Sarandë, flakët e zjarrit pushtojnë fushën e mbeturinave
Pasditja e djeshme ka shënuar zjarrin e parë të kësaj vere në qytetin e Sarandës. Rreth orës 15:00, një nga punëtorët e vendit të depozitimit të plehrave të të gjithë qytetit të Sarandës, në vendin e quajtur Volloder, ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës në Sarandë. Një vatër zjarri ishte ndezur në sipërfaqen prej gati 1 hektarësh, të ndodhur 4 kilometra larg Sarandës në rrugën e bregdetit. Shkak mendohet të ketë qenë ndonjë bisht cigareje, i hedhur pa kujdes nga ata që gjenden gjithnjë në kërkim të kanoçeve në këtë qendër të grumbullimit të plehrave. Mungesa e rrethimit bën që zona të frekuentohet shpesh nga njerëz të "punësuar" me mbledhjen e kanoçeve apo vjetërsirave urbane. Pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur tre zjarrfikëse, të cilat kanë shuar zjarrin shpejt. Robert Maçi, zëvendëskryetar i Bashkisë së Sarandës, thotë të "Shqip" se "u morën masat për t‘u angazhuar në shuarje, jo vetëm dy zjarrfikëset e Sarandës, por edhe një e Delvinës, që ka ardhur në mbështetje të tyre. Prej disa orësh operacion për shuarjen e zjarrit, u pa se era e favorizonte ndezjen më shumë të flakëve. Megjithëse ishte ditë e diel dhe dy guroret në afërsi të vatrës së zjarrit nuk ishin në punë, u kërkua ndihma e pronarëve të tyre. Mbështetja e parë erdhi nga firma "Arti", nga ana e së cilës u dërguan disa mjete të rënda me ngarkesë materiali inert, i cili, me ndihmën e skrepave të firmës së pastrimit të Sarandës, u derdhën mbi sipërfaqet e ndezura". Më pas mësohet se është bërë çarja e blloqeve të ndezura, duke hapur korridore dheu midis tyre, për të bërë të pamundur përhapjen dhe fuqizimin e zjarrit.
Të shqetësuar nga rënia e zjarrit në vendin e grumbullimit të mbetjeve urbane të Sarandës kanë qenë banorët e dy fshatrave Vromero e Shelegar, që janë më afër me të. Tymi i zi dhe e gjithë ndotja mjedisore ka qenë më tepër shqetësuese për banorët e Shelegarit, kryeplaku i të cilit, së bashku me disa bashkëfshatarë, ka qenë i pranishëm në operacionin për shuarjen e zjarrit kërcënues për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Kjo është hera e dytë që "landfili" i Sarandës përfshihet nga flakët e zjarrit. Katër vjet më parë zjarrvënësi i kësaj sipërfaqeje me mbetje urbane ka qenë një bari.