E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonatat e Pinarit me Delijorgjin në Gërdec



TIRANE – Askush nuk mund të kalonte pragun e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, para 15 marsit 2008, nëse më parë nuk merrte konfirmimin e “të zotërve” të saj. Urdhri nuk përjashtonte as zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Zigur Cani, ish-roje në fabrikën, shpërthimi i së cilës vrau 26 persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë, tregoi dje në gjykatën e Tiranës si kishte penguar të hynte në fabrikë Ylli Pinarin, kreu i MEICO-s. Sipas dëshmitarit, Pinari ishte lejuar vetëm kur hyrjen e tij e kishte lejuar nga brenda fabrikës, Mihal Delijorgji. Ndërsa ish-roja tjetër Fejzi Shehu, rrëfeu se ditën e ngjarjes në fabrikë u futën tre karroca të salduara te shtëpia e Qemal Deliut. Sipas Shehut, e fundit prej tyre ishte futur në fabrikë rreth 30 minuta para shpërthimit të tragjedisë.
Dëshmia e Zigur Canit
“Pozicioni im si punonjës i shoqërisë së sigurisë ishte te porta ballore e fabrikës, aty ky bëheshin hyrje daljet e mjeteve dhe të njerëzve. Nuk duhet të lejoja askënd të hynte pa lejë në fabrikë. Punëtorët mblidheshin në grupe dhe dilte i merrte Vangjeli dhe Dritan Minxolli. Delijorgji vinte shpesh në fabrikë. Me shpesh e kam fjalën që, në mos çdo ditë, vinte një herë në dy ditë. Ylli Pinarin e njihja. Një rast nuk e kam lënë të futet. Nuk e kisha të shënuar targën e tij. Më tha që: Jam drejtor. I thashë që drejtor njihja vetëm Dritan Minxolli. Më mori Mihal Delijiorgji në telefon dhe më tha ta lija të kalonte. Sokol Gjeci vinte në fabrikë çdo ditë. Qemal Deliun e njihja pasi kishte shtëpinë më afër fabrikës dhe ishte i pari punëtor që vinte në punë. Qemali nxirrte karroca nga fabrika, pasi i saldonte ato. Karrocat dilnin me urdhër nga drejtori. Pasi saldoheshin ato ktheheshin në fabrikë. Vonoheshin rreth gjysmë ore. Makinat me municion vinin pas orës 12:00. Deri në orën 14:00,kur unë mbaroja turnin, vinin rreth 15 makina. Në fabrikë ka qenë një amerikan, por nuk e di se ç’bënte aty. Makinat me municione shoqëroheshin me makina të Policisë Ushtarake. Ditën e ngjarjes nuk kam qenë në punë. Kamionët që transportonin barutin kishin targa të huaja, por të huaj ishin dhe drejtuesit e tyre. Delijorgjin ma ka prezantuar Dritani si pronarin e fabrikës. Në repart nuk ka pasur makina me targa zyrtare. Nuk ka ardhur asnjë person nga Ministria e Mbrojtjes, për sa kam qenë në shërbim. Ylli Pinari ka ardhur me makinë private”.
Rrëfimi i Fevzi Shehut
“Gjatë kohës së punës në shoqërinë private të sigurimit, për dy ditë kam zëvendësuar Zigur Canin. Në 15 mars kam qenë në punë. Isha i stacionuar te porta. Ditën e ngjarjes, kur shkova në punë, kishin ardhur vetëm punëtorët e ngarkim-shkarkimit të predhave, pasi gjatë natës kishin ardhur municionet. Atë ditë ishin rreth 7-8 kamionë ushtarakë. Urdhrin për futjen e njerëzve e merrja nga Vangjeli. Atë ditë në vendrojën numër 2 ka qenë Reshit Kruja. Në momentin e shpërthimit unë isha te porta. Aty ishte një fëmijë i vogël që i solli bukë nënës së tij. Ndërsa Vangjeli me Dritanin po dilnin nga fabrika. Mbylla portën dhe po çoja bukën tek ajo gruaja për të cilën e sollën. Sa u afrova, pashë flakën mbi thasët e barutit. Flaka nga unë ishte rreth 50 metër larg. I alarmuar vrapova deri te porta. Komunikova me rojën tjetër. Ai më tha të lajmëroja zjarrfikësen. I thashë që zjarrfikësja nuk ka çfarë t’i bëjë kësaj, por largohu. Vrapova, ndërkohë që kisha rreth meje njerëz që vraponin duke thirrur, qarë e ulëritur. Pasi ishim larguar pak, ndodhi shpërthimi i parë. Kur arritëm te vendi që quhet ‘mbikalimi i Gërdecit’ na kapi shpërthimi i dytë. Pësova djegie në pjesën e pasme të kokës dhe në veshë. Më pas me një makinë shkova dhe u mjekova në Fushë-Krujë. Ditën e ngjarjes kanë dalë tre karroca për saldim. Dy dolën njëherazi më parë, ndërsa një e tretë pak më vonë. Ishte një person rreth 60 vjeç, i hollë e i zeshkët. Karroca e fundit ka dalë rreth orës 11:00. E pyeta se ku po shkonte. Më tha që “do t’i saldoj këto”. Përgjegjësi e lejoi të dilte. Karrocat u futën më vonë në fabrikë. E fundit është futur rreth 30 minuta para shpërthimit. Nuk kam dëgjuar krisma para shpërthimit. Për personin që nxori karrocat, më pas mësova se quhej Qemal Deliu”. a.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›