E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronësia, vriten me armë zjarri në stallë 14 lopë



SARANDE - Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pas mesnatës së të dielës në fshatin Ninat, në komunën e Makatit në Sarandë. Persona ende të paidentifikuar janë futur në një stallë lopësh, duke vrarë me armë zjarri kallashnikov 14 krerë, nga 60 që ishin gjithsej. Burime nga policia bënë të ditur se në vendin e quajtur Manohor ose “Koçekët e Karroqit”, janë vrarë me armë zjarri 14 kokë lopë, 10 prej të cilave kishin ngelur të ngordhura në vend ndërsa 4 të tjera ishin të plagosura. Vetë Artur Dule, pronar i tufës, ka rrëfyer në polici se ishte larguar në mbrëmje vonë nga stalla. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:00, kur ai ka shkuar në stan ka gjetur të shtrira përtokë lopët. Nga vëzhgimi paraprak i vetë pronarit, ai kishte vënë re se kafshët ishin goditur me nga një plumb në shpatull. Dyshohet se autorët i kanë qëlluar ato me breshëri. Pasi konstatoi ngjarjen, pronari Dule njoftoi menjëherë policinë. Nga hetimi paraprak u konstatua se ndaj gjedhëve është qëlluar armë zjarri e llojit kallashnikov. Pasi kryen veprimet në vend, blutë morën në pyetje 42-vjeçarin. Mësohet se ai deklaroi se ka pasur konflikt të herëpashershëm për kullotën me disa bashkëfshatarë të tij. Sipas burimeve policore, janë shoqëruar në komisariat tre shtetas, pikërisht personat për të cilët ka dëshmuar edhe vetë pronari i tufës së lopëve. Por ata nuk kanë pranuar që të kenë gisht në këtë kasaphanë. Nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e kësaj natyre me përdorim armësh në këtë zonë. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›