Doktori popullor
Plagët e përhershme të Shqipërisë lëngojnë për një kurë të plotë për ta nxjerrë nga vuajtjet, dhe jo për melheme populiste sa për të trullosur dynjanë. E tillë ishte dhe “nuska” e qeverisë halucinante, që merr vendime për të gjithë ne shqiptarët, ndaj veturës dhe shoferit të deputetit.
Lufta ndaj luksit – të perceptuar – të deputetëve, është një përsiatje e kotë që të tërheqë vëmendjen nga dështimi gërdecian i qeverisë në luftën ndaj Korrupsionit, Papunësisë dhe Varfërisë. Nëse qeverisja duhet të ishte një shkencë që do të merrej me shërimin e vendit, atëherë fenomenet shtetërore që përjetojmë në vend, janë si ata mjekët popullorë që ofrojnë barna sipas hënës. Sot qeveria jonë nuk po na mjekon, por luan doktorash në shtëpinë tonë.
Trajtimi special për deputetët dhe marrëzira të tilla, na sjellin në mendje librat që ne kemilexuar, dhe qeveria i ka jetuar, mbi Reformat e famshme të Revolucioneve Kineze. Deputetët në këmbë, as nuk na dihmojnë dot ne si qytetarë, dhe asnjë kinezeri e këtij tipi nuk mund të na japë më shumë punësim, apo më pak varfëri në të ardhmen. Ato nuk kanë aspak të bëjnë me atë që duhet të ndërmarrë një qeveri e ndërgjegjshme në shekullin në të cilin jetojmë. Nuk bëjnë punë e as nuk japin rezultate këto manovra që janë përdorur me pak më shumë mjeshtëri nga diktatura e hedhur pas.
Propaganda dhe lufta personale e komandantit të paepur ndaj së keqes në shpirtin e njeriut, është armë e çdo demagogu, nga ky shekull, e deri në prehistori. Ndërmarrje të tilla personale për të shpëtuar shpirtin e kombit, janë pikërisht e kundërta e asaj që duhet të institucionalizojë një qeveri në reforma. Fakti që një njeri duhet të merret që nga sms-ja e korrupsionit, e deri te shoferi i një deputeti, tregon që, kjo qeveri, në tërësi e ka të humbur betejën për të ndryshuar vendin dhe mentalitetin që na mban mbrapa.
Shprehjet metaforike nuk mund të bëjnë “Shpatën e Demokleut” dhe të kryejnë luftën e vërtetë ndaj korrupsionit, varfërisë, papunësisë apo prapambetjes që nuk po na ndahet. Duke e ditur se populli pret rezultate konkrete në luftën ndaj gjithë të vjetrës dhe lodhjes së pafund në pushtet, qeveria përpiqet të na servirë halucinantë të çuditshëm dhe, në më të shumtën e rasteve, batuta populiste që kanë efekte topitëse në masë.
Për të kuptuar dhe luftuar këto sëmundje permanente të tranzicionit pambarim, duhet një diagnostikim real dhe pastaj masa të vërteta transformuese. Për të kryer një proces të tillë, duhet profesionalizëm, por në radhë të parë, karakter dhe qytetari. Nuk mund të vazhdojë politika të qeverisë këtë vend në emër të marrëveshjeve qetësuese dhe të favoreve ëmbëlsuese, për ata protagonistë që vazhdojnë të shkëmbejnë karriget mes tyre.
Por, në të kundërt nga sa pritet, qeveria e papërgjegjshme e momentit, thjesht luan me konceptet bazë të demokracisë dhe shtetit ligjor dhe ka marrë rolin e magjistarit, apo të doktorit popullor, që zgjidhin gjithçka dhe përherë vetë, njësoj si në tributë e humbura të Amazonës. Nuk mund të ketë “babëzi njerëzore a parlamentare” që na dëmton vetëm në si komb, por ka një manipulim populist ndaj mosbesimit dhe pasigurisë së qytetarëve të këtij vendi: një pasiguri popullore e ushqyer nga këta politikanë të përjetshëm, që nuk garantojnë asgjë që të ngjajë me një shtet normal dhe ligjor.
Është e drejtë dhe detyrë e këtij populli, që tentohet të përdoret si turmë nën efektet e propagandës së doktorëve popullorë, për të larguar një herë e mirë me votë këtë babëzi qeverisëse dhe këta të droguar pas pushtetit.
Nuk duhet as 30 vjet, e asmandate nga Perëndia, për të larguar një herë e mirë figura të ricikluara në të gjithë mandatet e njohura,por që kanë pasur përherë të njëjtin rezultat final: Dështimin. Sot, na duhet që, një herë e mirë, të kuptojmë dhe dënojmë atë që mban peng dhe e përdhunon Shqipërinë tonë të përbashkët. Vota e ardhshme, duhet të jetë shpresa e manifestuar e shqiptarëve, në një Shqipëri pa mendësi dhe metoda të tilla mesjetare.