E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen me drogë, tre të rinj në pranga

"Kutia e parfumit" ka vënë në pranga tre adoleshentë korçarë, të përfshirë në një rrjet droge. Operacioni i Policisë së Korçës ka bërë zbulimin e tre personave, bashkëpunëtorë, të përfshirë në një rrjet prodhimi dhe shpërndarjeje të lëndëve narkotike. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se fillimisht në prangat e agjentëve të antidrogës ka rënë një 17-vjeçar nga qyteti i Korçës. Të njëjtat burime referojnë se arrestimi i 17-vjeçarit me inicialet S.Ll është bërë në kushtet e flagrancës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi prej 125 gramësh lënde narkotike, e llojit heroinë. Sipas të dhënave nga policia, adoleshenti ka qenë në ndjekje prej disa ditësh, deri në finalizimin me sukses të operacionit "Kutia e parfumit". Operacioni i antidrogës është zhvilluar në disa faza. Fillimisht është ndaluar 17-vjeçari, i cili është prangosur rreth orës 17:00. të së shtunës, kur është kapur në kushtet e flagrancës me sasinë e lëndës narkotike në lagjen nr. 2 të qytetit. Policia ka nisur menjëherë hetimet, për këtë rast pas kapjes së adoleshentit, i cili duket se ka sjellë nga pas edhe arrestime të tjera me vënien e tij në pranga. Krahas heroinës, adoleshentit i është gjetur edhe një peshore elektronike, të cilën e përdorte për të matur peshën e dozave të gatshme për shpërndarje dhe për të bërë ndarjen në sasi më të vogla pas sigurimit të lëndës së fortë. Peshorja dhe lënda janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga uniformat blu. Pas kapjes së 17-vjeçarit, policia bëri të ditur se ka vijuar operacionin me arrestime të tjera. Burime të Policisë së Korçës dhe të seksionit kundër narkotikëve thanë se S.Ll kishte edhe bashkëpunëtorë. Në momentin kur 17-vjeçari është kapur, ai ka qenë i shoqëruar me 18-vjeçarin Vasjan Naumi, i cili është shoqëruar nga policia. Pas kontrollit të ushtruar në banesën e 18-vjeçarit është gjetur dhe sekuestruar një armë luftarake dhe një sasi fishekësh, të cilat i kishte pa leje. Pas shoqërimit për në komisariat të dy të rinjve, kanë dalë në dritë detaje të tjera për rrjetin e shpërndarjes së drogës. Nga hetimet paraprake të kryera nga agjentët e policisë ka rezultuar se 17-vjeçari e kishte siguruar heroinën nga 22-vjeçari Mikel Cekrezi, i cili e furnizonte adoleshentin me sasinë e heroinës. Ndaj të dy personave, si për 17-vjeçarin dhe ndaj 22-vjeçarit Mikel Cekrezi, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Ndaj tyre rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, ndërkohë që 18-vjeçari Vasjan Naumi është arrestuar për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Ky është i disati rast që policia kap në qytetin e Korçës persona në moshë të re që kryejnë shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë. Deri më tani, vetëm brenda një harku kohor prej një muaji, policia ka vënë në pranga pesë persona, banorë të Korçës, të cilët janë përfshirë në tregtinë e lëndëve narkotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›