E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS pranon humbjen e zgjedhjeve

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste pranoi dje zyrtarisht se ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, përmes një deklarate për shtyp ku shfaqi qëndrimin e PS-së për mandatin e nëntë të qarkut të Fierit, pranoi përmes deklaratës së saj dhe humbjen e PS-së në këto zgjedhje.  “Partia Socialiste nuk ka fituar të drejtën për të qeverisur vendin, po ka marrë detyrën për të mos lejuar që vendi të qeveriset padrejtësisht”, u shpreh Imeraj në fund të deklaratës së saj për shtyp, duke shprehur në këtë mënyrë dhe qëndrimin zyrtar të forcës më të madhe opozitare për rezultatin e zgjedhjeve të dy javëve më parë. Kjo është deklarata e parë zyrtare në të cilën PS pranon se ka humbur zgjedhjet dhe që s’mund të qeverisë vendin, ndërkaq gjatë gjithë këtyre ditëve në asnjë nga deklaratat apo takimet e përfaqësuesve të PS-së nuk është përmendur asnjëherë termi humbje. Edhe gjatë një takimi që kryetari socialist Edi Rama zhvilloi dy ditë më parë me 140 kandidatët për deputetë në këto zgjedhje, në diskutimet e tyre deputetët por dhe Rama nuk përmendën asnjëherë fjalën humbje, përkundrazi u fol për votën në shumicë të dhënë nga zgjedhësit për koalicionin e PS-së. Madje në qëndrimet e tyre, deputetët socialistë por dhe kandidatët për deputetë nuk fajësuan PS dhe kryetarin e saj për rezultatin e zgjedhjeve, madje ata kërkuan që rezultati ka mundësi të ndryshohet pasi, janë disa qendra votimi të cilat konsiderohen problematike dhe do kërkoeht rinumërimi i tyre. Vetëm në mbledhjen e kryesisë socialiste, Ben Blushi i ka kërkuar kryetarit socialist të pranojë humbjen dhe kjo gjë të bëhet dhe publikisht. Duket se deklarata e fundit e zëdhënëses së PS-së vjen pas miratimit nga ana e KQZ-së të shumicës së tabelave me rezultatet zgjedhore të qarqeve, ku edhe në ato raste ku kontestohet ky rezultat nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim përmbysës të rezultatit përfundimtar. Deklarata e zëdhënëses ishte një pranim i rezultatit të zgjedhjeve brenda fjalive që shprehnin qëndrimin e PS-së për mandatin e nëntë të qarkut të Fierit, një qëndrim që është shprehur në mënyrë të përsëritur dhe nga eksponentë të lartë të PS-së.
Qëndrimi
Zëdhënësja e PS-së i kërkoi KQZ-së të zbatojë ligjin dhe të jetë transparente në vendimmarrjen e saj. “Duke e konsideruar vijim në rrugën e krimit elektoral të Sali Berishës vendimin e djeshëm të KQZ dhe paraqitur menjëherë ankimimin e këtij vendimi për të siguruar numërimin e të gjitha atyre votave që Sali Berisha po orvatet t’i fshijë, për të grabitur mandatin e nëntë të Partisë Socialiste, ne rinënvizojmë me forcë se kjo grabitje është baraz me mosnjohjen e zgjedhjeve nga ana jonë. Partia Socialiste nuk do ta amnistojë krimin elektoral të 28 qershorit dhe do t’i shkojë deri në fund hetimit të tij, pavarësisht koalicionit të së keqes që politika e vjetër ka krijuar për t’i vënë kapak këtij krimi dhe frenuar ndryshimin që populli kërkon duke e përcaktuar Partinë Socialiste forcën e parë në vend”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›