“Manon Lescaut” Nikolin Gurakuqi, sot në një shpërthim pasionesh
Autori i Lajmit: Redaksia
Opera “Manon Lescaut” me muzikë të Xhakomo Puçinit vjen sot si premierë në skenën operistike. Vepra është vënë për herë të parë në skenë në vitin 1893. Irini Nikolla, Shpresa Beka, Eva Golemi, Erlin Zeraliu etj, do të interpretojnë në këtë shfaqje me katër akte. Një histori interesante, një dashuri, e cila do të kthehet në tragjedi, një vepër, që është cilësuar si triumf i kompozitorit të njohur italian Puçini. Dirigjenti i orkestrës do të jetë italiani Gianluca Martinenghi, ndërsa skenografia i është besuar Genc Shkodranit. Kjo opera është vënë me sukses në shumë vende të tjera të botës, ndërsa do të vijë në skenën e TKOB premierë për spektatorin shqiptar në 14 shkurt.
Regjisori Nikolin Gurakuqi i ka filluar përgatitjet qysh sezonin e kaluar për t`i vijuar ato në datën 7 janar e në vijim. Është një opera me katër akte, e cila sjell një histori interesante në fillim të sezonit të ri të vitit 2010. Por sigurisht që kjo nuk është e vetmja vepër e Puçinit që është ngjitur në skenën e TKOB. Kështu, një tjetër pjesë po kaq e rëndësishme është edhe ajo e titulluar “Triptiku”, (“Il Trittico”), që ka ardhur për publikun shqiptar në vitin 2008, në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Puçinit, i konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e fundit të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të. Ishte një pjesë e Puçinit, e cila erdhi me tre vepra operistike brenda një nate, konkretisht “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schiçhi”, të cilat ishin pjesët që u ngjiten në skenën shqiptare me rastin e 150- vjetorit të kompozitorit italian. Por si do të vijë kjo vepër e Puçinit për publikun shqiptar? E kush mund të japë një përgjigjie më të saktë se sa vetë regjisori Nikolin Gurakuqi…
“Manon Lescaut” vjen sot në skenë premierë në ditën e të dashuruarve, në datën 14 shkurt, ndërkohë që është cilësuar si një nga veprat që përçon mesazhe të fuqishme dashurie?
Kjo ishte ideja e drejtorit të TKOB, i cili mendoi që këtë dramë dashurie ta paraqesë në datë 14 shkurt në skenë. Kjo është një vepër me një fund tragjik me vdekjen e Manonit, por gjithsesi është një histori dashurie që përkon me datën 14 shkurt. Kjo është një vepër që ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në atë kohë kur ajo u shkrua në roman, dhe që nga ajo moment, ajo nuk ka reshtur së pari skenat, ku ajo është muzikuar nga disa autorë. I pari ka qenë Danielo Ber, i dyti Zhyl Mansen dhe i treti Puçini. Sigurisht që këta autorë njëri pas tjetrit kanë revulocionuar këtë vepër nga njëri Manon tek tjetri, dhe kur e pyetën Puçinin dhe i thanë: maestro këtë vepër e ka shkruar dhe Zhyl Mansen, ai u përgjigj dhe i tha: këtë e di shumë mirë, ndërsa ai e ka shkruar veprën me pudër, unë do ta shkruaj me shpirt njerëzor italian, pra me pasion italian.
Çfarë ju pëlqen tek Puçini?
Unë kam vendosur 7 opera të tij në skenë. Ai ka një teatër të fuqishëm, të pasioneve njerëzore që kthehen. Puçini është një dramaturg i fjalës, ashtu si Vagneri. Para se Puçini të shkruante ka qenë në teatër, ku Vagneri krijoi teatrin e tij total dhe ai u ndikua shumë nga gjenaliteti vagnerian, prandaj teatri i Puçinit ka ngjashmëri me teatrin e Vagnerit, por sigurisht që ka dhe specifikën e tij. Dhe në mënyrën e të bërit teatër, Puçini është ai autor i cili pas Verderit, që krijoi teatrin verdian, Puçini krijoi teatrin puçinian, por ne kemi dhe teatrin rosinian. Këta janë autorë që kanë bërë teatrin e tyre në Itali, në Gjermani kemi Vagnerin dhe në Austri ne kemi Mozaritn. Këta janë gjeni, të tjerët kanë shkruar opera të bukura, por nuk kanë shkruar teatro. Puçini është një minierë zgjidhjesh muzikore regjisoriale dhe të gjitha në shërbim të regjisë. Ai e ka librin të mbushur me këto shënime regjisoriale, por sigurisht që regjisori më pas po të dojë e respekton këtë, por ai e ka një rrëfim. Kur vë në skenë Puçinin ke parasysh në radhë të parë një dramaturg. Puçini është një dramaturg i jashtëzakonshëm. Është nga të paktët autorë, kompozitorë që është njohës i shkëlqyer i dramaturgjisë skenike, dhe që e ka tërë partiturën e tij me shënime regjisoriale.
Në këtë kryevepër të Puçinit do të marrin pjesë emra të njohur të skenës operistike. Një vlerësim nga ju për artistët që do të sjellin këtë vepër në skenë?
Gjej rastin që ti përgëzoj që të gjithë artistët. Kanë bërë një cikël provash të shkurtër, por shumë cilësorë dhe janë shumë të përgatitur. Kam pasur një mbështetje totale nga drejtuesit e institucionit për realizimin e provave. Dirigjent dihet që është emri i njohur Gianluca Martinenghi, një emër i njohur në Itali, që dhe ka një përvojë ndërkombëtare, së fundi dirizhoi veprën “Don Zhuan”. Me këtë dirigjent, unë kam vënë në skenë dhe operën “Madam Butterfly” para dy vitesh. Në rolin e tenorit është një tjetër artist i njohur italian Lorenzo Decaro, një tenor i cili ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm me të tërë Manonët. Në rolin Manonit kemi Etleva Golemin, e cila tashmë njihet për cilësinë e saj artistike, po ashtu është dhe Shpresa Beka që bën një hap përpara me këtë opera pasi kjo është një vepër që mban titullin personazhit kryesor, kemi dhe Irini Nikolla, ku këto të tria ngjasojë, por që kanë dhe tipare dalluese me njëra-tjetrën. Secila ka karakteristikat e veta dhe unë jam mundura që tia ruaj këto karakteristika. Në rolin e baritonit kemi dhe Armando Likën që është një djalë me talent dhe në rolin e plakut Zheronte do të jetë Sidrit Bejleri, i cili tashmë është i talentuara, po ashtu kemi dhe Erlind Zeraliun. Janë dhe Manjola Konjari, Klodiana Laze, Sofika Kola, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Genci Vozga, Sokol Tomorri. Kori është pak ndryshe nga netët e tjera. Është një kor i fuqishëm, i cili ka dhe shumë aksion. Në skenë do të jenë rreth 150 artistë, për këtë vepër.
Çfarë do të sillni në skenë me këtë vepër?
Ne do tia nxjerrim ato që mjeshtrit kanë shkruar, pra tia nxjerrim në pah këto vlera kaq madhështore.
E ndërkohë sot jeni një nga emrat më të talentuar të skenës operistike shqiptare. Si ndiheni nga ky vlerësim?
Unë nuk jam nga ata që kanë rendur pas reklamave. Unë në këtë teatër kam 33 vjet që punoj. Kam punuar me disa pikësynime, por që të rris cilësinë e shfaqjeve sa i takon anës regjisoriale. Të vendos në skenë shfaqje me repertor të ri dhe të sjell koncepte bashkëkohore që janë sot prezent në teatrot e botës. Kam vënë shfaqje moderne, por kam vënë dhe tradicionale, po ashtu kam vënë dhe shfaqje midis moderneve dhe tradicionaleve. Pra vitet e shumta që unë kam në opera, më kanë bërë që unë ti vë shfaqjet në të gjitha mënyrat e mundshme. Edhe këtë vepër, “Manon Lescaun”, sa i takon anës skenografike, shfaqjen e kam fokusuar drejt idesë: fati i Manonit, dhe orët e saj të jetës që i kanë mbetur, sepse e gjithë drama fokusohet këtu. Manoni është i destinuar, o të shkojë në kuvend të murgeshave aty ku e ka çuar familja, ose të iki me de Grinj, që dashuron, ose të iki me plakun Zheron dhe ta rrëmbejë ai, pra një nga këto të tria. Dhe fati e hedh tek De Grinj, dhe që nga ky moment jeta e Manonit hyn në një kohë, dhe që nga ky moment numërohen dhe se sa kohë i kanë ngelur. Kjo është e gjithë ideja, dhe skenografi Genc Shkodrani këtë e ka materializuar në një skenografi të bukur.
Xhakomo Puçini
Lindi më 22 dhjetor të vitit 1858 dhe vdiq më 29 nëntor të viti 1924. Mendohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19-të dhe të fillim shekullit të 20-të. Operat e tij më të njohura janë: “Bohema”, “Toska”, dhe “Madama Batterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standard. Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga “Turandot”, e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali. Puçini u lind në Luça, të Italisë në një familje me traditë të gjatë muzikore. Pas vdekjes së të atit Mikele Puçinit kur ai ishte vetëm pesë vjeç, ai u dërgua të studionte me xhaxhain e tij Fortunato Magi, i cili e mbante atë për një student të keq e të padisiplinuar. Më vonë, ai hyri si organist në kishë dhe mjeshtër kori, por ai nuk ishte ende i frymëzuar të bëhej kompozitor operash, gjersa pa një shfaqje të “Aidës” së kompozitorit Xhuzepe Verdit. Ai dhe një shok i tij bënë gati 21 km rrugë në këmbë për të shikuar një shfaqje në Piza. Jeta personale e Xhakomo Puçinit ishte e shumëllojshme dhe e larmishme, sikurse edhe operat e tij, por vetëm së fundi kanë dalë në shesh fakte të tjera tronditëse. Bëhet fjalë për një histori të jashtëzakonshme tradhtish, xhelozish dhe hakmarrjesh, që vazhdon të ndikojë në jetën e pasardhësve të tij edhe sot e kësaj dite. Xhakomo Puçini ishte kompozitori më i suksesshëm për sa u përket fitimeve të fituara nga puna e tij. Kur ndërroi jetë në vitin 1924, pasuria e tij, në standardet e sotme, arrinte në 260 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj pasurie u krijua gjatë viteve 1895-1904, kur mjeshtri nxori në dritë tri prej operave më të luajtura në skenën botërore: "La Boheme", "Tosca" dhe "Madama Butterfly". Pas këtyre sukseseve, ai u tërhoq në njëfarë mënyre, duke lënë të pambaruar "Vajza e Perëndimit". Kur e përfundoi, ajo, gjithsesi, nuk ishte në lartësinë e tri operave të tjera.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010