Doktoreshë Moisiu: U rekomandoj nënave konsultoren e shtetit, jo klinikat private
Autori i Lajmit: Denisa Kona
-Si mjeke me përvojë shumëvjeçare, vëreni që të ketë rënë kjo tendencë të themi në një dhjetëvjeçar?
Unë konstatoj fatmirësisht, që lindja në këtë grupmoshë ka rënë. E konsideroj gjithsesi një arritje të politikave shëndetësore, të politikave të planifikimit familjar, të ndërgjegjësimit të adoleshentëve. Rastet që ne kostatojmë të lindjeve në moshë minore janë nga shtresa me formim të pamjaftueshëm të popullatës, që kanë edhe martesa në moshë të vogël. Por ka njëfarë rritjeje të lehtë përsa i përket aborteve. nuk është shumë domethënëse, është një rritje me 1-2%. Krahasimisht me 10 vjet para, sensibilizimi i popullatës për përdorimin e kontracepsionit është rritur. Kemi patur më shumë shtatzëni të padëshiruara në mosha të reja. Pastaj, ka ndryshuar edhe mentaliteti. Vajzat sot duan të mbarojnë shkollën, të zënë një punë të mirë, të kenë zgjidhur edhe problemin e shtëpisë, pa pastaj të martohen e pastaj të bëjnë edhe me fëmijë.
-Doktoreshë Rubena, ndesheni ju me raste barrash të keqtrajtuara?
Të keqtrajtuara pak, por të patrajtuara ka shumë. Për keqtrajmin fizik, në vitin që shkoi na ka ardhur një shkresë nga Ministria dhe tani ne i denoncojmë rastet e dhunës, jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Ne dërgojmë një shkresë shoqëruese në Ministri për rastet kur dyshojmë që është ushtruar dhunë ndaj pacientes. Shpeshherë, gratë nuk e pranojnë, sepse mund të jetë bashkëshorti që e shoqëron deri këtu. Por ndërkohë ka raste kur dhuna ka shenja të dukshme dhe ne jemi të detyruar ti deklarojmë. Është ngritur në këtë institucion një komision i ashtuquajtur “Komiteti kundër dhunës ndaj grave shtatzëna”, që e drejton një mjeke. Nuk mund të them që këto raste janë shumë të shpeshta, por të paktën 3-4 raste në vit ne i kemi denoncuar. Por e theksoj se shpesh gratë e mohojnë në mënyrë kategorike dhunën, thonë u rrëzova nga shkallët, nuk më ka goditur njeri.
-Po raste vetëdëmtimesh tek gratë shtatzëna a keni ndeshur?
Jo, nga këto raste nuk kemi. Gratë nuk e bëjnë këtë, sidomos në periudhën e fundit. Por edhe në periudhën e parë të shtatzënisë nuk ka më raste të vetëdëmtimit, sepse sot në fund të fundit, kushdo është e lirë të marrë një vendim për të ndërprerë shtatzëninë, dhe ka mënyra nga më të ndryshmet dhe nga më komodet, nuk është nevoja të keqtrajtojë veten njeri.
-Të ndalemi tek ato pasoja, që ka një shtatzëni e pandjekur me kujdes. Cilat janë gabimet më të para, që bën një grua që dëshiron të ruajë frutin e saj?
Këtu apelin e parë e kam për kolegët e mi. Nëna ka shkuar, është paraqitur tek një mjek gjinekolog që mund të jetë konsultorja e lagjjes, por mund të jetë edhe një klinikë private. Apeli im është për klinikat private. Pjesa më e madhe nuk kanë nivelin e duhur për të trajtuar një grua shtatzënë. Shpeshherë ne shohim raste të neglizhuara të llojit që bebi nuk është i rritur mirë, nëna ka bërë anemi gjatë shtatzënisë, nëna ka bërë tension të lartë dhe nuk i është kapur dhe bebi mund ti ketë vdekur në bark…Këto janë raste keqtrajtimi profesional…
-Këta mjekë gjinekologë, që punojnë në klinikat private, nuk janë njësoj si ju që punoni në sektorin shtetëror të Shëndetësisë?
Natyrisht që kur kanë marrë licencën në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë paraqitur patjetër një letër, që tregon se janë të specializuar në Obstetri-Gjinekologji. Por kjo nuk do të thotë, se kanë të gjitha kualifikimet e duhura, sepse pasi mbarojnë specializimin, ndërpresin kualifikimet. Por kualifikimi i mjekut nuk ndërpritet asnjëherë. Mjekët që punojnë nëpër spitale kanë mundësira shumë më të mëdha për tu kualifikuar më tej me të rejat që dalin çdo ditë në fushën tonë, duke ndjekur konferenca, kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Flasim për klinikat që bëjnë ekzaminimet, sepse ato nuk bëjnë lindje, Ato i kanë aparaturat e duhura por nuk është çështje aparaturash, por është çështje njerëzore. Nuk dua ti përgjithësoj , por një pjesë unë i konsideroj inkopetentë (të paaftë).
-Atëherë ju do tu rekomandonit grave më të mirën, të marrin shërbimin në Shërbimin Parësorr, pra, në konsultore apo në klinikë private?
Për mua më mirë të drejtohen në Shërbimin Parësor ose të zgjedhin mirë kinikën private, të zgjedhin më cilësoren, sepse në fund të fundit mbajnë përgjegjësi për shëndetin dhe jetën e bebeve të tyre, marrin më qafë veten më së pari.
-Çfarë do të rreshtonit ndër gabimet që vijnë nga vetë nëna, nga mënyra se si e ndërton aktivitetin e ditës, se si ushqehet, si punon, çfarë barnash të tjera merr e pakonsultuar për një kollë, një problem veshin etj…?
Këto janë raste që ndodhin aksidentalisht, sepse nuk ka nënë që do ti bëjë dëm bebit të saj. Këto probleme ndodhin më tepër nga padija. Ka medikamente që mund ti përdorin gjatë shtatzënisë, ka që janë tërësisht të kundërindikuar, Por këtë do ta caktojë patjetër mjeku gjinekolog dhe duhet detyrimisht konsultimi me të, qoftë edhe gojor. Medikamentet e përdorura gjatë shtatzënisë, sidomos në trimujorin e parë, kanë rezultuar me efekte shumë të këqija mbi bebin dhe mund të japin anomali të lindura. Është shumë i kufizuar numri i medikamenteve që mund të përdoret në këtë periudhë shtatzënie. Pra, apeli im është: Asnjëlloj medikamenti gjatë shtatzënisë, pa u konsultuar me gjinekologun. Përsa i përket aktivitetit fizik, ato janë të detyrueshme, sepse një grua shtatzënë diku do punojë, nuk i bën dëm nëse bëhet fjalë për një shtatzëni normale. Rastet kur puna mund ti dëmtojë janë sporadike. Ajo do të ketë të njëtin aktivitet duke eliminuar në fund të shtatzënisë ngritjen e peshave të rënda, sepse mund të japë një presion negativ, apo zgjatjeve të tepruara të trupit, përshembull duke larë xhamat.Një gruaje gjatë shtatzënisë nuk i këshillohet të bëjë palestër, vrap. Aktiviteti fizik i shtuar është i pakëshillueshëm, ndërsa një punë dhe ecje normale është e padëmshme.
-Sa mund të ecë në ditë një grua shtatzënë?
Nuk ka limit, dikush mund të ecë pesë orë, dikush e ndjen se më shumë se një orë nuk e përballon dot. Varet nga specifika e organizmit të çdo gruaje.
Foshnjat me anomali, edhe prej moshës së madhe të burrave
Burrat gjykojnë fajtore gratë mbi 35, shpesh janë vetë përgjegjës për moshën e tyre më të madhe
-Deri në cilën moshë të nënës keni patur raste lindshmërie në maternitetin tuaj?
Është rritur mosha e shtatzënisë së parë. Nëse më parë ne kemi patur shumë 16, 17, 18- vjeçare, sot pjesën më të madhe i kemi 25 e sipër, sidomos 25-35 është mosha më e shpeshtë e grave që lindin këtu. Mosha më e madhe që ne kemi asistuar jo rrallë është 45 vjeçe, por kemi edhe 46, apo 48 vjeçare. Këtu tek ne kjo ka qenë mosha më e madhe.
-Kur nisin problemet e shtatzënisë për shkak të moshës së nënës?
Shtatzënitë e moshës pas 40 vjeç shpesh shoqërohen me probleme të nënës, si përshembull, mund të shfaqet diabeti, hipertensioni që fillon vetëm gjatë shtatzanisë, ka mundësi shumë më të larta për të lindur bebe me anomali, që do të thotë se nënat duhet të bëjnë disa ekzaminime plus gjatë shtatzënisë për tu siguruar që fëmija nuk do të ketë probleme. Madje, ne e rekomandojmë kryerjen e këtyre ekzaminimeve për të gjitha gratë pas moshës 35 vjeç, edhe pse risku më i madh është 40 vjeç e sipër. Flas për shtatzëninë e parë. Por edhe kur nuk është shtatzënia e parë, risku për anomali është shumë i madh, prandaj duhen bërë disa ekzaminime mjaft të kujdesshme.
-Po mosha e burrave, a ka të bëjë në shëndetin e bebit që po formohet?
Mosha e burrave ka të bëjë në fakt më pak se mosha e grave, por sido që të jetë, ndikim ka. Në testin e kontrollit gjatë shtatzënisë pyetet si për moshën e nënës ashtu edhe për moshën e babait. Nëse nëna është 45 vjeçe, ka shumë mundësi që të babai jetë 60 vjeç dhe probabiliteti i këtij bebi për të qenë me anomali është akoma më i madh.
-Pra, paska edhe faktori moshë mashkullore peshën e vet…
Natyrisht, edhe meshkujt nuk janë të paprekshëm, me kalimin e moshës edhe ata pësojnë dëmtime.
-Një pjesë e meshkujve, si pjesë e opinionit popullor e shikojnë me dyshim moshën e femrës kur ka kapërcyer të 35-at. Është një frikë që ka bazë reale, se gruaja mbi këtë moshë është e rrezikuar të mos bëjë fëmijë?
Unë do tu thosha këtyre meshkujve, të shikojnë veten, se mbase nuk bëjnë dot vetë fëmijë. Edhe ata preken nga faktori moshë, qoftë në drejtim të potencës, qoftë në drejtim të lindshëmrisë. Kjo është e sigurt dhe e padyshimtë. Por nëse ata e shohin me dyshim një femër 36 apo 39 vjeçe, është fatkeqësi për ata vetë. E konsideroj totalisht gabim. Unë nuk marr pësipër të shqyrtoj mentalitetet e njerëzve, por mendoj se kjo është edhe një çështje e kulturave të popujve të ndryshëm. Nuk ma do mendja, që një gjerman të trembet të martohet me një femër që është mbi 35 vjeçe, 36 apo 40 vjeçe. Ky problem nuk duhet të qëndrojë.
-Së fundi, ndonjë recetë të dobishme për nënat shtatzëna?
Nuk marr përsipër të bëj receta, sepse çdo subjekt ka veçoritë e tij dhe tolerancën ndaj ushqimeve secili e ka të ndryshme. Por unë do tu këshilloja të gjitha grave shtatzëna, të kenë kujdes me ushqyerjen të mos nisen nga fjala e vjetër, “të ha sa për dy”. Ushqimi duhet marrë në sasinë e duhur dhe në cilësinëe e duhur. Madje më e rëndësishme është cilësia, të merren proteinat e duhura, të merren mineralet e duhura, kalciumi etj, frutat që kanë gjithë vitaminat. Sasia e madhe e ushqimit sjell rritje të madhe në peshë dhe rritja e madhe në peshë sjell probleme si për nënën, edhe për bebin.
- Gratë mund të vijnë për lindjen e parë, por mund ta kenë të dytën, të tretën…Një lindje mund të jetë shumë e dëshiruar, një tjetër më pak apo aspak. Ndikon entuziazmi i nënës dhe babait për këtë fëmijë, harmonia në çift, apo problemet familjare në shëndetin e barrës?
Natyrisht që ndikon. Ne themi që bebi që në barkun e nënës dëgjon, ndjen, është qenie njerëzore. Çdo problem që e ndjen nëna, e ndjen edhe bebi. Nëse nëna qesh, edhe bebi qesh. Nëse nëna qan, edhe bebi qan. Dhe nëse bebi qan 9 muajt e shtatzënisë, (në rastet kur nëna është vazhdimisht e lënduar, kur ka grindje në çift, etj) bebi i përjeton siç i përjeton nëna. Këto efekte emocionale bebit mund ti shkaktojnë defekte në tru, në rritjen në peshë, del më i vockël në peshë, mund të shkaktojë lindje të parakohshme dhe padyshim që pas lindjes mund të ketë një traumë psikologjike që duhet trajtuar më tej, se mund të shkojë deri në probleme psiqike.
-Atëherë nënën duhet ta çojmë në cirk, në spektakël dhe në estradë…
(Qesh). Nëse nëna është e lumtur, nuk ka nevojë të shkojë as në cirk, as në estradë. Boll të jetë e lumtur në ambientin ku jeton. Populli e ka thënë me kohë; gratë shtatzëna mbahen me të mirë, u flitet vetëm duke qeshur, etj, pa i ditur këto hollësira që unë ju thashë. Në traditën e popullit tonë gratë shtatzëna nuk i çojnë nëpër fatkeqësi. Sepse trishtimi i sjell probleme barrës. Fëmija është shumë i brishtë dhe jo vetëm kaq, por ai është totalisht i varur nga emocionet e nënës. I rrituri mund të krijojë shkëputje, të ketë emocione të tjera, ndërsa fëmija në bark është totalisht i varur nga emocionet e nënës, Ai nuk mund të mbrohet dot. Dhe nëna është e ndikuar nga komuniteti ku jeton. Prandaj këshilla jonë është që gjithë njerëzit që jetojnë pranë një gruaje shtatzënë, mund të japin ndihmesë në shëndetin e foshnjes që po krijohet.
Intervistoi Denisa KONA
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010