E Hënë, 2 Nëntor 2026

Doktori i së Drejtës Penale Ismet Elezi, kundër marrëveshjes së “Malësisë së Madhe”

29/04/2005  Tiranë, 28 Prill- Profesor-doktor i së Drejtës Penale shqiptare, Ismet Elezi ka kundërshtuar marrëveshjet e bëra disa ditë më parë nga e ashtuquajtura besëlidhja e “Malësisë së Madhe” mbi gjakmarrjen dhe ngujimet e familjeve në konflikt. “Reformimet e Kanunit me koncepte arkaike nuk mund të forcojnë shtetin dhe të respektojnë ligjet”, ka qenë deklarata e doktorit të së Drejtës Penale Shqiptare në Konferencën me temë, “Për bashkëpunim dhe ndërmjetësim në zgjidhjen e konflikteve”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku merrnin pjesë dhe ekspertë të së drejtës penale nga Europa dhe Amerika. Në fjalën e tij Elezi e ka cilësuar si absurd vendimin e besëlidhjes së Malësisë së Madhe, sipas së cilës gjaku shkon vetëm te vrasësi, në mënyrë që mos vriten persona të tjerë dhe të shpëtojë nga ngujimi anëtarët e tjerë të familjes. Kjo metodë sipas Elezit, është thjesht një reformim i Kanunit, pasi kemi të bëjmë sërish me vetëgjyqësi e cila në këtë mënyrë nuk mund të ndalet kurrë. Elezi ka theksuar se ndërmjetësimi për të shuar gjakmarrjen dhe për të nxjerrë familjet nga ngujimi është një metodë që duhet mbështetur dhe përkrahur si nga besëlidhjet ashtu edhe nga fondacionet, siç është fondacioni “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”. Por sipas doktorit të se drejtës penale, pajtimi i gjaqeve, kurrsesi nuk duhet të nënkuptojë që të vritet vrasësi, por që ky i fundit të dënohet nga drejtësia sipas ligjeve të Kodit Penal shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›