Polumbarët gjejnë të mbytur në lumë tre viktimat e aksidentit
GRAMSH – Tre nga viktimat e aksidentit tragjik të së shtunës u gjetën dje në lumin Devoll, në zonën e Gramshit. Furgoni me të cilin udhëtonin 4 personat nga fshati Kodovjat për në Korçë doli nga rruga e keqe, për të përfunduar në ujërat e lumit. Dy trupat e parë janë gjetur në orët e para të mëngjesit, afro 18 kilometra larg nga vendi ku dyshohet të ketë rënë mjeti. Viktimat janë Behar Senollari dhe Petrit Ahmeti, 18 dhe 20 vjeç. Pak orë më vonë, forcat speciale të RENEA-s kanë mundur të nxjerrin dhe trupin e tretë, i gjendur rreth 21 km larg, pikërisht të Dritan Ballës, 38 vjeç. Identifikimi i trupave është bërë nga familjarët që prisnin me ankth gjatë orëve të kërkimit. Tre viktimat u gjetën në afërsi të fshatit Kodovjat, nga zona ku ata kishin shtëpitë. Polumbarët e repartit RENEA vazhduan dje kërkimet në të gjithë gjatësinë e lumit Devoll, nga vendi i ngjarjes e deri në hyrje të qytetit të Gramshit, në kërkim të personit të katërt, Ilir Soganit, 32 vjeç, që dyshohet të ketë pasur të njëjtin fat fatal. Në ndihmë të grupit të personave që po kërkojnë për gjetjen e trupit të personit të katërt është dhe një helikopter, i cili është urdhëruar nga ministri Lulëzim Basha që të fluturojë për të shkuar në ndihmë të RENEA-s dhe Policisë. Kërkimet kanë nisur në orët e para të ditës së hënë dhe pritet të rinisin sot, për gjetjen e trupit të katërt.