E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i Delijorgjit me amerikanët

Pas mosmarrëveshjeve për ndarjen e fitimeve, kreu i SAC-it mori gjithë barutin. E nxorri jashtë vendit me ndihmën e Selmanllarit

Ditën e shpërthimit, 15 kontenierë me barut prisnin Patrick Henry, për t’i shitur në Belgjikë

TIRANË- Presidenti i SAC-it, Patrick Henry, dhe ortaku i tij i “Albademil”, Mihal Delijorgji, duket se kanë pasur mjaft konflikte për ndarjen e fitimeve. Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka zbuluar së fundmi se firma amerikane SAC u pagua me barut, për 33 % të aksioneve të saj. Ditën e shpërthimeve, më 15 mars të këtij vitit rreth 700 ton barut të mbushur në 15 kontenierë ishin në pritje të anijes së paguar nga Patrik Henry për eksportimin e tyre në shtetin e Belgjikës. “Nga hetimet e kryera deri më tani, ka rezultuar se në Gërdec, ditën e 15 marsit, kur shpërtheu zjarri në ish-repartin e tankeve kanë qenë rreth 15 kontenierë të mbushur me barutin e municioneve të lehta dhe të rënda të demontuar nga punëtorët që 26 prej tyre nuk jetojnë më. Sistemimi i barutit nëpër këto kontanierë ishte bërë gati me urdhër të presidentit të kompanisë shqiptare, Mihal Delijorgji, pasi do të transportohej në drejtim të Belgjikës dhe Gjermanisë, shtete të cilat presidenti i kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company” kishte gjetur blerës të kësaj sasie që do të përdorej për çështje civile”,-thanë burimet e akuzës.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se nga porti i Durrësit,presidenti i SAC-it me ndihmën e përfaqësuesit të tij në Shqipëri, Rrahman Selmanllari dhe kompanisë belge “PB Clermont” ka nisur në drejtim të Belgjikës një sasi të konsiderueshme të barutit, sasi kjo e siguruar nga demontimi i municioneve në Gërdec. Gjithashtu është evidentuar dhe sekuestruar kopja e licencës së eksportit, e cila i referohej kontratës me “PB Clermont” të Belgjikës, me datë 5 korrik 2007, ku pak ditë më pas është nisur edhe anija e tonazhit të rëndë me kontenierët e barutit brenda. Gjithashtu, me garantimin e SAC-it dhe përfaqësuesit të tij në Shqipëri, Rrahman Selmanllari, më 27 gusht 2007 është siguruar edhe licenca e dytë për eksport të barutit drejt Gjermanisë, ku këtë radhë firmëtari i licencës ishte vetë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai. Nuk bëhet e ditur sasia e barutit që është eksportuar nga porti i Durrësit, por burimet e prokurorisë nënvizuan se të gjitha të dhënat janë të dokumentuara dhe administruar në fashikujt e hetimit.

“Sipas kontratës së parë mes SAC-it dhe MEICO-s, të firmosur në qershor të 2007 kompania amerikane do të kryente demontimin e municioneve të lehta, por pas negociatave mes Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit, kjo kontratë çmontimi i kalon kompanisë shqiptare “Albademil” me president Mihal Delijorgji ndërsa kompania amerikane do të merrte përqindjet e fitimit të çmontimit dhe shitjes së barutit, TNT-së, tunxhit, çelikut dhe plumbit. Sipas marrëveshjes 33 % të fitimit në kontratën e parë shkonin për kompaninë e SAC-it dhe 67 % të fitimit kalonin për shoqërinë “Albademil”-thuhet nga akuza. Por kjo kontratë nuk po zbatohej nga Delijorgji që detyroi amerikanin Patrik Henry të kërkonte si kompensim të përqindjeve të fitimit të gjithë barutin e fituar nga çmontimi i municioneve dhe më pas ta shiste vetë atë. Kjo ofertë siç duket i ka pëlqyer Delijorgjit, i cili ka urdhëruar kunatin e tij Dritan Minxolli të ngarkojë të gjithë barutin e fituar nga çmontimi në kontanierë të hekurit që më pas të transportoheshin për në magazinën e MEICO-s në Durrës nga ku do të dërgoheshin tek blerësit e gjetur nga vetë presidenti i SAC-it. Sipas prokurorisë, kjo marrëveshje mes Delijorgjit dhe Henrit do të respektohej edhe në kontratën e dytë, pasi mësohet se për kontratën e parë, SAC-i kishte marrë nga Shqipëria dy anije me barut, sasi kjo që nuk bëhet e ditur. Ndërkaq, gjatë çmontimit të municioneve të rënda në kontratën e dytë punëtorët kishin arritur të depozitonin një sasi prej rreth 700 tonësh barut që priste kamionët që do dërgonin në magazinat e MEICO-s në Durrës, të cilat ishin të mbushura dhe prisnin gjetjen e blerësve nga Henry. Ndërkohë, sipas prokurorisë, i pandehuri Delijorgji si në kontratën e parë ashtu edhe të dytën korrte fitimit e shitjes së mbetjeve të municioneve, si tunxh, çelik dhe plumb.

Pesë muaj nga përfundimi i hetimeve, priten arrestime të tjera për tragjedinë

Gërdeci, Zamir Shtylla kërkon analizën e dosjes

TIRANË- Drejtuesi i grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, Zamir Shtylla, analizon të dhënat dhe provat e mbledhura nga hetuesit dhe prokurorët e çështjes dhe kërkon prej tyre relacion brenda tre ditëve për ecurinë e hetimeve. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se prokurori Shtylla për dy orë ka mbajtur në zyrë prokurorët dhe oficerët e kësaj dosjeje, duke i kërkuar me hollësi arritjet e hetimit të deritanishëm. “Gjatë analizës së dosjes është kërkuar urgjentisht nga prokurori Zamir Shtylla që secili nga hetuesit dhe prokurorët e çështjes të shkruajë një relacion për hetimet e arritura deri më tani. Kjo kërkesë i është bërë tre linjave të prokurorisë, të cilët janë ndarë për hetimin e shpërthimit të punishtes, tregtisë së fishekëve dhe korrupsionit të kryer nga zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ushtarakëve në këtë dosje”,-thanë burimet e akuzës. Gjithashtu, mësohet se prokuror Shtylla ka kërkuar që hetimet të përshkallëzohen me intensitet më të lartë, pasi sipas tij, po mbarojnë afatet hetimore që realisht kanë mbetur edhe 5 muaj. Ndërkaq, gjatë kësaj analize, nuk është lënë pa u përmendur edhe pozicioni i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pozicione këto që do të sqarohen në ditët në vazhdim në lidhje me këtë tragjedi. Gjithashtu, mësohet se në ditët në vazhdim do të zbardhen edhe pozicionet e tre ushtarakëve të Shtabit, një punonjësi të Ministrisë dhe një biznesmeni, emri i të cilit ka dalë gjatë fazës hetimore.Deri në shpërthimin e fabrikës, asnjë lek nuk ishte paguar në arkën e shtetit. Prokuroria zbulon skemën e evazionit fiskal

Evazioni, 2 ditë pas Gërdecit u paguan 600 mijë USD detyrime

TIRANË- Në kohën që vendi ishte i shokuar e në Gërdec kërkoheshin viktimat nën rrënoja, “arkitektët” e kësaj tragjedie të rëndë u munduan të mbulojnë brenda një dite evazionin fiskal të shkaktuar përgjatë një viti. Prokuroria e Përgjithshme ka zbuluar se dy ditë pas shpërthimeve në Gërdec, më 17 mars, në drejtorinë e Tatim-Taksave dhe në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes janë derdhur në emër të kompanisë amerikane SAC 600 mijë dollarë, si detyrime për biznesin në fabrikën e demontimit. Verifikimet e kryera në zyrën e Tatim-Taksave të Tiranës kanë nxjerrë në pah implikimin e një numri të madh zyrtarësh në çështjen e Gërdecit, të cilët e kanë trajtuar biznesin e Mihal Delijorgjit si të ishte një “ishull” i paprekshëm nga ligjet e këtij vendi. Për më shumë se një vit, asnjë lek nuk u derdh në arkën e shtetit për fitimet marramendëse nga demontimi i fishekëve dhe predhave, e kur i gjithë ky biznes u hodh në erë, personat përgjegjës u munduan të mbulonin shmangien e detyrimeve fiskale.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kompania “Albademil” i detyrohej Tatim-Taksave dhe Ministrisë së Mbrojtjes 1 milion e 600 mijë dollarë nga aktiviteti i kryer. Megjithëse këto para duhej të shlyheshin çdo muaj, bashkëpunëtorët në fabrikën e Gërdecit kanë nxituar të paguajnë vetëm një pjesë të tyre më 17 mars, në emër të kompanisë SAC. Ishin ditët kur kryeministri i vendit dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, “betoheshin” në daljet e tyre publike se në Gërdec demontonte predha një kompani amerikane e quajtur “Southern Ammunition Company” e se askush nuk kishte dëgjuar për Mihal Delijorgjin, ndaj mesa duket, paratë në arkën e shtetit janë derdhur nën koperturën e kompanisë SAC, që për hir të së vërtetës, nuk ka sjellë asnjë lek në Shqipëri.

Prokuroria e Përgjithshme ka në dosjen e Gërdecit një sërë telefonatash të përgjuara mes Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit e personave të tjerë të akuzuar për këtë tragjedi të rëndë, të cilët pas shpërthimeve vrasëse për 26 persona e kishin hallin të mbulonin evazionin fiskal. Sipas këtyre burimeve mësohet se shuma prej 600 mijë dollarësh është derdhur në zyrën e Tatim-Taksave dhe në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes mëngjesin e së hënës, më 17 mars, ndërsa mbrëmjen e kësaj dite, Mihal Delijorgji së bashku me kunatin e tij dhe kreun e MEICO-s, Ylli Pinari, u prangosën si përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie të rëndë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, këta persona duhej t’i paguanin shtetit edhe 1 milion dollarë, për aktivitetin e demontimit dhe shitjes së produkteve të deklaruara prej tyre në autoritetet shtetërore.

KONTRATAT

Gërdeci, shteti do fitonte 2.2 mln USD

Për demontimin e predhave në Gërdec janë gjetur dy kontrata mes MEICO-s dhe kompanisë amerikane SAC, me vlerë 2.2 milionë dollarë amerikanë. Kontratat janë firmosur nga drejtori i MEICO, Ylli Pinari, dhe personi i deleguar i Southern Ammunitions Company, Patrick. C. Henry III. Kontrata e parë është lidhur më gjashtë qershor të vitit të kaluar dhe ka si qëllim shitjen e municioneve që do të kalojnë përmes procesit të demilitarizimit. Kontrata është për shitjen e 50 milionë e 100 mijë fishekëve nga kalibri 12.7 mm deri tek ai 54 mm dhe vlera totale e saj është 1.611 milionë dollarë amerikanë. Ndërkohë, kontrata e dytë është lidhur më 28 dhjetor 2007. Ajo ka një vlerë prej 582 mijë dollarësh amerikanë dhe parashikon demolimin e predhave me kalibër nga 20 deri 152 mm.

Si u përdor kompania e Patrick Henry për të mbuluar Mihal Delijorgjin

Henry, 33 % të aksioneve në këmbim të emrit SAC

TIRANË- Më 27 dhjetor të vitit 2006, Patrick Henry i bën me dije nëpërmjet një letre ministrit të asaj kohe, Fatmir Mediu, interesin e tij për të çmontuar mbi 140 milionë fishekë me përbërje tunxhi, municion që ushtria shqiptare e dispononte. Që në këtë datë, përfaqësuesi i SAC e vë në dijeni ish-ministrin Mediu se ka krijuar në Shqipëri kompaninë “Albademil”, me anën e së cilës do të hyjë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes.Henry shkruante se është i gatshëm të vërë në dispozicion 7 deri në 19 makineri për çmontimin industrial si dhe 3 deri në 5 teknikë amerikanë për këtë projekt. Për aq sa u takon autoriteteve shqiptare, prej këtij momenti SAC pushon së ekzistuari. Kompania “Albademil”, asokohe e ndarë në 33 % për Patrick Henry dhe 67 % për Mihal Delijorgjin merr përsipër të paguajë Ministrinë e Mbrojtjes për fishekët, të ngrejë fabrikën e demontimit dhe të shkarkojë municionin. I vetmi merak i firmëtarëve ka qenë shmangia e “Albademil”-it të Mihal Delijorgjit nga letrat zyrtare dhe pakti duket se është arritur me lehtësi. Patrick Henry ka pranuar të përdorë kompaninë e tij amerikane në këmbim të 33% të aksioneve për të vënë në jetë projektin e Gërdecit. Ministrisë së Mbrojtjes i lë “për detyrë” të përballojë transportin e fishekëve, furnizimin me 24 orë energji në ditë, në pikun e krizës energjitike në vend si dhe sigurimin e lejeve për demontim e eksport materialesh ushtarake. Në të njëjtën letër, përfaqësuesi i SAC i rekomandon ministrit Mediu që baza e Bërzhitës do të ishte vendi i duhur për këtë proces, por historia dihet tashmë. “Albademil” pranoi Gërdecin në këmbim të Bërzhitës, Gërdecin e 26 të vdekurve, 300 të plagosurve dhe mijëra shtëpive të rrënuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›