E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, vendi i parë që thyen urdhrat e Kongresit XXII

Autori i Lajmit: Androkli DraloMoskë, 5 nëntor 1961 - Largimi i trupit të Stalinit nga mauzoleu i Sheshit të Kuq nuk bën gjë tjetër veçse i hedh benzinë konfliktit me komunistët kinezë, të cilët në mënyrë demonstrative e quajnë udhëheqësin sovjetik babanë e marksizmit. Prandaj, Rusia, industritë, forcat e armatosura dhe perandorinë e së cilës i ka ndërtuar Stalini, e refuzon atë, ndërsa Kina, ku Stalini preferonte Çan Kai Shinë më shumë se Mao Ce Dunin (sepse ai nuk donte një kundërshtar të fortë) e lavdëron atë. Vendimi i Hrushovit për të larguar trupin e Stalinit nga varri prej graniti të errët përkrah trupit të Leninit zgjidh gjithashtu një gjëegjëzë që ka torturuar këto vitet e fundit studiuesit e komunizmit: Sa shenjtë komunistë mund të qëndrojnë në majë të piramidës komuniste? Përgjigjja është: “Një i vdekur, që është Lenini, dhe tjetri i gjallë, që është kryetari Nikita. Edhe përpara zhvarrosjes së Stalinit, posterat e Leninit dhe Hrushovit dhe të Marksit, Leninit dhe Hrushovit ishin vendosur në masë në Bashkimin Sovjetik dhe në një shfaqje të kultit të ri të personalitetit, të cilin zoti Hrushov e kishte dënuar. Një legjendë po krijohej se jo Stalini, por Hrushovi e kishte fituar betejën e Stalingradit. Një gjeneral i rëndësishëm sovjetik ka shkruar një libër, i cili kërkon të provojë këtë pretendim.

Një qëllim shumë personal

Për më tepër, nuk ka asnjë dyshim se Hrushovi dhe Mikojani, po ashtu edhe të tjerët, e urrejnë tmerrësisht Stalinin, sepse ky i fundit kishte planifikuar për ti ekzekutuar. Mikojani më tha në vitin 1956 se Stalini e kishte çuar shumë afër vetëvrasjes. Tani, që sapo ka mbyllur punimet Kongresi XXII i Partisë në Moskë, në fund ai përjashtoi Molotovin, Kaganoviçin dhe Malenkovin si stalinistë dhe zhvarrosi eshtrat e Stalinit, ndërsa çdokush në Rusi apo satelitët e Bashkimit Sovjetik që do të mbrojnë stalinizmin do të quhen tradhtarë. Mallkimi i parë tashmë ka ardhur për stalinistët shqiptarë. Në përgjigjen e tyre, këta të fundit thanë se ishte një fatkeqësi që Stalini nuk jetoi edhe pak kohë sa ti kishte zhdukur dhe udhëheqësit aktualë sovjetikë. Ndarja mes Rusisë Sovjetike dhe Kinës komuniste për Shqipërinë sot është tregues i një çarjeje më të gjerë, por ajo nisi që prej Kongresit XX të Partisë Komuniste Sovjetike, kur Sekretari i Parë i PKBS-së Hrushov, shprehu hapur sulmin e tij të pamëshirshëm mbi stalinizmin. Por Stalini nuk ndodhet brenda. Fantazma e tij do të ulet në çdo banket të Kremlinit. Kujtimi i tij do të ngihet për të përndjekur Hrushovin dhe shokët e tij për sa kohë të jenë gjallë. Në fund të fundit, Hrushovi me shokë ishin në dijeni të krimeve të Stalinit që në mars 1953, ashtu siç janë edhe sot. Pse në fillim e vendosën në mauzoleun e Leninit? A e dinin ata se afërsia me themeluesin e shtetit sovjetik do tia shlyente mëkatet e tij dhe bashkëpunëtorëve të vet? Me sa duket, ata kanë vendosur se eksperimenti i purifikimit nuk ka funksionuar.

Besimi i shkatërruar

Ky veprim kundër trupit të një njeriu të vdekur provon se Stalini është një problem shumë i gjallë. Pothuajse gjysma e popullsisë adulte aktuale e Bashkimit Sovjetik është lindur dhe maturuar gjatë çerekshekullit të diktaturës së Stalinit, dhe ata e hyjnizonin si burim të të mirave dhe babane e çdo suksesi. Që kur ai u nda nga jeta në mars 1953, miliona rusë kanë zënë radhë në heshtje solemne në dhomën e nëndheshme ku trupi i tij është vendosur, në varrin përkrah atij të Leninit, i mbyllur hermetikisht dhe me sarkofag prej xhami. Tani këta njerëz duhet të ndihen si të mashtruar. Ajo çka kërcënohet, është besimi i dobësuar për komunizmin. Besimi për këtë sistem u minua seriozisht nga gjyqet e Moskës të viteve 1930 dhe ekzekutimeve të Stalinit për shumicën e burrave që ishin në drejtim të Revolucionit Bolshevik në vitin 1917. Ata kishin ndihmuar të realizonin planin e parë 5-vjeçar dhe disa si marshalli Tukaçevski ishin heronjtë ushtarakë për breza të shumtë të rinisë sovjetike. Për të gjitha këto, Stalini i ofroi atij veten e vet si një objekt për tu zëvendësuar me një objekt adhurimi dhe diçka të tillë e arriti pjesërisht. Verën e shkuar një student i vitit të fundit nga Universiteti i Moskës më mori në ndërtesën e departamentit të shkencave humane dhe kur pashë një pikturë të madhe të Stalinit pyeta: “Përse është ende këtu? Ai është një vrasës i të pafajshmëve”. Ndërsa përgjigjja ishte: “Stalini e fuqizoi vendin tonë dhe e industrializoi atë, duke na mundësuar mposhtjen e hitlerianëve. Miliona e miliona njerëz e kanë dashur atë. Xhaxhai im drejtoi një nga sulmet kundër gjermanëve në Stalingrad duke thirrur: “Jetë të gjatë Stalinit!” dhe menjëherë më pas u vra”. Më 1956, unë pata një tjetër diskutim të gjatë me një student, i cili thoshte në mënyrë të përsëritur: “Unë e dua Stalinin”. Kur ia thashë këtë Mikojanit, ai mu përgjigj: “Ka shumë të tillë”. Heqja e Stalinit nga mauzoleu ka për tu ardhur si një goditje atyre. Ata e braktisën teorinë e adhurimit të një kulti dhe nuk do të ishin gati ti përkuleshin kultit të Nikitës, për të cilin ata mendojnë se një ditë do të rrëzohet për shkak të gabimeve. Gjatë qëndrimit tim njëmujor në Moskë verën e shkuar, vura re shenja të qytetarëve sovjetikë për të shmangur drejtuesit e tyre politikë, për të jetuar një jetë veçmas dhe për të kërkuar të vërtetën e për ta kumtuar atë ashtu brenda mureve të shtëpisë së tyre. Kjo tendencë do të shtohet akoma më tej pas zhvendosjes së trupit të Stalinit nga panteoni suprem.

Një me Trockin

Kongresi XXII i PKBS-së miratoi shfaqjen e utopisë së Hrushovit deri në vitin 1980. Ky program përmbledh arritjet e sovjetikëve, por nuk e përmend në asnjë radhë Stalinin, i cili ishte përgjegjës për shumicën e tyre dhe ia atribuoi të gjitha ato Leninit, i cili vdiq përpara se burrat që do të bënin këto vepra të lindnin. Stalini tani do të fshihet nga historia sovjetike, përjashtuar rastet kur do përdoret si kokë turku. Zhdukja e tij nga kronikat e historisë së kuqe përbën një ironi dhe për rolin që iu besua Leon Trockit në Revolucionin Bolshevik në të njëjtin varr. Por futja e duarve të pista në historinë sovjetike të së shkuarës është një politikë e mprehtë. Duke fajësuar Stalinin personalisht, ngre pyetjen se përse partia nuk e ndali atë. Pranimi se partia ka gabuar gjatë 25 viteve të sundimit të administratës vrasëse të Stalinit lë të kuptohet se sot ajo nuk e ka seriozisht.

Partia humbet fytyrën

Partia nuk ishte e pagabueshme; ajo ishte një shërbëtore e plogët dhe e bindur e njeriut, trupi i të cilit, është hedhur në hirin e historisë. Për 25 vjet Stalini punoi dhe foli në emër të partisë në bashkëpunim me Hrushovin. Mikojani dhe të tjerët i shpëtuan tërbimit të tij maniak thjesht prej fatit. A mundet që kjo parti që sundon Rusinë dhe dominon plotësisht qeverinë e saj të respektohet sërish apo mbështetet përveç servilëve dhe oportunistëve? Duhet të ketë qenë pikërisht për këto arsye që Molotovi, Voroshillovi dhe Kaganoviçi e kundërshtuan shfaqjen e krimeve të Stalinit dhe çmendurive të tij, të cilat Hrushovi nisi ti shpaloste në fjalimet e tij sekrete në shkurt 1956 dhe që tani sa vijnë dhe shtohen. Ndërsa ne përpëlitemi në agoni në krizën që Hrushovi ka krijuar për botën, ai vetë është mbërthyer në krizën e brendshme politike, kohëzgjatja dhe intensiteti i së cilës mund të rivalizojë dhe atë të krizës në bujqësi që ka prekur vendin, satelitët e saj dhe kundërshtaren Kinë. Hrushovi e bëri këtë, sepse në moshën 67-vjeçare, ai është i “dehur” nga fuqia dhe, me sa duket, ka për qëllim të përdorë këto vite që i kanë mbetur në pushtet për të refuzuar vullnetin e Perëndimit, Kinës, satelitëve dhe kundërshtarëve të tij brenda Rusisë, ashtu si Stalini, i cili e refuzoi këtë vullnet dhe Hrushovi po hakmerret.

Ky lajm është publikuar: 14/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›