E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dokufest-2008", tregoi vlerat e kulturës kosovare

Autori i Lajmit: red.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë (ZNKE), e vlerësoi festivalin e filmit "Dokufest-2008", që u mbajt javën e kaluar në Prizren, si një ngjarje kulturore me rëndësi të veçantë në Kosovë, bëhet e ditur në një njoftim shtypi të shpërndarë sot nga ZNKE. ZNKE është një nga sponsorët kryesorë të edicionit të shtatë të Dokufest-it, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, që u mbajt nga 4–10 gusht. I ngarkuari me punë i kësaj zyre, Khaldoun Sinno, i dha mbrëmë çmimin "Dokumentari më i mirë ballkanik" filmit "Interrogation", nga Bosnja e Hercegovina. Festivali përfshin edhe veprimtari paralele, si vullnetarizmi, kampingu, ekspozita fotografike, një gazetë ditore, tryeza pune dhe ngjarje muzikore, të cilat tërheqin një numër të madh të rinjsh nga rajoni dhe më gjerë. Sipas njoftimit të ZNKE-së, që nga edicioni i parë, në vitin 2001, Dokufesti promovon dialogun ndërkulturor përmes filmave dhe dokumentarëve, por edhe përmes veprimtarive anësore, të cilat shërbejnë si platformë për socializim. "Duke bashkuar njerëzit në qytetin e Prizrenit, Dokufesti promovon një vlerë thelbësore evropiane, atë të dialogut ndërkulturor. Në këtë kontekst, Dokufesti-2008 shënon festimin e Vitit Evropian për dialog ndërkulturor në Kosovë", - u shpreh Khaldoun Sinno, në një intervistë për shtojcën "Doku Daily". "Mandati i Komisionit Evropian është promovimi i reformave evropiane në Kosovë përmes këshillave, dialogut me autoritetet, monitorimit të progresit dhe një mase të konsiderueshme asistence. Kultura dhe promovimi i veprimtarive kulturore janë shumë të rëndësishme për Komisionin Evropian. Në përpjekjet për ta afruar Kosovën në Evropë, Zyra ndërlidhëse e KE-së inkurajon veprimtaritë dhe ngjarjet kulturore, sidomos ato që zhvillohen jashtë Prishtinës, në mënyrë që ato të shkojnë tek sa më shumë shtresa të shoqërisë kosovare", - thuhet në njoftimin e ZNKE-së. Fitues i festivalit u shpall mbrëmë filmi izraelit “To See If I m Smiling - Lir ot Im Ani Mehayechet” (Të shoh a jam duke qeshur), i autores Tamar Yarom. Në edicionin e shtatë të “Dokufest”-it konkurruan 139 filma nga 49 shtete, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën. Shumica e këtyre filmave ishin nga SHBA, Anglia, Spanja dhe Gjermania.
Ky lajm është publikuar: 12/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›