
Moldavia – ushqime dhe medikamente mjekësore.

Ky lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›