E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel, joshësja që nuk njeh moshë

Që kur ishte adoleshente, dukej se ishte e prirur për t‘u bërë një aktore e madhe. Për Mishel Fajferin ka qenë gjithmonë e rëndësishme të mos shikohej si vajzat e tjera të bukura kaliforniane, si biondet e zakonshme me sy bojëqielli, ose si vajzat që bëheshin aktore pasi kishin fituar konkurse bukurie dhe merrnin pjesë në agjenci të mëdha modelesh. Dhe, në fakt, ia arriti qëllimit: filma të tillë si "Mosha e pafajësisë", "Lidhje të rrezikshme", "Njeriu me shenjë" e kanë bërë Fajferin një nga aktoret më të respektuara dhe më të dashura të Hollivudit. Biondja bukuroshe, që mbush 51 vjeçe në 29 prill, është protagonistja e padiskutueshme e filmit të ri të Stefan Frears, "Cheri", që pasi debutoi në "Festivalin e Berlinit", do të dalë në SHBA në muajin qershor. Akoma e bukur si dikur, Mishel qesh kur e cilësojnë si gruaja që "ha" burrat. Te "Cheri", personazhi që ajo interpreton, Lea de Lonval, bën për vete një djalosh të pafajshëm 19-vjeçar, i cili interpretohet nga Rupert Friend (sipas zërave që qarkullojnë, i dashuri i ri i aktores Keira Knightley). "Në anglisht kjo lloj gruaje quhet ‘xhaguar‘, si bisha e egër që të hipën sipër, ndërsa për mua Lea është vetëm një mace", tregon aktorja, e cila jeton në San Francisko me bashkëshortin, producentin David Kelley, dhe dy fëmijët e tyre. Subjekti i filmit është marrë nga romani i shkrimtares franceze, Kolete, dhe ngjarjet zhvillohen në Paris, në kohën e Epokës së Artë. Fajfer, që është parë së fundmi në muzikalin "Hairspray" (përkrah Xhon Travoltës dhe në "Stardust"), së shpejti do të vijë në ekran me tragjedinë romantike, "Personal Effects", ku ajo luan përkrah aktorit bukurosh, Ashton Kutsher.

Mishel, mendoni se shoqëria e sotme përpiqet akoma t‘i diskriminojë fermat dhe meshkujt për mënyrën e zgjedhjes së partnerëve?

Jo si dikur, por gjithsesi fenomeni ekziston vetëm kur "gjahu" është mashkull dhe shumë më i ri në moshë. Por, nëse ndodh e kundërta, femra mund të etiketohet si një "xhaguar", gjahtare dhe nimfomane. Por për meshkujt ç‘mund të thuhet? Me siguri që janë të adhurueshëm.

Me Stephen Frears ju kishit xhiruar 20 vjet më parë "Lidhje të rrezikshme", që për më tepër është një rol i cili i ngjan atij të "Cheri". Është një rastësi kjo?

Në fakt, me filmin "Cheri" po përballem me rolin e një gruaje që pas "Lidhje të rrezikshme" ishte betuar se nuk do ta bënte më kurrë.

Pse, çfarë ndodhi?

Ndodhi ajo që, duke u "rritur" si grua dhe si aktore, kuptova se edhe role të tilla duhen. Por, çuditërisht, në filmat që po luaj, partnerët janë meshkuj me moshë gjithmonë e më të re. Nëse vazhdoj kështu, do të përfundoj me ndonjë denoncim për shfrytëzim minorenësh.

I referoheni edhe "Personal Effects" me Ashton Kutsher?
Po. Xhirova këtë film para "Cheri" dhe më duhet të them se Ashton është i mrekullueshëm në rolin e protagonistit mashkull, që vuan nga një humbje e rëndë dhe gjatë periudhës së zisë dashurohet me mua. Ishte bukur të xhiroje "Personal Effects", ku mbi të gjitha kisha edhe bekimin e mikeshës sime më të mirë, Demi Mur. Por, edhe në atë rast thashë me vete: është hera e fundit që interpretoj rolin e një gruaje e cila dashurohet me një djalë 20 vjet më të ri se ajo. Pastaj më erdhi në shtëpi skenari për filmin "Cheri", i shkruar mjeshtërisht nga Kristofer Hampton, dhe ja ku jam sërish, një mesogrua joshëse.

Doni të thoni se nuk ndiheni mirë në role të tilla?

Jo, nuk do të thosha pikërisht kështu. Është më se normale që në fillim është pak e çuditshme, por pastaj, dalëngadalë me xhirimet e filmit, mësohesh me idenë dhe për rrjedhojë, si unë, si aktori që kam në krah, nuk mendojmë për gjë tjetër, veçse të bëjmë mirë punën tonë.

Çfarë kërkimesh bëtë për "Cheri", ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitin 1920, kohë kur kurtizanet i mësonin të rinjtë rreth seksit?

Lexova me interesim të madh biografinë e Kolete. Sipas Stefan Frear, Lea de Lonval ishte vetë ajo: një shkrimtare shumë guximtare dhe skandaloze në atë kohë, njëra që rrëzon shumë tabu dhe që gjykohet nga shoqëria e lartë parisiene për lidhjen e saj, të cilësuar të rrezikshme, me një burrë shumë më të ri se ajo.

Mendoni se sot, një autore si Kolete nuk do të shkaktonte reagime të tilla?

Në përgjithësi diferencat e moshës dhe raportet romantike nuk vihen më re si më parë. Shikoni Demin dhe Ashtonin: duken sikur janë moshatarë. Një çift i formuar nga një grua e matur dhe një djalë i ri, sot është më e pranueshme dhe më duket e mrekullueshme kjo gjë. Sepse kjo tregon se gratë sot dinë të qëndrojnë në formë sa më gjatë të jetë e mundur dhe të jenë tërheqëse edhe në moshën 50-vjeçare. Për më tepër, për një grua në një moshë të caktuar, nuk është e nevojshme të ketë gjithmonë raporte me njerëz të moshës së saj.

Ju keni një djalë adoleshent. Si nënë, çfarë do të ndjenit nëse ai do të dashurohej me një 40-vjeçare?

Eh, duke marrë parasysh orët që im bir kalon çdo ditë në internet duke çatuar, kjo gjë edhe mund të ndodhë. Të rinjtë e sotëm mësojnë për seksin shumë kohë më parë se kur unë isha e re dhe si prind duhet të jesh i aftë t‘i ndihmosh të navigojnë në këtë oqean informacioni. Duke iu kthyer pyetjes suaj, nuk e di nëse do të isha dakord me faktin që im bir të merrte mësime rreth seksit nga një grua shumë më e madhe se ai në moshë.

Çfarë bëni zakonisht kur nuk punoni, ose kur nuk kujdeseni për fëmijët?

Pikturoj. Piktura është pasioni im më i madh pas aktrimit. Pikturoj në vaj, bëj portrete, natyra të vdekura, peizazhe... pak nga të gjitha. Por nuk i tregoj kurrë pikturat e mia. Kam ende shumë për të mësuar.

Cili është sekreti i suksesit të martesës me Davidin? Jeni një nga çiftet më të qëndrueshëm të Hollivudit?

Respekti reciprok mbi të gjitha. Raporti mes meje dhe Davidit funksionon sepse, edhe pse kemi shumë gjëra të përbashkëta, por të ndryshme profesionalisht, e respektojmë shumë njëri-tjetrin. Nëse në një çift ka respekt, gjithçka tjetër rregullohet vetë. Megjithatë, e rëndësishme është të zgjedhësh njeriun e duhur. Mua mu deshën vite para se ta gjeja dhe pasi vuajta shumë nga lidhjet me burrat e gabuar.

Çfarë do të thotë t‘i kalosh të 50-at, për një simbol të bukurisë si ju?

E bukura e të qenit 50 vjeçe qëndron në faktin se më në fund ke kuptuar që nuk është ndonjë tragjedi të kesh jetuar gjysmë shekulli. Për mua, 50-vjetori ishte një moment çlirimi. Zbulova se nuk ka nevojë të jemi të rinj përgjithmonë dhe kënaqesh vetëm me mendimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›