Monumenti i poetëve në Librazhd, ish kryetari apelon vendimin e gjykatës
Elbasan- Ish kryetari i Bashkisë së Librazhdit ka apeluar vendimin e gjykatës, që e dënonte atë me gjobë dhe 1.5 vjet detyrim paraqitje për abuzimet në ndërtimin e monumentit të poetëve, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, dy vjet më parë.
Shaqir Kuka ka vendosur ta apelojë vendimin që erdhi, pasi Kontrolli i Shtetit verifikoi shkeljen e procedurave të tenderimit për ndërtimin e bazamentit për monumentin e dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi dy vjet më parë.
Nga kontrolli rezultoi se fillimisht janë bërë punimet e më pas është bërë tenderimi. Burime nga mbrojtja e Kukës bëjnë të ditur se është e vërtetë që janë shkelur procedurat, por kjo nuk është bërë për përfitime personal, por për faktin se nga ana e Presidencës u vendos një datë përururimi pa marrë pëlqimin e bashkisë.
Ish kryebashkiaku u dënua me 3 milion lekë gjobë dhe 1.5 vjet detyrim për paraqitje, por ai nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe për këtë ka vendosur t’i drejtohet apelit.
Përjetësimi i dy figurave të nderuara të Librazhdit me anë të një memoriali përgjatë Bulevardit kryesor të qyteti të Librazhdit në një lulishte në qendër u mirëprit nga qytetarët e Librazhdit, por në atë kohë nuk u bë e ditur shuma që u vu në dispozicion nga Bashkia Librazhd, e cila realizoi bazamentin. Vendi i përzgjedhur është përcaktuar në bazë të përmasave të memorialit.
Në një sipërfaqe dhjetë metra e gjatë dhe pesë e gjerë, të veshur me mermer ku janë stampuar vargje të dy poetëve, janë vendosur dy buste. Dy koka që tregojnë dhimbjen dhe njëkohësisht krenarinë. Autori i këtij memoriali, Sadik Spahija, ka punuar për katër muaj deri në përfundimin e tij. Ky memorial ka kushtuar shtatë milionë lekë.