E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO: Parlamenti legjitim, bojkoti i pakuptimtë



Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk ka dyshime mbi legjitimitetin e Parlamentit dhe Qeverisë shqiptare. Këtë e bëri të ditur dje një delegacion i Aleancës, i kryesuar nga senatori italian Sergio de Gregorio gjatë takimeve të zhvilluara në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta dhe Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Sipas një njoftimi të faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave "duke iu referuar bojkotit të institucioneve demokratike nga ana e opozitës, anëtarët e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s theksuan se askush në komunitetin euroatlantik nuk ka as më të voglin dyshim për legjitimitetin e këtij Parlamenti dhe të Qeverisë shqiptare. Parlamentaret e vendeve të NATO-s ndanë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit". Në të njëjtën kohë parlamentarët e NATO-s theksuan se debati demokratik zhvillohet në Parlament dhe se bojkoti i institucioneve demokratike është një qëndrim i pakuptimtë. Ndërsa në takimin me kryeparlamentaren Topalli, anëtarët e delegacionit të Aleancës theksuan se "ne jemi dëshmitarë se, ky proces u realizua më së miri dhe kjo u theksua nga të gjithë ndërkombëtarët. Nga këto zgjedhje dolën institucionet legjitime, Qeveria dhe Parlamenti dhe jemi të habitur nga disa kundërshtime që vijnë nga opozita. Ne vlerësojmë seriozitetin dhe angazhimin tuaj". Gjatë takimit me përfaqësuesit e NATO-s, zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi se prioritet për vendin tonë mbeten thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi euroatlantik i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, Meta nënvizoi rolin konstruktiv të Shqipërisë, si anëtare e re e NATO-s, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. "Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të delegacionit në lidhje me Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, z. Meta theksoi se Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës, thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e partneriteteve të saj, ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve transatlantike, të cilat priten të reflektohen në Dokumentin e ri që do të miratohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Lisbonë", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Përfaqësuesit e Aleancës u takuan dje edhe me ministrin Imami, i cili tha se po hartohet një plan veprimi i plotë edhe për identifikimin, përzgjedhjen dhe heqjen e të gjitha materialeve dhe pronave të tepërta të FA-së, në mënyrë që kjo të mos jetë pengesë për zhvillimin e FA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›