Gjimnazisti u vra për një vajzë
DURRES/ OERD ULQINI
Një konflikt i çastit, i cili dyshohet se lindi për një vajzë duket se është bërë shkas i vrasjes te rruga e universitetit. Ky është konkluzioni i deritanishëm i hetuesve mbi ngjarjen e rëndë, e cila i kushtoi jetën 17-vjeçarit Klejdi Myzyri, nxënës i një gjimnazi privat në Durrës dhe që plagosi rëndë 15-vjeçarin me inicialet E.ç. Në një kohë rekord, policia e Durrësit zbardhi mekanizmin e ngjarjes të së dielës, duke kryer tre arrestime brenda 12 orëve të fundit. Në pranga si bashkautorë të vrasjes kanë rënë shtetasit I.C. 16 vjeç, nxënës në shkollën e mesme “Lady Diana” dhe 18-vjeçari Radi Buçpapaj, nxënës i shkollës së “Mjeshtërisë sportive” në Durrës, persona këta pa precedentë penalë. Por vetëm katër orë pas dy arrestimeve të para, policia ka prangosur edhe një tjetër 16-vjeçar, personin me inicialet D.Sh. edhe ky gjimnazist. Sipas policisë shtetasi i mitur D.Sh. është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi dyshohet se ka mbajtur përkohësisht armën e zjarrit pistoletë “model 54”, me të cilën shtetasit I.C. dhe Radi Buçpapaj kanë kryer agresionin ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Ndërkohë nga burimet policore të Durrësit saktësohet se 15-vjeçari i plagosur rëndë me inicialet E.ç. vazhdon të jetë nën terapi intensive në Spitalin Ushtarak dhe prognoza e mjekëve mbi jetën e të riut është ende e rezervuar. Policia e Durrësit në bashkëpunim edhe me hetuesit e Prokurorisë së rrethit ka ngritur akuzat përkatëse ndaj shtetasve I.C. dhe Radi Buçpapaj, duke formuluar ndaj tyre materialet për veprat e “vrasjes së kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Ndërsa ndaj 16-vjeçarit D.Sh. nga Prokuroria është formuluar akuza e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Pas marrjes në pyetje të dy të rinjve, policia ka pohuar për mediat se “rivaliteti për një vajzë mes dy grupeve ka nisur sherrin në bar”. Fillimisht grindja është përqendruar vetëm te fjalët dhe fyerjet, por shumë shpejt personat janë konfliktuar fizikisht me grushte dhe gota të thyera. Në këto kushte janë agresorët që dalin të parët nga lokali, duke i zënë pritë dy adoleshentëve të tjerë me armë zjarri.
Në orën 15 e 30 minuta është përcjellë në banesën e fundit 17-vjeçari, Klejdi Myzyri. Qindra njerëz mes të cilëve familjarë, miq, fqinjë dhe nxënës të gjimnazeve “Mihal Ekonomi”, “Konica”, “Gjergj Kastrioti”, “Naim Frashëri” etj. i kanë dhënë lamtumirën mes lotëve 17-vjeçarit.