Sindromi i zorrës së irrituar ose “inatçore”, mënyra e qetësimit
Autori i Lajmit: Denisa KonaSindromi i zorrës së irrituar është një çrregullim motor i zorrës, që karakterizohet nga prishja e tranzitit (konstipacion dhe diarre), dhimbje abdominal dhe mungesa e lezioneve organike. Haset në të gjitha moshat dhe më pak mbi moshën 60 vjeç. Nga ky çrregullim preken më shumë femrat se sa meshkujt. Duke qenë se në këtë sëmundje mungojnë ndryshimet morfologjike, histologjike, mikrobiologjike dhe biokimike, kjo bën të pranosh e të besosh se sindromi i zorrës së irrituar është një çrregullim parësor i mirëfilltë i motorikës së traktit gastro-intestinal. Pra si dhimbja abdominal, ashtu edhe çrregullimet e tranzitit lidhen me prishjen e motorikës së zorrëve si pasojë e gjëndjeve emocionale (ankthi, depresioni, frika), e çrregullimeve dietetike, e toksinave të ndryshme etj. Kështu stresi emocional shoqërohet me çrregullime të motorikës së zorrëve, por kjo nuk ndodh gjithmonë, pasi ka persona me stres emocional që nuk vuajnë nga sindromi i zorrës së irrituar, që do të thotë se stresi vepron i gërshetuar me faktorë të tjerë.
Ky është një problem funksional, kronik gastrointestinal, që karakterizohet nga dhimbje abdominale, fryrje dhe ndryshime në zakonet e zorrës. Ky çrregullim prek një pjesë të madhe të popullatës së përgjithshme. Kjo “sëmundje” ka një efekt negativ në jetën sociale dhe në cilësinë e jetës së pacientit, por i rëndësishëm është fakti se Sindromi i Zorrës së Irrituar nuk është shkak për sëmundje serioze apo për vdekje.
Fryrja abdominale dhe çrregullimet e defekimit janë karakteristikat më të shpeshta shoqëruese. Ka disa karakteristika: nuk shoqërohen me risk të lartë për zhvillimin e kancerit të zorrës apo të sëmundjes inflamatore.
mund të shoqërohet me simptoma të tjera gastrointestinal si refluksi gastroezofageal, dyspepsia dhe konstipacioni funksional; ka karakter kronik; Simptomat mund të krijohen pas një infeksioni të rëndë intestinal ose mund të precipitojnë pas ngjarjeve madhore të jetës ose pas një periudhe me nivel të lartë stresi. Simptomat mund të jenë të lidhura me ushqimin. Sindromi i Zorrës së Irrituar mund të shoqërohet me diarre, me konstipacion ose me modelin miks.
Shkaqet e zorrës së irrituar
Observimet tregojnë që ky sindrom ka lidhje me faktorët psikosocialë. Sëmundje psikologjike janë të shpeshta në këta pacientë si psh ankthi, depresioni dhe gjendjet somatoforme. Predispozicioni gjenetik mund të influencojë në zhvillimin e kësaj syndrome. Shkaqet mund të jenë post inflamatore si pasojë e aktivizimit të sistemit imun mukozal.
Reaksione alergjike që iniciohen nga ngjarje psikomotore, aktivizimi i nervave simpatik afferent si rezultat i traumës post- kirurgjikale, irritimi nga acidi biliar etj. Ka një kaskadë diagnostike për vendosjen e diagnoses së Sindromit të Zorrës së Irrituar që ndahet sipas niveleve : Niveli i parë në kujdesin parësor, niveli i dytë në nivel specialist dhe niveli i tretë ose spitalor. Në të gjitha këto nivele bëhen ekzaminimet përkatëse për të përjashtuar sëmundje serioze që mund të ngatërrojnë diagnozën. Këto ekzaminime përfshijnë analizën e plotë të gjakut, feçeve, tiroide, fibrokolonoskopia.
Me cilat sëmundje mund të ngatërrohet
Sëmundjet që mund të ngatërrohet janë:-Sëmundja inflamatore e zorrës e cila ka diarre të zgjatur, humbje peshe, ethe, hemoragji. Së dyti, mund të ngatërrohet me karcinomën kolorektale, që karakterizohet nga humbja e menjëhershme në peshë, prania e gjakut në feçe, anemia dhe dhimbjet me karakter obstruktiv. Mbërritja bakteriale në zorrë që ka si karakteristike keqabsorbimin është një tjetër formë e ngjashme. Divertikuliti ku simptomat janë episodike dhe akute deri në subakute duke u karakterizuar me dhimbje në anën e majtë, ethe dhe masë inflamatore e ndjeshme në pjesën e poshtme të majtë të barkut ngjajnë me sindromin e zorrës së irrituar. Prostatiti kronik që prek meshkujt, ka po ashtu simptoma të ngjashme me Sindromin e Zorrës së irrituar. Por ajo që e dallon është prania e çrregullimeve të urinimit gjatë natës.
Dieta është një komponent i mjekimit
Ushqim me fibra dhe krunde gruri dhe antidepresivë
Jo rastësisht në protokollin e mjekimit të kësaj sindrome përfshihen barnat psikosomatike si sedativët (qetësues), anksiolitikët (çliruesit e ankthit) dhe antidepresivët dhe jo rastësisht arrihet qetësim i simptomave abdominal nga përdorimi i këtyre medikamenteve. Por gjithsesi nuk duhet tepruar me këtë grup medikamentesh pa këshillën e mjekut për shkak të rrezikut të “vartësisë”. Një vend të rëndësishëm në mjekimin e çrregullimeve funksionale të zorrës ka edhe psikoterapia e kujdesshme (duke u bindur vetë personi që nuk paraqet sëmundje të rrezikshme), gjithashtu jeta e qetë dhe aktive, shëtitjet dhe ushtrimet fizike. Regjimi higjeno-dietetik është një tjetër komponent i mjekimit dhe bazohet në vlerësimin e tolerances individuale, në eleminimin e produkteve që ndikojnë në prodhimin e tepërt të gazit në zorrë, përdorimin e ushqimeve të pasura me fibra (drithi, perime, zarzavate, fruta,sallatra) dhe përdorimin e lëngjeve (ujë). Në pakësimin e meteorizmit luan rol edhe eleminimi i pijeve të gazuara dhe mos përdorimi i çëmçakëzave. Por dieta rregullohet në varësi të çrregullimeve që paraqet personi. Pra në rastin e konstipacionit ose kapsllëkut, rekomandohen 2 litra ujë në ditë, ushqimet me fibra dhe krundet e grurit 1-2 lugë gjelle në ditë me një gotë ujë ose në formën e supës apo biskotave me krunde. Përdorimi i medikamenteve që ndihmojnë jashtëqitjen duhet eleminuar sidomos në moshat e reja dhe nuk duhen marrë pa u këshilluar me mjekun. Ndërsa në format ku mbizotëron diarreja, duhen eleminuar nga dieta qumështi, domatet, të skuqurat, pijet alkoolike, kafeja, frutat dhe çokollatat. Mund të merren preparate antidiarreikë. Barnat antispastike përdoren në rastet me dhimbje abdominale.
Duke patur parasysh lidhjen e këtyre simptomave me dietën dhe faktorët psikologjikë, një vëmendje i duhet kushtuar marrëdhënies mjek –pacient ku përfshihet identifikimi dhe njohja e shqetësimit të pacientit, diskutimi rreth ankthit të pacientit, ndihma për të lehtësuar faktorët stresantë, udhëzime rreth dietës së pasur me fibra, vakte të rregullta, marrja e sasive të konsiderueshme të lëngjeve (uji) dhe aktiviteti fizik i mjaftueshëm. Pra dy janë parimet e trajtimit: Terapia e psikoterapisë dhe terapia medikamentoze. Kjo e dyta bazohet në simptomat: a-dhimbjes (antispazmodikët), b -konstipacionin (fibra dhe laxative) c-diarresë (antidiarreikë). Rol efikas kanë edhe antidepresantët triciklikë. Por gjithmonë duhet kujdes, pasi shumë medikamente kanë dhe efekte anësore. Psh antidepresantët mund të ndikojnë në shfaqjen e konstipacionit, po kështu edhe preparatet kundër dhimbjes së barkut kanë efekt anësor si përgjumje, konstipacion, tharje goje, retension urinar dhe agravimin e glaukomës.
Ankesat e pacientëve
Sëmundja mund të japë çrregullime urinare dhe anoreksi
Ankesat kryesore të pacientëve me sindromin e zorrës së irrituar janë dhimbja abdominale, çrregullimet e tranzitit dhe dukuri të tjera digjestive. Rreth 90% e pacientëve kanë dhimbje abdominale, që përqëndrohet në një nga pjesët e abdomenit, por ndonjëherë mund të përfshijë gjithë barkun. Dhimbja mund të lokalizohet mbi dhe nën umbilicus (kërthizë).Intensiteti i dhimbjes mund të jetë nga i lehtë deri në shumë e fortë, aq sa mund të bëhet shkak për ndërhyrje të gabuara kirurgjikale. Pra, në persona të ndryshëm dhimbja është e ndryshme. Ajo mund të ndikohet nga ushqime të veçanta, nga streset, emocionet dhe qetësohet nga pushimi ose jashtëqitja. Ankesë tjetër e rëndësishme është çrregullimi i tranzitit si konstipacioni ose diarreja, të cilat mund të prezantohen të kombinuara me njëra –tjetrën ose të veçanta. Konstipacioni ka të bëjë me zbrazjen e rrallë të zorrës, çdo 2-3 ditë, me sasira të vogla; gjithashtu pacientët referojnë ndjenjën e moszbrasjes së plotë të zorrës. Ndërsa diarreja ka si karakteristikë përmbajtjen ujore të masës fekale dhe ndodh zakonisht gjatë mëngjeseve. Personi ka një “urgjencë” për të defekuar, sidomos pas ngrënies dhe feçet zakonisht përmbajnë ushqime të patretura, të ngrëna pak orë më parë.
Gjithashtu, një dukuri e shpeshtë është fryrja e barkut si pasojë e pranisë së tepërt të gazit në traktin tretës. Dukuri të tjera digjestive lidhen me refluksin gastro-ezofageal (rikthimin e lëngjeve gastrike në ezofag), dhimbjen djegëse të stomakut, ngopjen e shpejtë, të përzierat, gjuha e veshur dhe erë nga goja. Të gjitha këto ankesa mund të shoqërohen me dukuri të përgjithshme si dhimbja e kokës, lodhja, anoreksia, çrregullimet e gjumit, çrregullime urinare dhe gjinekologjike. Për të vendosur diagnozën e sindromit të zorrës së irrituar duhen përjashtuar me rradhë të gjitha patologjitë e aparatit tretës. Prandaj kërkohen një sërë ekzaminimesh duke filluar nga gjaku, feçet, sigmoidoskopia dhe kolonoskopia , Eko abdominale, ekzaminimi radiologjik e deri Skaner ose Rezonancë. Këto ekzaminime kërkohen për të përjashtuar praninë e sëmundjeve serioze si koliti ulçeroz, patologji endokrine apo kanceri i zorrës, sepse në fund të fundit diagnoza e sindromit të zorrës së irrituar është një diagnozë përjashtimi.
Pergatiti per botim Denisa KONA
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010