Studentët e Shkencave Sociale praktikë në Ministrinë e Punës
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në kryeqytet, që vijojnë studimet Bachelor ose Master, do ta kryejnë praktikën në institucionet e përkujdesit shoqëror (IPSH). Kjo do të bëhet e mundur falë marrëveshjes së bashkëpunimit, nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale, Departamentit të Politikës Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ministria e Punës do të krijojë mundësinë që studentët e këtij programi të kryejnë praktikën sipas kontratës së lidhur me institucionet publike dhe jopublike të përkujdesit social (IPSH) që operojnë në fushën e shërbimeve dhe inspektohen nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH). Në këtë mënyrë, studentët do të asistojnë trajtimin e rasteve, si dhe do të jenë prezent në përgatitjen e planeve të përkujdesit dhe gjatë procesit të zbatimit të tyre. Numri i studentëve që do të zhvillojë praktikën pranë IPSH-ve do të përcaktohet nga vetë institucioni, ndërkohë që përfaqësues të Fakultetit dhe IPSH-ve pritëse do të bashkëpunojnë për metodat e zhvillimit të praktikës dhe objektivat që duhet të arrijnë studentët gjatë saj. Sipas marrëveshjes, IPSH do t’u ofrojë studentëve seanca orientuese, në të cilat ata do të njihen me politikat dhe stafin e institucionit, ndërkohë që pedagogët dhe supervizorët e IPSH-ve do të ndjekin dhe vlerësojnë punën dhe rezultatet e studentëve gjatë praktikës.