Qeveria ndryshon ligjin e legalizimeve, si do të përdoren letrat me vlerë për të marrë tapitë
Kthehet në ligj përdorimi i letrave me vlerë për pagesën e tarifës së legalizimit. Qeveria miratoi dje vendimin, i cili i jep të drejtë ndërtuesve pa leje në zonat informale, por edhe atyre që kanë bërë shtesa pallatesh për efekt banese, të paguajnë 80 për qind të vlerës së legalizimit me letra me vlerë. Gazeta boton të plota tarifat dhe ndryshimet e miratuara dje në qeveri. Projektligji do të duhet të marrë votat e deputetëve të legjislaturës së re, që pritet të mblidhet në shtator. Qeveria ka ulur edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Sipas vendimit tjetër të qeverisë, nga 2-4 për qind të vlerës së ndërtimit që do të duhet të paguhej për Bashkinë e Tiranës, të legalizuarit tani do të paguajnë vetëm 0.5 për ind të vlerës. Ndërsa për rrethet e tjera taksa e ndikimit të infrastrukturë nga 1-3 për qind bëhet 0.5 për qind.
Kategoria e parë
Sipas ndryshimit të ri, të premtuar gjatë fushatës nga Partia Demokratike, të gjithë ata që janë në proces privatizimi mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër 20 për qind e shumës do të duhet të paguhet me para. Kjo është pjesa që i shkon pushtetit vendor për urbanizimin e këtyre zonave informale. Vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me para apo me letra me vlerë. Gjithmonë deri në 80 për qind të vlerës. Ky është grupi i parë i përfituesve. Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë bëhet vetëm për tokat e zëna që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim. Pra, për tokat deri në 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë dhe deri në 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë.
Kategoria e dytë
Për kategorinë e cila do të legalizojë jashtë këtyre përmasave, të cilat kanë çmim të diferencuar, do të përdoret një skemë tjetër. Kështu në rast se një familje do të legalizojë mbi 300 metra tokë brenda vijës së verdhë, ajo duhet të paguajë diferencën e sipërfaqes me çmim tregu. Ligji i qeverisë ka vendosur që edhe për këtë diferencë të përdoren letrat me vlerë. Por jo në masën 80 për qind, por në masën 50 për qind. Kështu, në rast se sipërfaqja për legalizim është 500 metra katrorë brenda vijës së verdhë, për 200 metrat që do të duhet të paguhen me çmim tregu qytetari mund të paguajë 100 metra me letra me vlerë dhe 100 metrat e tjera me para.
Kategoria e tretë
Nga ndihma që qeveria i jep familjeve nuk do të përfitojnë ata që do të legalizojnë objekte për qëllime biznesi. Pagesa e këtyre të fundit do të bëhet vetëm me lekë. E njëjta gjë edhe për banesat, katet e para të të cilave përdoren për biznes. Kjo sipërfaqe do të paguhet me lekë dhe jo me letra me vlerë.
ndryshimet ligjore
Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Për Tiranën
Ishte 3-4 për qind të vlerës së investimit
Bëhet 0.5 për qind t vlerës së investimit
Për rrethet
Ishte 1-3 për qind të vlerës së investimit
Bëhet 0.5 për qind të vlerës së investimit
LEGALIZIMET
Shtohet neni 17/1
Mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje
1. Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet:
a) Në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi;
b) Me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të këtij ligji.
2. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.
3. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
4. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.
Neni 19
Çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
a)për sipërfaqe deri në 100 m², 100 mijë lekë;
b)për sipërfaqe deri në 200 m², 150 mijë lekë;
c)për sipërfaqe deri në 300 m², 200 mijë lekë;
ç)për sipërfaqe deri në 400 m², 300 mijë lekë;
d)për sipërfaqe deri në 500 m², 400 mijë lekë;
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë (shtohet), “dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Neni 20
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha
Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:
a)për sipërfaqe deri në 100 m², 200 mijë lekë;
b)për sipërfaqe deri në 200 m², 300 mijë lekë;
c)për sipërfaqe deri në 300 m², 400 mijë lekë;
ç)për sipërfaqe mbi 300 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë (shtohet), “dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Neni 21
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime
1. Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:
a)për sipërfaqe deri në 50 m², 100 mijë lekë;
b)për sipërfaqe deri në 75 m², 200 mijë lekë;
c)për sipërfaqe deri në 100 m², 400 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe mbi 100 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë (shtohet), “dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
2. Kur shtesat kanë destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Shembull
Një familje që ka ndërtuar në Tiranë një shtëpi pa leje dhe ka zaptuar një truall me sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, deri në miratimin e ndryshimeve ligjore, i duhej të paguante 400 mijë lekë si tarifë për të marrë tapinë e tokës. Nga kjo shumë, 20 për qind shkon për Bashkinë e Tiranës, në përdorim të urbanizimit të zonës. Me ndryshimet e miratuara dje, familja do të mund të paguajë me lekë vetëm 20 për qind, pra 80 mijë lekë. Pjesën tjetër të shumës, pra 320 mijë lekë mund të paguajë me bono privatizimi. Sipas tregut, vlera e bonove është aktualisht 8 për qind. Pra familja mund të blejë me 25.6 mijë lekë bono privatizimi dhe të paguajë vlerën prej 320 mijë lekësh, duke kursyer në këtë mënyrë 294.4 mijë lekë. Kjo për tokën nën 300 metra brenda vijës së verdhë dhe nën 500 metra jashtë vijës së verdhë. Për sipërfaqet shtesë, mbi 300 dhe 500 metra dhe që shërbejnë për banim, familjet do të duhet të paguajnë 50 për qind të vlerës së tregut të tokës me para dhe 50 për qind me bono privatizimi.