E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubena Mojsiu: Bebet e lindura kanë bashkuar në martesë shumë çifte

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Një grua shtatzënë është një univers i ri. Një mori problemesh të reja shfaqen në ditët e saj. Shpesh një barrë është e mirëpritur, jo rrallë është e padëshiruar. Situata nga më të ndryshmet paraqiten në maternitetin “Koço Gliozheni”. Barra brenda martesës, barra paramartesore, lotë gëzimi, lotë dhimbjeje, martesa të pashpresuara, që vijnë si frut i një fëmije të bërë fakt, lindje “të gabuara” me shpresën e faljes apo martesës që nuk erdhi, barra të dhunuara nga baballarë që nuk i njohin, nëna të pakonsultuara që dëgjojnë vjehrrat tu thonë “nuk është sëmundje”, diagnostikime barrash të vonuara e të pasakta me risk për lindjen, fëmijë të pafat, të braktisur në maternitet, embrione të pafat që nuk u bënë dot kurrë fëmijë të lindur, fëmijë që kanë fatin të shohin babanë në momentin që lindin, që qeshin në bark për 9 muaj, fetuse që qajnë për 9 muaj në barkun e nënës sepse ndjejnë hidhërimin që njerëzit nuk i pranojnë; minorene të shoqëruara nga shoqet e shkollës, që vijnë të heqin barrën, formularë të mbushur formalisht, barra të keqtrajtuara profesionalisht nëpër klinikat private, foshnja të humbura nga pakujdesia e mjekëve privatë apo e nënave, komplikacione si dhe foshnja me anomali, që vijnë jo vetëm prej moshës së rritur të nënës, por edhe moshës së babait…Të gjitha këto i shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”. Një prej tyre, drejtoresha e këtij institucioni, tregon në një intervistë të gjatë për gazetën “Ballkan” problematikën shëndetësore dhe sociale që sjell me vete shtatzania, pasuruar me këshilla të vlefshme për nënat e reja dhe të afërmit e tyre si dhe me statistika krahasuese të fenomeneve në kohë.

-Doktoreshë Rubena, për ato që do të jenë nëna të reja, është rritur sensibiliteti që kjo periudhë e jetës duhet të jetë vazhdimisht e kontrolluar, e konsultuar me mjekun?
Është një moment shumë i rëndësishëm për jetën, përfshirë gjithë familjen. Unë do të kërkoja një sensibilizim të tillë, që në momentin që dyshohet për një shtatzëni, çifti duhet të paraqitet tek mjeku.
Duhet të dyshohet që një javë ose dy javë pas vonesës së menstruacioneve. Çdo femër e cila ka pasur cikël menstrual të rregullt dhe marrëdhënie seksuale të pambrojtura, duhet ta mendojë që probabiliteti është të ketë mbetur shtatzënë. Kjo duhet të jetë gjëja e parë që ti shkojë në mendje. Më tej, pasi të përjashtohet shtatzënia, kryhen ekzaminime të tjera. Por ne rekomandojmë që një apo dy javë pas mungesës së menstruacioneve, vajzat apo gratë të paraqiten tek gjinekologu më i afërt për të aprovuar apo përjashtuar një shtatzëni. Sa më herët të bëhet ekzaminimi i parë, aq më mirë do të shkojë kjo shtatzëni, aq më shumë gjëra mund të parashikohen në muajt në vazhdim. Takimet e tjera të radhës lihen në varësi të takimit të parë.
-Çfarë mund të parashikojë ekzaminimi sa më i hershëm i shtatzënisë?
Sa më herët, aq më mirë përcaktohet koha e lindjes. Ne bëjmë një parashikim kohor të lindjes
-Deri në çfarë përafrie mund të parashikohet dita e lindjes nga mjeku? Deri në sa ditë para apo prapa është gabimi?
Është një llogaritje që e bënin më parë gjinekologët me mendje, por sot bëhet ekografikisht dhe nuk është nevoja fare ta llogaritësh me mend. Dita del shumë e saktë, nëse ekzaminimi i parë është sa më i hershëm, që do të thotë- në javën e pestë ose të gjashtë të shtatzënisë.
-Pse ekzaminimi i parë është më i sakti për të caktuar moshën e barrës dhe ditën e lindjes?
Sepse në ekzaminimet e tjera njihen gabimet që mund të bëjë ekografia në matje, gabime që japin një ndryshim + (-) 2 javë dhe ky dyjavësh do të thotë që nuk e parashikon dot saktë kohën se kur duhet të lindë gruaja. Dy javë nuk është pak. Se në rast të një vonese në lindje, nëse gruaja duhet të lindte sot dhe lindja zgjat edhe dy javë të tjera, kjo është një periudhë shumë e dëmshme, që shkon deri në vdekje të bebit në mitrën e nënës. Ose në rastet e lindjeve të tjera kur nuk mund të përcaktohet nëse lindja ndodhi para kohe apo ndodhi në kohën e duhur, në muajin e nëntë.
Prandaj, ekzaminimi i parë është shumë i rëndësishëm. Dikur, kur unë fillova punë, nuk kishte ekografi, ne i bënim llogaritë nisur nga data e menstruacionit të fundit -3 muaj +10 ditë. Përshembull, nëse ka qenë 1 dhjetor data e menstruacionit të fundit, i binte që pacientja të lindte deri në 10 shtator. Kjo ka qenë llogaria që ne bënim, 40 javë periudhë barre. Por sot nuk është më nevoja të bëhen këto lloje llogarish, sepse ta jep aparati shumë të saktë, në kohën që fut të dhënat e pacientes, madhësinë e embrionit apo të sakusit (sakusi është dhomëza që krijohet që në fillim të shtatzanisë dhe që më vonë aty krijohet placenta).
-Doktoreshë Rubena, në popullsinë e zonave rurale të vendit, a është i njëjti sensibilizim për të nisur herët verifikimin dhe kujdesin mjekësor të një shtatzënie?
Nuk mund ta them me siguri, por kam frikë se jo. Për qytetet, sido që të jetë ka një sensibilitet më të rritur. Njerëzit janë më të informuar me problemet më kryesore që ka një shtatzani, kanë më shumë akses, që do të thotë kanë më afër poliklinika lagjesh apo maternitete. Nëse një grua është shtatzënë në një fshat të largët, (dhe në çdo fshat mbesin gratë shtatzënë), nuk e besoj që brenda 2-3 javëve të para të mungesës së menstruacionit, të drejtohen tek një mjek gjinekolog. Sidomos nëse janë fshatra të thellë, edhe mundësia e komunikacinut është më e vësbtirëe.
Por megjithatë, i gjithë stafi këtu vë re që ka një fluks të shtuar të vizitave të grave shtatzëna. Normalisht nuk është mirë të vijnë menjëherë këtu, mirë është të shkojnë në Shërbimin Parësor, por mbase sa të krijohet besimi tek Shërbimi Parësor si dhe njëfarë detyrimi (sepse ne i detyrojmë të shkojnë tek atje, të marrin një letër rekomandimi. Ne shikojmë një fluks të shtuar grash që nuk janë vetëm brenda Tiranës, por janë edhe në perifëritë e saj. Këtë e konsiderojmë pozitive.
-Ndikon këtu fakti, nëse një grua e re shtatzënë jeton me vjehrrë apo pa vjehrrë në shtëpi, për ta respektuar këtë periudhë të jetës?
Unë shpresoj që faktori “vjehrrë” të mos jetë negativ, sepse ka raste kur vjehrrat e kalojnë lehtë këtë ngjarje me mendimin: “Unë kam bërë 11 fëmijë dhe ja ku jam. Nuk ka nevojë të shkosh tek mjeku që muajin e parë, barrë është, nuk është sëmundje.” Ka akoma raste të kësaj natyre, ndërsa brezi i ri është shumë më i njohur me kulturën shëndetësore dhe më i kujdesshëm.
-Shumica e burrave i shoqërojnë gratë apo ato vijnë më shumë vetë?
Shumica i shoqërojnë deri tek dera e jashtme. Por normalisht kur kryhet një ekzaminim ekografi, nuk ka pse të mos jetë prezent babai. Se natyrisht, gratë nuk e kanë nisur vetëm këtë shtatzëni, e kanë nisur me një partner, i cili duhet të jetë i interesuar për pasardhësin e tij njësoj si nëna. Madje, ata që duan, mund të jenë prezentë edhe gjatë lindjes.
-Është e realizueshme kjo nga materniteti?
Është e realizueshme, por shumë- pak janë ata burra që e kërkojnë, edhe pse ne tashmë i kemi kushtet; një paciente është vetëm në dhomën e saj me personelin mjekësor, zakonisht mamia që rri më gjatë. Pacientja aty kalon dhimbjet e lindjes dhe në të njëjtën dhomë lind. Aty është shtrati aty është tavolina për bebin, gjithçka. Nuk ka asgjë që e ndalon një baba të ardhshëm të jetë prezent gjatë lindjes së fëmijës së vet.
-Barrat jashtëmartesore apo paramartesore, a vijnë të paraqiten në kohë apo gratë dhe vajzat kërkojnë ta vonojnë sa më shumë në pritje të menstruacioneve?
Moshat e reja janë shumë më lart në kulturën shëndetësore se pjesa tjetër e popullatës dhe interesohen shumë më shpejt. Sidomos kur kanë një shtatzëni të padëshiruar siç thatë ju, një shtatzëni jashtëmartesore, ato paraqiten akoma më shpejt tek gjinekologu, pasi janë të interesuara të dinë diagnozën dhe të kenë mundësi të marrin një vendim. Fatmirësisht, ato nuk vijnë me vonesë, përndryshe po të jetë shumë vonë, nuk do të lejohej as ndërprerja.
-Barrat para dhe jashtëmartesore a janë shumë të rralla në maternitetin tuaj?
Nuk janë të rralla, por qartësisht, ne nuk mund ti dallojmë në ekzaminimin ekografik. Ajo që ne dallojmë, është kur vjen momenti i lindjes. Në atë moment ne mund ta marrim vesh, nëse pacientja vetë deklaron se nuk është e martuar dhe këtë fëmijë ia lë shtetit. Ndërsa në ekzaminimin e barrave nuk jemi shumë të qartë, sepse nuk është e detyrueshme që ajo të pohojë. Ne kemi vërtet një rubrikë, që nëna duhet ta plotësojë, por ajo nuk është e detyruar të përgjigjet ose të gënjejë, sepse në fund te fundit, ne nuk kërkojmë certifikatë martese. Kjo është brenda privatësisë së pacientes. Nga ato që ndërpresin shtazaninë, nuk dimë se sa janë jashtëmartesore, sa janë brenda martesës.
-Nga rastet kur nëna i lë fëmijën në dorëzim shtetit, sa % e lindjeve janë? Dhe nga cilat shtresa të shoqërisë vijnë?
Shtresa e këtyre grave është mesatare e poshtë, sepse me një nivel të caktuar kulture, një grua nuk ka pse të presë muajin e nëntë. Gjithashtu, bëhet fjalë për paciente që vijnë nga zona të thella rurale, të cilat lindin këtu ngaqë nuk kanë pasur mundësi ta ndërpresin shtatzëninë për vetë rrethanat dhe gjendjen e tyre.
-Vijnë të vetme apo të shoqëruara nga partneri?
Nuk vijnë të shoqëruara nga partneri për të bërë këtë ndërhyrje, shpeshherë vijnë të vetme, maksimumi me ndonjë shoqe ose fqinjë dhe rrallë ndodh që e shoqëron nëna. Shumë rrallë. I dashuri nuk vjen asnjëherë në këto raste. Po të vinte, ndoshta edhe ngjarjet do të kishin një rrjedhë tjetër dhe do të ishte shumë bukur për të qenë e vërtetë.
-A ka raste, që gjatë periudhës së barrës kanë ndodhur kthesa në vendimmarrje nga nëna, e cila ka menduar ta heqë fëmijën, por më pas ka ndërruar mendje?
Rastet kur ka ndodhur ky ndryshim para se të vijë lindja, kanë qenë raste pozitive, sepse ky fëmijë përfundon me familje. Ndërsa në rastet më të shumta i lënë fëmijët këtu dhe ne i drejtojmë për në shtëpinë e foshnjes.
Disa lindje të tjera kanë ndodhur, ngaqë në fillim të shtatzënisë një vajzë apo grua ka pasur njëfarë shprese që të bashkohej me babanë e fëmijës apo të mos haste pengesa në familjen e saj. Kjo mund të ketë qenë arsyeja që nuk e ka ndërprerë në kohë shtatzëninë dhe më vonë kur gjërat janë bërë fakt i kryer, edhe për të ka qenë shumë vonë për të abortuar. Kështu që e ka lindur fëmijën.
-Një shtatzëni e paplanifikuar, e padëshiruar, juve nuk ju rezulton të sjellë bashkimin e dy të rinjve?
Jo, përkundrazi. Një shtatzëni e nisur para martesës, shpeshherë bëhet shkak për tu bashkuar mbase edhe për të shpejtuar ca gjëra. Rastet kur nuk arrijnë të bashkohen janë më të rralla, sesa rastet kur arrijnë të bashkohen prej një shtatzënie. Nëse kemi 10-12 fëmijë të braktisur në një vit, ne kemi shumë më tepër vajza të mbetura shtatzënë para martese, që më pas janë martuar, janë shumëfish më tepër.
-Mosha minorene, sa % të shtatzënive që paraqiten tek ju përfaqëson?
Varet, sepse për ndërprerjet ka përqindje të ndryshme; Ka tjetër përqindje për ndërprerjet vullnetare të shtatzënisë dhe tjetër përqindje për lindjet. Nëse për ndërprerjet kjo grupmoshë minorene, që e konsiderojmë nën 18 vjeç, zë 7-8% të ndërprerjeve, për lindjet kjo përqindje është akoma më e vogël: Mund të jenë shumë pak, ndoshta 10 raste gjithë vitin, ndërkohë që këtu bëhen 4100 lindje në vit.

Ky lajm është publikuar: 14/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›