Dokle: U manipulua rezultati në KZAZ-të e militantëve të PD-së
Anëtari i kryesisë socialiste Namik Dokle akuzoi dje KQZ se lejoi manipulimin e vullnetit të qytetarëve, duke mos ndaluar ngritjen e qendrave të votimit dhe të KZAZ-ve në ambientet private të militantëve të PD-së. “Është fjala për vend ndodhjen e qendrave të votimit. Kodi elektoral e përcaktonte qartë, se “qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe VNV-ve, nuk mund të krijohen në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi pjesërisht ose tërësisht të një partie politike, apo kandidati ose të afërmve të tij. Nisur nga ky përcaktim i Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste ka denoncuar dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në 92 raste. Nga të gjitha këto, vetëm në Qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në KZAZ 56 të Kamzës dhe Bathores”, u shpreh deputeti socialist. Duke sjellë fakte nga rezultatet zgjedhore, Dokle tha se “në 19 prej këtyre qendrave në Kamëz, rezultati ka qenë -3926 vota, pra plus për PD, ndërkohë që në qendrat e votimit të vendosura në lokale publike, ka qenë një rezultat i ekuilibruar ose në favor të PS”. “Ndaj ne do të kërkojmë që në këto qendra votimi, të bëhet rishikimi i të gjithë fletave, i listave, nr të pasaportave, kartave të identitetit, për të verifikuar këtë element të manipulimit të votave në Kamëz, në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë”, tha Dokle.