E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktor Zahi Hauas, njeriu përgjegjës për thesaret e Egjiptit

Më shumë se 2500 vjet më parë, trupi i mumifikuar i një njeriu të pasur u vendos me kujdes në një gropë rreth 20 metra të thellë në shkretëtirë. Muja qe futur në arkivol të rëndë, punuar me gur gëlqeror, i mbyllur me shumë kujdes, për t‘u rezistuar mijëvjeçarëve. Më pas, një ditë marsi të vitit 2007, teksa punëtorët zbuluan dhomën mortore, vërejtën arkivolin e vendosur në mes të saj, dhe për herë të parë pas dy mijëvjeçarësh e gjysmë hoqën kapakun e rëndë të sarkofagut, duke zbuluar mumien.

Kush ishte i pranishëm në atë çast? Për këdo që di diçka mbi ekspertët e Egjiptit të lashtë, kjo pyetje do të ishte e pavend. Jemi në Egjipt, kështu që njeriu nuk mund të jetë askush tjetër veç doktor Zahi Hauas. "Mendoj se ka qenë njeri i rëndësishëm", thotë dr.Hauas, duke pastruar me furçë mumien.

Gjatë këtyre shtatë viteve, që në çastin kur është emëruar sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikitetit, dr.Hauas nuk është ndalur asnjë çast. Publikon personalisht çdo zbulim të ri, ka qenë individi më aktiv në planet për ndërtimin e 19 muzeumeve, në aprovimin e restaurimit të nëntë sinagogave në Kajro. Gjatë gjithë kësaj kohe ka kontribuar në një numër shumë të madh librash, dokumentarësh, artikujsh revistash e gazetash, gjithnjë në kërkim të promovimit të antikitetit egjiptian - dhe sigurisht edhe në promovimin e vetvetes.

Sigurisht, gjithë ky aktivitet nuk i dhuron vetëm miq, dhe është vënë në qendër të kritikave të ashpra për qëndrimet ndaj hebrenjve. Megjithëse ai këmbëngul se nuk është antisemit dhe se komentet e tij u drejtoheshin veç izraelitëve dhe mënyrës si këta i trajtojnë palestinezët.

Ka nga ata shkencëtarë që thonë se është shumë i zënë me promovimin e vetes, aq sa shpesh u largohet fakteve. Janë disa punonjës të tjerë egjiptianë të antikitetit që ankohen se ai merr meritat e arritjeve të tyre. Por ai nuk para u jep rëndësi gjërave që nuk kanë të bëjnë me punën e tij, dhe monopoli virtual që gëzon mbi gjithçka që ka të bëjë me Egjiptin e lashtë i ka dhuruar famën ndërkombëtare, ndërkohë që e ka ndihmuar vendin të tërheqë më shumë turistë në këtë çast të vështirë që po kalon ekonomia globale. "Duam s‘duam, ai është një yll dhe e jeton jetën si i tillë", thotë Mahmud Ibrahim Husein, kreu i Departamentit të Antikitetit në Universitetin e Kajros. "Kur shkon diku, njerëzit i mblidhen rrotull për t‘i folur. Ka shumë lektorë të tjerë, por njerëzit janë të gatshëm të paguajnë shumë para për të dëgjuar dr.Hauas".

Zahi Hauas ka lindur në fshatin Al Ubajdijah. Në shërbimin kombëtar të antikitetit nisi punë si inspektor në vitin 1969, rreth dy vjet pasi kishte mbrojtur gradën shkencore në arkeologjinë greke dhe romake në Universitetin e Aleksandrisë. Në vitin 1987 mori gradën "Doktor" në Universitetin e Pensilvanisë. Më 1 janar të vitit 2002 u emërua sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikitetit, dhe që atëherë nuk e ka kthyer kurrë më kokën pas.

Sot është personifikimi i njeriut që di të përmbushë shumë detyra njëherësh. "Shpejt, hiqe kapelën", më thotë dr.Hauas. Më zgjati një kapele shumë të ngjashme me atë të Indiana Xhons, të cilën e mban gjatë gjithë kohës. Dhe në fakt është një kopje e saj, me përjashtimin se ka të stampuar autografin dhe një foto të tijën. "I dhashë një kapele identike si kjo, Presidentit Bush", thotë duke qeshur. "E shoqja tha se i rrinte shumë e vogël. Ai vetë qe shumë i zhgënjyer".

Dr.Hauas po qëndronte brenda një dhome mortore të saponxjerrë në dritë, ku gjendej sarkofagu i nënës së një faraoni. Ose të paktën kështu mendonte ai. Kur varret nuk ofrojnë detaje, dr.Hauas përpiqet t‘i mbushë hapësirat boshe me të dhëna që i ofron njohja e shkëlqyer e historisë së Egjiptit të lashtë - ku ndoshta shkëlqen më shumë aftësia e tij për të ofruar spektakël.

Kur në Luginën e Mbretërve, para tre vjetësh u zbulua një varr, ai hamendësoi se qe ndërtuar për nënën e Mbretit Tuthan Khamon, një rrugë e sigurt për të tërhequr vëmendjen e mediave e të publikut, edhe pse shkencëtarët e tjerë të pranishëm rrudhën hundët. Në atë kohë, disa prej tyre thanë se dhoma dukej më tepër si një vend grumbullimi objektesh.

Ndërkohë që ai vetë kërkon të shtyhet përtej mbushjes së hapësirave bosh të së shkuarës. Thotë se i sheh zbulimet arkeologjike si një mënyrë për të shpëtuar të tashmen e lëkundur dhe të ardhmen e paqartë të Egjiptit. Mendon se Egjipti modern mund të përfitojë falë një "projekti kombëtar", në të njëjtën mënyrë siç përfituan egjiptianët e lashtë duke ndërtuar piramidat e varret. "Egjipti ka nevojë për një projekt tek i cili të besojnë të gjithë, një projekt kombëtar", thotë dr.Hauas, teksa ecën në një vend ku janë vendosur objekte të zbuluara së fundmi. "Duhet të mësojmë nga Egjipti i lashtë".

"Ideja e tij nuk është e pavend", thotë Xhemal Gitani, botues i një reviste letrare në Egjipt. "Një projekt kombëtar do të thotë synime afatgjata, të vlefshme për gjithë shoqërinë egjiptiane".

Dr.Hauas nuk përfshihet fare në politikë dhe tregon shenja nervozizmi kur i kërkohet të përqendrohet për shumë kohë mbi një argument. Mjaft më me projektin kombëtar dhe dhomën mortore. Ngjitet me nxitim në një makinë të madhe bashkë me disa prej bashkëpunëtorëve dhe niset për të parë një varrezë të re, e cila sapo është zbuluar. Si edhe dhoma mortore ku gjendeshim më parë, varreza është zbuluar ndërsa policia kapi disa vjedhës varresh teksa gërmonin në rërë. Dr.Hauas tregon se gërmimet zbuluan një prej varrezave më të përdorura në Egjipt, me varret që shtriheshin në disa mijëvjeçarë.

Pjesa më e madhe e varreve janë vjedhur që në lashtësi. Por varri i njeriut të pasur ka mbetur i paprekur. Hyrja dukej si një pus uji. Dr.Hauas u var te litari që zbriste deri poshtë dhe skuadra e punëtorëve e uli pak nga pak deri në fund.

Dhoma mortore qe e ftohtë dhe errët, e ndriçuar vetëm nga një llambë me gaz. Në mure qenë gërmuar tri rafte. Në njërën prej tyre gjendeshin katër mumie të vogla, si dhe një qen i balsamosur. Dy të tjerat qenë mbushur me kocka e kafka njerëzish. Dr.Hauas e ktheu shpejt vëmendjen te mumia e paprekur. "Mendoj se ka qenë njeri i rëndësishëm, tha. Duhet të ketë pasur shumë para që është varrosur në një arkivol të tillë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›