Berisha: Do urbanizojmë fshatrat e Durrësit
Para nisjes për në Kinë, Kryeministri Sali Berisha ka vijuar me turin e prerjes së shiritave dhe premtimeve në Rrethin bregdetar të Durrësit. Këtë herë ai ka qenë në fshatin Radë të Maminasit, ku ka përuruar përfundimin e punimeve për shkollën 9-vjeçare të fshatit, që mban emrin "Riza Shera". Me një investim prej 30 milionë lekësh të akorduara nga buxheti i shtetit u bë rikonstruksioni i shkollës, ndërsa kreu i ekzekutivit ripërsëriti premtimet e tij për vazhdimësi të investimeve për modernizimin e arsimit, duke investuar kështu në të ardhmen e kombit. Mbajtja e premtimeve të deritanishme që lidhen me investimet në arsim, infrastrukturë rrugore, rritje të pagave dhe padyshim anëtarësimi i vendit në NATO, janë për liderin pozitar themeli më i fortë për të kërkuar besimin e shqiptarëve për një mandat të dytë. Pavarësisht rezultateve të publikuara të sondazheve parazgjedhore, Berisha, i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit, tha se gjatë mandatit të dytë do të mundësohet rindërtimi i shkollave ekzistuese dhe ndërtimi i të rejave për të ngritur gjithnjë e më lart "piedestalin e misionarëve të dijes në Shqipëri". Pavarësisht se statistikat kanë treguar një rënie të ndjeshme të numrit të atyre që ndjekin shkollën e mesme, për shkak të ndryshimit të sistemit të detyrueshëm shkollor nga 8 në 9-vjeçar, Kryeministri ka deklaruar se qeveria që ai drejton është e vendosur të mos i lërë pa arsim të mesëm ata që mbarojnë 9-vjeçaren. Urbanizimi i plotë i zonës së Maminasit dhe fshatrave të tjera ka qenë premtimi i radhës për banorët, të cilëve u është premtuar se infrastruktura e tyre do të jetë e njëjtë me atë të qyteteve, falë investimeve që do bëhen në të. Më tej, Berisha siguroi biznesin e vogël për mbështetje të vazhdueshme nga qeveria: "Qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset, pasi biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në vend". Ne po ecim në drejtim të mandatit të dytë, tha Berisha. Për çdonjërin prej jush ne kemi mbajtur premtimet. "Ne kërkojmë votën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo për ato që kemi bërë deri më sot, por për ato që do të bëjmë katër vitet që vijnë. Por votën ua kërkojmë atyre të cilët vlerësojnë dhe besojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është ndryshim i madh, tha Berisha. Atyre, vijoi ai, që vlerësojnë dhe besojnë se dyfishimi i rrogave të mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe pensioneve në fshat është ndryshim i madh. Kërkojmë votën e atyre që besojnë se rritja e pensioneve në qytet, nga 48 në 70 për qind, përbën ndryshim të madh. Kërkojmë votën e atyre që besojnë se investimi prej 1.6 miliardë dollarë në fshatrat e Shqipërisë përbën ndryshim të madh", ngulmoi Kryeministri.