E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesionet e licencuara, 1-4 vjet stazh pa rrogë para punësimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-11-2011 11:50

Kohëzgjatja e stazhit varion nga 1 vit për degët e inxhinierisë deri në 4 vjet për mjekësinë. Ndryshon ligji për profesionet e rregulluara

Studentëve që përfundojnë shkollën e lartë në degët që bëjnë pjesë te profesionet e rregulluara me ligj, do t’u duhet të kryejnë edhe 1 deri në 4 vjet stazh pune pa pagesë. Institucioni ku do të kryhet praktika e punës, e madje edhe qyteti ku mund të shpërngulen të diplomuarit, pavarësisht universitetit që kanë mbaruar, do të vendoset nga shteti. Këtu bëhet fjalë për të gjithë studentët e diplomuar në: Farmaci, Mjekësi, Stomatologji, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, Mësuesi, si dhe në disa degë të tjera që ofrojnë shërbime për popullatën, që, për të marrë një licencë si profesionist, pas mbarimit të stazhit, duhet t’i nënshtrohen edhe provimit të shtetit. Për të ligjëruar këtë ndryshim, qeveria ka miratuar së fundi disa ndryshime të tjera në ligjin “Për profesionet e rregulluara”, sipas të cilave të diplomuarit në degët e mësipërme duhet të kryejnë stazhin, kohëzgjatja e të cilit nuk do të jetë e njëjtë për të gjitha profesionet, e që do të përcaktohet nga urdhrat profesional përkatës. Kështu, vitet e stazhit variojnë nga 1 vit për degët e inxhinierive, deri në 4 vjet për mjekësinë. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhe, ndryshe nga më parë, kur të diplomuarit paguheshin me 50% të pagës për pozicionin e punës që kryenin, sipas ligjit të ri për ta nuk do të ketë më rrogë, por do t’u mbulohen vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare, ligji nr.10 470, datë 13.10.2011 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 171, datë 22.10.2009 ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipëris뒔, të ndryshuar, ku paraqiten edhe ndryshimet e bëra së fundi në të. Më konkretisht, në ligjin “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” janë ndryshuar pikat 3 dhe 4 të nenit 11, si më poshtë: “Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në, kur ka një të tillë, bën regjistrimin e kandidatëve për kryerjen e praktikës profesionale dhe siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit. Në përfundim të praktikës profesionale, kandidati i nënshtrohet ‘Vlerësimit për aftësimin praktik’, të organizuar dhe të zhvilluar nga autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të veta. Praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik. Modalitetet e organizimit të vlerësimit të aftësimit praktik përcaktohen në rregulloren e praktikës profesionale, që miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon fushën përkatëse dhe të ministrit të Arsimit. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale”. Për t’iu nënshtruar provimit të shtetit, kandidatët duhet të paguajnë një tarifë të caktuar, masa e pagesës ende nuk është publike. Ndërkohë që janë rreth 9 mijë ish-studentë që i kanë përfunduar studimet në vitin 2009 në profesionet e rregulluara dhe që duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit, pa marrjen e të cilit ata nuk kanë të drejtë të punësohen.

Ndryshimet e bëra në ligj

Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në, kur ka një të tillë, bën regjistrimin e

kandidatëve për kryerjen e praktikës profesionale dhe siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit.

Në përfundim të praktikës profesionale kandidati i nënshtrohet “Vlerësimit për aftësimin

praktik”, të organizuar dhe të zhvilluar nga autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të veta.

Praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik.

Modalitetet e organizimit të vlerësimit të aftësimit praktik përcaktohen në rregulloren e praktikës profesionale, që miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon fushën përkatëse dhe të ministrit të Arsimit.

Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale.

Pika 5 shfuqizohet. Në këtë pikë përcaktohej që “pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale”.

Shamku: Ligji do të sjellë fiktivitet të madh në treg

Drejtues të universiteteve mbështesin hyrjen e praktikës në profesionet e rregulluara. Për ta kjo do të ndihmojë të diplomuarit në përvetësimin e zanatit. Por, sipas deputetes së opozitës, Ledi Shmaku, ky proces do të degradojë. Ajo e quan të padrejtë mospagesën e stazhit, duke u shprehur se një familjeje shqiptare tashmë do t’i duhet të investojë edhe vite të tjera përveç shkollës së lartë, derisa fëmija të dalë në punë. “Sipas qeverisë, biznesi nuk është i interesuar të punësojë stazhierë të sapodiplomuar, përkundrejt këtij kontributi, duke filluar në 50% të pagës. E thënë më thjeshtë, një mësuese mbaron sot shkollën, qeveria e çon ku të dojë ajo, pa pagesë, dhe në fund të muajit në vend që të verë rrogën në tryezë, ajo ka siguruar një muaj pension, pra do ushqehet me atë muaj pension pas 20 vjetësh”, - pohon deputetja e PS-së. Sipas saj, ky ligj do të sjellë fiktivitet të madh në treg. “Mbaron shkollën, qeveria të thotë tani nuk do paguhesh, ti bridh vërdallë bëj atë pseudo-praktikën, që do jetë e gjitha një fikitvitet i madh. Sepse për sa kohë stazhierët nuk paguhen dhe punëdhënësit nuk paguajnë, atëherë askush nuk kërkon llogari. Kështu praktika do futet në një rreth fiktiv lëshimesh, dëshmish praktike, pa asnjë të vërtetë prapa, dhe këta do të hyjnë në tregun e punës pa e kryer kurrë këtë praktikë”, - thotë Shamku. Ky vendim ka ardhur me pretendimin se bizneset private nuk janë të interesuara të punësojnë stazhierë me një pagesë mujore që shkon deri në 50 % të pagës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›