Histori dhe llum
Ata vijnë nga larg. Kanë dëgjuar shumë pak për Shqipërinë. E duan diellin tonë dhe përcëllojnë lëkurat e bardha nën të. Në kthim, atje në Finlandë, një thekje shqiptare do të ishte kujtimi më i bukur.
Diell dhe kështjella shqiptare. U shpjegoj se të parët tanë, ilirët, diellin e gdhendnin në mburoja. Ata e adhurojnë antikitetin tonë, legjendat, mitet… Një nga pikat e preferuara prej tyre, mbetet parku arkeologjik i Butrintit. Për të shkuar atje, rruga gjarpëron përmes ullishteve të Ksamilit. Diku, tutje buzë detit, kalaja e Ali Pashës vetmon përballë Korfuzit. Autobuzi parkon në një shesh të zbrazët buzë një kanali të madh, përtej të cilit një tjetër kala na përgjon heshturazi.
“Ky është qytet antik…ja teatri…dhe tempulli i Eskulapit…këtu banjat romake…është nimfeu…po, bazilika e vjetër…kjo, porta e liqenit”…Ata më dëgjojnë me kureshtje dhe dëshirë për të mësuar më shumë. Disa shtojnë prej leximeve të tyre vetjake.
Unë buzëqesh dhe pse përbrenda digjem prej lotësh të nxehtë. Por, një guidë e mirë duhet të jetë së pari një aktor i mirë dhe ta ketë atë buzëqeshje të ngjitur në buzë në çdo kohë: profesioni detyron. Ndaj unë hesht, vështroj nga liqeni duke menduar për lavdinë e këtij qyteti, për madhështinë e të parëve tanë. Lavdia historike dhe…liqeni…Butrinti…24 vetë…një varkë…një nuse e mbytur…një foshnje e zhdukur…dy adoleshentë në kërkim…ishin nisur drejt Greqisë. Po! Përlotem dhe ndihem ngushtë:
Si t’ua shpjegoj finlandezëve se, mbrëmë në këtë park, të tjerë vizitorë, të ulur mbi këto rrënoja nën dritën e zbehtë të hënës, 24 shqiptarë, njerëzit e mi, prisnin një varkë fare të ngushtë për t’ia mbathur për në Greqi? Dhe ashtu të uritur, të lodhur, të mërzitur edhe ata vështronin po këtë histori madhështore, por pa asnjë interes, asnjë dëshirë. Ata donin vetëm t’ia mbathin nga Shqipëria sa më parë e në djall Eskulapi, Apolloni hermafrodit dhe kurvat e Nimfeut.
E njëjta histori që përsëritet prej 20 vjetësh. Ikin shqiptarët, ikin, ikin larg. Dhe lënë kokat rrugëve të mërgimit. Kështu i mbron Shqipëria bijtë e saj? Dhe unë u flas miqve të huaj për besë, përmite dhe legjenda, flas për trimëri e nder dhe krenari. Ku janë sot këto vlera?! A dimë ta duam dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin?! Dhe sa tragjedi duhet të ndodhin që të kuptojmë që, këtu, gjërat po shkojnë keq, se Bencat, BBF-të dhe pallatet shkarravina, janë mbulesa e mortit. A janë shqiptarë këta që na udhëheqin drejt vdekjes çdo ditë?! Vazhdojmë të marrim frymë sikur gjithçka të ishte normale, ndërkohë që pabarazitë sociale janë të tmerrshme, të papërshkruara, ulëritëse.
Dhe do shkojmë sërish të votojmë për kasapët tanë. Ata që u mbytën atje, nuk ishin kurrkushi, por ata ishin unë, ishin ti, ishim ne të gjithë. Atje, në Butrint, buzë lavdisë sonë historike, u mbytëm ne. U mbytëm ashtu siç u shpërthyem në Gërdec. Kush u ankua? Ankohu po deshe! Kush dëgjon? Askush, askush! Dhe sërishrefreni “Votoni për ne” dhe vdekja do të jetë më e ëmbël.
Sot, nuk desha më t’i dëgjoj lajmet. Më ndyn zëri hipokrit i spikeres, që paguhet me para të pista. Televizorin e fika. Më ndyn çdo emision me të ftuar që japin leksione demokracie dhe që duart i kanë të lyera me gjak. Nuk hyra as në forumin tim të preferuar në internet. Më ndyn fakti që zëri ynë i revoltës mbytet në virtual. Sot nuk i fola asnjeriut. Shqipja m’u duk një gjuhë e vrazhdë sot. Më vjen turp për mburrjet e mia: Shqipëria vendi i virtyteve... për gënjeshtrat e mia "perla e Ballkanit", se zbukurova shëmtinë që na nxin jetën çdo ditë dhe e pranoj, ky vend s’ka më lavdi dhe është shndërruar në një gropë të madhe. Zgjedhjen e kam bërë. Në djall politika. Nuk shkoj të votoj.
Le të më akuzojnë pastaj se nuk e bëra detyrën time si qytetar. Nuk dua që të zgjedh mes alternativash të qelbura, të keqen më të vogël. Ky vend i vuajtur nuk e meriton as të keqen më të vogël. Ata që do të votojnë, le të marrin përsipër dhe gjakun e shqiptarëve të zhdukur.
Historia na vështron teksa mbytemi buzë saj, teksa përpiqemi t’ia mbathim prej saj dhe të gatshëm të përqafojmë histori të botëve të tjera.
A ka lavdi në këtë histori? Më thoni: si do të mundim dot t’ua tregojmë nesër brezave, këtë histori të mbyturish, që nuk lanë pas, as rrënoja e as mburoja me diej të gdhendur përsipër?!
*Autori studion sociologji në Francë dhe punon si guidë për turistët e huaj që vijnë të vizitojnë vendin tonë.