Buxheti, rriten akcizat për cigaret, kafenë e alkoolin
Në mbledhjen e dytë pas zgjedhjeve, qeveria ka bërë gati ndryshimet e para në paketën e re fiskale. Buxheti, që sipas të gjithë treguesve, ka nevoja të mëdha për para, duket se do të mbushet nga konsumatorët që shpenzojnë para për kafe, duhan, alkool, dhe që luajnë me lojëra fati dhe kazino. Gazeta zbardh sot të plota ndryshimet në nivelin e akcizës dhe rritjen më të madhe të taksave për lojërat e fatit. Një strategji kjo, që duket se do të prekë ato shtresat me “vese” të shoqërisë. Në total, sipas Ministrisë së Financave, efekti vjetor i rritjes së akcizës shkon në 2.5 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë dollarë më shumë në vit.
Akcizat
Ndryshimin më të madh të akcizës e kanë kafeja dhe pijet alkoolike. Sipas projektligjit, i cili do të bëhet ligj dhe do të hyjë në fuqi pas votimit nga deputetët e Kuvendit të ri, ndryshimin më të madh e ka akciza e pijeve alkoolike me një rritje nga 70-100 lekë për litër. Kështu, [pijet e forta alkoolike, mbi 12 për qind alkool do të paguajnë 220 lekë për litër akcizë, nga 150 lekë që paguanin aktualisht. Kjo për prodhuesit me sasi deri në 20 mijë hektolitra në vit. Për prodhuesit mbi këtë sasi, akciza bëhet 300 lekë/litër nga 200 lekë litër që është aktualisht. Me një llogari të thjeshtë, duke ditur se taksat paguhen nga konsumatori, pritet që rritje e çmimit për pijet e forta, të jetë nga 70-100 lekë për litër. Por megjithëse duket si një strategji për të ulur me anë të shtrenjtimit, përdoruesit e pijeve të forta, çuditërisht, rakia, nuk është përfshirë në ndryshimin e akcizës.
Kafe e cigare
Më i shtrenjtë do të jetë konsumi ditor i një qytetari që tymos duhan dhe pi kafe. Qeveria ka vendosur të rrisë me rreth 25 për qind nivelin e akcizë për duhanin. Kështu në rast se deri dje, për një paketë duhan, importuesit paguanin 40 lekë akcizë, pas miratimit të ligjit do të paguajnë 50 lekë. Pra do të shtrenjtohen çmimet e cigareve në treg. Por konsumatorët e duhanit do të paguajnë më shumë edhe për kafenë. Akciza nga 100 lekë që është aktualisht do të bëhet 140 lekë për kilogramë, duke bërë që edhe çmimi i kafesë në treg po bare të rritet ndjeshëm.
Kazinotë
Ministria e Financave nuk ka llogaritur asnjë shifër të saktë për paratë që do të marrë nga rritja e taksës për kazinotë dhe lojërat e fatit. Mesa duket, qeveria pret që nga rritja e tarifës të ulet numri i tyre në qytetet shqiptare. Në ligjin e ri, për çdo makinë elektronike të lojërave të fatit, taksa bëhet 100 mijë lekë nga 20 mijë lekë që ishte aktualisht. Ndërkohë që për ruletet taksa mujore shkon në disa fish. Aktualisht për çdo ruletë, pronarët e lojërave të fatit ishin të detyruar të paguanin 80 mijë lekë në muaj, me ndryshimin e ri kjo tarifë bëhet 300 mijë lekë në muaj. Gazeta boton të plotë ndryshimet edhe për llojet e tjera të makinave apo tavolinave që përdorin kazinotë dhe lojërat e fatit.
Ndryshimi i akcizave
Ishte Bëhet
Kafe jo e pjekur e dekafeinuar ose jo
50 lekë/kg 70 lekë/kg
Kafe e pjekur e dekafeinuar ose jo
100 lekë/kg 140 lekë/kg
Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj
volumit mbi 12 për qind
150 lekë/litri 220 lekë/litri
Nga prodhues vendas e të huaj në sasi
më të vogël se 20.000 hektolitër në vit
150 lekë/litri 220 lekë/litri
Nga prodhues vendas e të huaj me
sasi më të madhe se 20.000 hektolitër në vit
200 lekë/litër 300 lekë/litër
Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj
volumit deri në 12 për qind
70 lekë/litri 100 lekë/litri
Puro dhe cigariollos që përmbajnë duhan
2240 lekë/kg 2500 lekë/kg
Cigare që përmbajnë duhan
40 lekë/paketa 50 lekë/paketa
Ndryshimet e tatimeve për lojërat e fatit
Neni 44
Detyrimet tatimore
Fitimet, që organizatori i lojërave të fatit realizon nga ushtrimi i veprimtarisë së tij, janë të tatueshme në bazë të dispozitave ligjore në fuqi. Tatim-fitimi i shoqërisë (organizatorit) llogaritet dhe paguhet në bazë të dispozitave të legjislacionit tatimor në fuqi. Të ardhurat që përfitohen nga lojtarët apo fituesit, që marrin pjesë në lojërat e fatit dhe kazinotë, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale. Veprimtaritë e lojërave të fatit, që tatohen sipas dispozitave të këtij ligji, përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Detyrimet tatimore janë:
5.3. Për kazino elektronike:
Ishte
a) për rrethet e kategorisë së parë, 400.000 (katërqind mijë) lekë për çdo sallë, si dhe 20.000 (njëzet mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot dhe videolotari;
Bëhet
a) për rrethet e kategorisë së parë, 400.000 (katërqind mijë) lekë për çdo sallë, dhe 100.000 (njëqind mijë) lekë për çdo makinë elektronike, të tipit slot e videolotari;
Ishte
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200.000 (dyqind mijë) lekë për çdo sallë, si edhe 20.000 (njëzet mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot dhe videolotari;
Bëhet
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200.000 (dyqind mijë) lekë për çdo sallë, dhe 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
Ishte
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100.000 (njëqind mijë) lekë për çdo sallë, si dhe 20.000 (njëzet mijë) lekë për çdo makinë elektronike tipit slot dhe videolotari;
Bëhet
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100.000 (njëqind mijë) lekë për çdo sallë, dhe 40.000 (dyzet mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
Ishte
ç) për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 1.000.000 lekësh, si dhe 80.000 lekë në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi ku ushtron veprimtarinë.
Bëhet
ç) për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë), organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 1.000.000 (një milion) lekësh dhe 300.000 (treqind mijë) lekësh në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi ku ushtron veprimtarinë.
Detyrimi tatimor për kazinotë
Tatim-fitimi i shoqërisë (organizatorit) llogaritet dhe paguhet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi. Tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në kazino, paguajnë detyrimet tatimore mujore si më poshtë:
Ishte
a) për tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë) një taksë mujore, në masën 80.000 (tetëdhjetë mijë) lekë në muaj për çdo pozicion;
Bëhet
a) për tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë), një taksë mujore, në masën 300.000 (treqind mijë) lekë në muaj për çdo pozicion
Ishte
b)për çdo tryezë të lojërave (me letra ose/dhe me zare), një taksë mujore, në masën 600.000 (gjashtëqind mijë) lekë
Bëhet
b) për çdo tryezë të lojërave (me letra ose/dhe me zare), një taksë mujore, në masën 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë;
Ishte
c) për lojërat elektronike dhe makinat slot, me fitim në çast dhe për videlotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë, për çdo kompjuter elektronik.
Bëhet
c) për lojërat elektronike dhe makinat slot, me fitim në çast dhe për videolotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 120.000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për çdo kompjuter elektronik.