Doktoraturat, ndarja e 1367 kuotave sipas universiteteve
MASH publikon kuotat e miratuara për 91 programet e studimit
Detajohet ndarja e 1367 kuotave për Doktoraturën sipas universiteteve, që janë miratuar javën e kaluar edhe nga qeveria. Gjatë vitit të ri akademik studimet e Doktoraturës do të mund të ndiqen në disa universitete publike të vendit, ndërkohë që më shumë programe të tilla studimi do të ketë në Universitetin e Tiranës. Në këtë të fundit do të ofrohen 40 programe të ndryshme të ciklit të tretë të studimeve, nga 91 që janë në total për të gjitha universitetet publike. Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të Doktoratës, për çdo institucion publik të arsimit të lartë do të jetë 208 000 lekë, që do të paguhet me këste të përcaktuara nga universiteti. Tashmë universitetet publike të vendit do të nisin procedurat e aplikimit për studimet e Doktoraturës dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet sipas rregullave të vendosura nga secili prej tyre. Ndërkaq, në studimet e Doktoratës do të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomën universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike.