E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti me Rajmonda Bulkun, arrestohet studenti fierak

Mbrëmjen e së shtunës, tri ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në KZAZ-në me nr.20, që ndodhej në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme "Perikli Ikonomi", Policia e Fierit ka nisur shoqërimin dhe ndalimin e pothuaj të gjithë personave që qëndronin në radhët e para të protestës. Gjatë gjithë mbrëmjes dhe natës së shtunë janë shoqëruar për në mjediset e policisë disa persona, që sipas autoriteteve policore rezultuan se organizuan protestën te KZAZ-ja nr.20, ku edhe fyen aktoren dhe deputeten e Parlamentit të ri, Rajmonda Bulku.

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, Valbona Meço, ka komunikuar për gazetën "Shqip" se i janë vënë prangat 20-vjeçarit Mihal Kumaraku, nën akuzën "pengim i subjektit në organin përfaqësues". Sipas Meços, Kumaraku është arrestuar rreth orës 24:00 të së shtunës, ndërkohë që edhe disa persona janë marrë në mjediset e policisë dhe janë mbajtur atje për disa orë. Zëdhënësja pohon faktin e shoqërimit të afro dhjetë personave, por nuk jep asnjë shpjegim lidhur me të ardhmen e tyre penale, nën justifikimin se drejtues të policinë e kanë autorizuar të deklarojë se vetëm një arrestim është kryer dhe janë shoqëruar disa persona të tjerë. Mes disa të shoqëruarve është oficerja e Policisë Bashkiake të Fierit, 50-vjeçarja Shpresa Toto dhe një pensionist nga Levani, Brahim Elezi.

Që nga mbrëmja e së shtunës deri dje në mesditë, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit kanë qëndruar kandidatët për deputetë të PS-së në Fier, Armando Subashi, Pirro Lutaj dhe Albert Çaçi. Ky i fundit ka pohuar për gazetën "Shqip" se "ndalimi i 20-vjeçarit dhe i personave të tjerë nga radhët e anëtarësisë dhe përkrahësve të Partisë Socialiste është joligjor. Ky është një presion që bëhet nga institucionet e Sali Berishës".

Ndalimi dhe shoqërimi i mjaft anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së ka sjellë reagim jo vetëm në degën lokale të kësaj force politike, por edhe te banorët e qytetit, të cilët janë shprehur se në emër të votës së vjedhur nga PD-ja dhe qeveria e Berishës po ushtrohet presion dhe dhunë mbi qytetarinë fierake.

Mbrëmjen e 30 qershorit, në KZAZ-në nr.20 të qytetit të Fierit situata u rëndua dhe u acarua së tepërmi. Kjo si shkak i protestës së dhjetëra simpatizantëve dhe anëtarëve të PS-së, të cilët kërkonin lexim të votave të bllokuara nga përfaqësuesit e PD-së. Kryetari i kësaj KZAZ-je, që i përket Partisë Demokratike, duke pasur shumicën e votave në komision, ndërpreu procesin e numërimit të votave pa asnjë motivacion ligjor. Ai ka komunikuar në prani të dhjetëra mediave me kandidatët për deputetë Enkelejd Alibeaj e Sokol Olldashi, si dhe me kreun e PD-së së Fierit, Ferdinand Murati dhe kreun e Këshillit të Qarkut të Fierit, Luan Muçaj. Pas këtij komunikimi vendosi që të quajë të pavlefshëm numërimin dhe procesverbalet e mbajtura për dy kuti të numëruara dhe të mos hapë kutinë e fundit. Kjo ka sjellë reagim nga forcat e majta. Pranë KZAZ-së, momente më pas janë mbledhur dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të PS-së që kërkonin me anën e protestës vijimin e procesit. Po ashtu, ndërsa protesta ishte nxehur se tepërmi, në këtë KZAZ u afruan edhe disa kandidatë për deputetë të PS-së dhe PD-së. Mes këtyre të fundit ishin edhe kandidatët e Tiranës, Rajmonda Bulku dhe Genci Strazimiri, të cilët janë ironizuar nga turma si në hyrjen e tyre në KZAZ edhe gjatë daljes prej saj. Prania e kandidatëve të së djathtës si dhe prurja pranë KZAZ-së e një kamioni pularie ka sjellë reagimin e ashpër të simpatizantëve të PS-së, që u pasua tri ditë me vonë me ndalimin dhe shoqërimin e shumë prej tyre.

Reagimet

Babai: Votimi i parë,

i hidhur për tim bir

Mihal Kumaraku i ndaluar për incidentin e ndodhur me Rajmonda Bulkun, është student në vitin e dytë në Universitetin e Vlorës. Më 28 qershor, ai ka votuar për herë të parë. Edhe gjatë protestës, Mihal Kumaraku është shprehur për një shije të keqe që i dha vota e parë, pas tentativës që, sipas tij, bëri shteti për të manipuluar zgjedhjet. Babai i 20-vjeçarit, Dhimo Kumaraku, është shprehur në një kontakt telefonik me gazetën "Shqip", se mbrojtja e votës nuk mund të thyhet nga dhuna dhe presioni policor. "Im bir nuk ka kryer asgjë të paligjshme, pasi në një shtet demokratik protestat dhe format e saj janë të pranueshme, aq më shumë që mbrëmjen e 30 qershorit, gjithë Fieri dhe gjithë Shqipëria u ngrit dhe do të ngrihej përballë asaj që po ndodhte. Nga personat që kanë komunikuar me tim bir në polici jam informuar se ai po mbahet në arrest, sepse kështu është urdhëruar", tha babai i protestuesit të arrestuar. Ai shtoi se do t‘i drejtohet Avokatit të Popullit, OSBE-së , Ambasadës Amerikane dhe të gjitha organizmave ndërkombëtare, për shkeljen e hapur të të drejtave të njeriut nga Policia e Fierit.

PS: Policia po ushtron

presion mbi socialistët

Dega e Partisë Socialiste Fier ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së regjistruar me anëtarë dhe simpatizantë të saj mbrëmjen e së shtunës. Burimet zyrtare të PS-së lokale pohojnë për "Shqip" presionin dhe përndjekjen e nisur prej disa ditësh nga Policia e Fierit. Këto burime pohojnë se policia po kërcënon me arrestime edhe shumë komisionerë dhe përfaqësues të PS-së. Ankime të shumta kanë shkuar pranë degës lokale të PS-së lidhur me atë që ata e quajnë "përndjekje" dhe "terror" që policia po ushtron edhe mbi fshatra e zona të tëra në Fier, që votuan për PS-në në zgjedhjet e 28 qershorit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›