Nëse amerikanët sthonë të vërtetën?
ZGJEDHJET NË SHBA
Sfida elektorale midis Obamës dhe McCain-it, është në zhvillim e sipër, por në teori, nuk duhet të ketë asnjë dyshim mbi përfundimin e saj. Sondazhet i japin njëzëri kandidatit demokrat një avantazh që gjendet midis 7 dhe 13 përqind. është një ortek besimi, i cili duhet të trasformohet në një fitore të qetë, për të mos thënë dërrmuese.
Por, në këtë ekuacion kaq të thjeshtë për t'u zgjidhur, ekziston një e panjohur që mund të modifikojë rrënjësisht situatën dhe të përmbysë çdo parashikim. Kësaj të panjohure, analistët politikë i kanë vënë një emër: e kanë quajtur "Faktori Bradley". Historia është pak e vjetër, por kuptimplote. Ishte viti 1982, Tom Bradley, kryebashkiaku me ngjyrë i Los Anxhelesit, kandidoi në radhët e Partisë Demokratike për postin e Guvernatorit të shtetit të Kalifornisë, dhe pati si kundërshtar të bardhin George Deukmejian. Atëhere, ashtu si tani, sondazhet nuk jepnin shpresa për republikanin, mbi të cilin asnjeri nuk do të vinte bast asnjë dollar; megjithatë kutitë e votimit dhanë një përgjigje të papritur. Fitoi Deukmejian, dhe u zbulua që vetëm një pjesë e vogël e të bardhëve kishte votuar për kryebashkiakun me ngjyrë, dhe që të pavendosurit kishin votuar të gjithë për kandidatin e bardhë.
Kështu që lind pyetja, nëse rracizmi mund të kapet me disa pyetje telefonike (metoda me të cilën zhvillohen sondazhet), apo ekziston akoma një cipë turpi që fsheh mospajtimin me ngjyrën e lëkurës ndryshe nga e veta. Me fjalë të tjera, problemi mund të formulohet edhe në këtë mënyrë: amerikanët, në telefon, thonë të vërtetën?
Sepse, nëse nuk është kështu, nëse në publik zgjidhet kandidati me ngjyrë, dhe në fshehtësinë e kutisë së votimit (atje ku ka vërtet rëndësi), kryqi do shkonte te kundërshtari, atëhere duhet të bëhen përsëri të gjitha llogaritë. Nëse pastaj, e cilësojmë këtë hendikap të Obamës në masën 4%, falë sistemit elektoral amerikan të komplikuar, Shtëpia e Bardhë do të ishte në duart e McCain-it.
Por nuk janë pak ata që mendojnë që në fund të fundit, "FaktoriBradley" nuk do të shfaqet, ose të shumtën do të jetë rreth 1-2%, domethënë tepër pak për të minuar besueshmërinë e sondazheve.
John Zogoby, një ekspert i njohur sondazhesh, me 15 vjet profesion mbi shpatulla, thotë që kush nuk do Obamën, nuk ka turp ta pranojë, dhe që pothuajse 15% e të intervistuarëve, rrëfejnë që nuk do të votonin një zezak për vetë faktin që është zezak.
Michelle Obama, ndërkohë, shprehet që qytetarët sot janë të merakosur më shumë për fatin e kombit dhe për krizën ekonomike, sesa për ngjyrën e lëkurës. Nëse do të ekzistonte një efekt Bradley, vazhdon më tej kandidatja për të qënë zonja e parë, ai do të kishte goditur shumë më parë, që në zgjedhjet fillestare.
Në realitet, asnjeri nuk e di me siguri me sa vota më pak Obama duhet ta paguajë të qënit i zi, dhe vetëm gjatë mëngjesit të 5 nëntorit, do të zbulojmë nëse, mbi çështjen rraciale, Amerika e sotme ka ndryshuar ngjyrë.