E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra u hap dyert gërmimeve arkeologjike

Autori i Lajmit: red.
Arkeologë italianë në bashkëpunim me specialistët e Institutit Shqiptar të Arkeologjisë në Tiranë kanë nënshkruar dje në mjediset e komunës së Dropullit të Poshtëm (Gjirokastër), një marrëveshje mirëkuptimi tripalëshe për vlerësimin e trashëgimisë arkeologjike të kësaj zone. Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i komunës së Dropullit të Poshtëm, Dhimitër Maluqi, nga përfaqësuesja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Shpresa Gjongecaj si dhe nga përfaqësuesi i palës italiane, koordinatori prof. Roberto Perna. Sipas arkeologut italian, kjo marrëveshje do të mundësojë lehtësimin e arkeologëve shqiptarë dhe italianë në nxjerrjen në dritë të të gjitha objekteve monumentale që ndodhen prej shekujsh të fshehura në afërsi të teatrin antik të Hadrianopolit në këtë zonë. “Objektivat e marrëveshjes janë kryesisht në fushën e arkeologjisë, por ajo që dua të theksoj se sivjet parashikohet të realizohet harta arkeologjike që fillon nga zona arkeologjike deri të luginën e Drinit”, - u shpreh prof. Perna. Sipas marrëveshjes, të gjitha palët do të prezantojnë bashkërisht një plan vjetor aktiviteti pranë Institutit Kombëtar Arkeologjik dhe bashkëpunimi do të jetë nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë e një Komiteti Shkencor të përbërë nga 10 arkeologë, prej të cilëve gjashtë janë shqiptarë dhe katër italianë. I pranishëm në këtë marrëveshje ishte edhe rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, Gëzim Sala. Teatri i lashtë i Hadrianopolit, ndodhet rreth 10 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në luginën e Drinit dhe ka një kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, është i pajisur me 27 shkallë, ka 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Ky teatër është evidentuar për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore, prej arkeologut austriak, Prashniker. Gërmimet e para në këtë teatër janë bërë prej Institutit të Arkeologjisë, i kryesuar nga arkeologu Apollon Baçe, që në vitet 80. Misioni arkeologjik italo-shqiptar që po punon në Hadrianopol ka mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Italiane.
Ky lajm është publikuar: 12/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›