E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktoraturat, brenda javës shpallen fituesit



Procesi i përzgjedhjes së fituesve të doktoraturës në Fakultetin e Drejtësisë është drejt mbylljes. Burime të sigurta brenda tij pohuan për gazetën, se një pjesë e mirë e dosjeve kanë marrë OK nga komisioni ad-hoc i departamenteve. Emrat do të dërgohen në këshillin e profesorëve për miratimin përfundimtar. Të njëjtat burime pohuan se brenda kësaj jave pritet të afishohet lista përfundimtare e fituesve. Gara për kuotat shtesë të miratuara nga Qeveria për këtë cikël studimesh ka qenë e ashpër. Pas 5 vitesh ndërprerje, çelja e doktoratave ka ngjallur interesin e shumë figurave të njohura publike, mes të cilëve politikanë, gjyqtarë e deri te kryeprokurorja Ina Rama, që është një prej kandidateve. Për 33 vende kanë konkurruar rreth 130 persona, çka ka bërë që procesit të shqyrtimit dhe i skartimit të dosjeve t’i kushtohet një vëmendje e veçantë. Në ethe janë edhe një pjesë e pedagogëve të rinj të brendshëm të fakultetit, të cilëve udhëzimi i Ministrisë së Arsimit i jep prioritet për t’u regjistruar në këtë program. Por nëse plotësojnë kriteret e tjera të vendosura nga departamentet, këtë do ta gjykojnë vetëm komisionet ad-hoc dhe në fund Këshilli i profesorëve. Edhe për ta, nga sa pohojnë krerët e fakultetit, nuk do të ketë lëshime që mund të çojnë në cenimin e mbarëvajtjes së doktoraturës apo njëanshmëri që mund të ndezin depozitimin e ankesave prej kandidatëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›