E Diel, 1 Nëntor 2026

Momenti Obama

 

Blendi Kajsiu

Ndoshta si shqiptar është e disi e vështirë ta ndiesh dimensionin historik të zgjedhjes së Obamës president të SHBA-ve. Për politikën dhe qytetarët shqiptarë, SHBA-të janë vetë mishërimi i demokracisë dhe i perfeksionit politik. Si një vend që demokracinë po “ia mësojnë” SHBA-të, Shqipëria nuk ofron ndonjë pozicion të favorshëm për të bërë një vlerësim kritik të shoqërisë amerikane. Për qytetarin dhe politikanin shqiptar që monitorohen nga SHBA-të, një kritikë e shoqërisë dhe demokracisë amerikane është ende e pakonceptueshme. Kjo ka bërë që shumë fenomene negative të shoqërisë amerikane të qëndrojnë jashtë vështrimit shqiptar. 
Racizmi është një nga këto fenomene. Ndonëse SHBA-të kanë bërë mjaft progres në këtë drejtim, racizmi mbetet ende një problem themelor në shoqërinë amerikane. Sa më shumë është eliminuar nga skena publike, aq më shumë racizmi është mishëruar në realitetin e shoqërisë amerikane. Ndonëse ligjërimi publik në Amerikë është “politically correct”, ende sot shumica e qytetarëve me ngjyrë jetojnë në geto, në zonat më të varfra urbane të Amerikës. Afro-amerikanët vazhdojnë të popullojnë zonat me infrastrukturën më të dobët, me shkollat më problematike ku ndodh gjithçka përveç mësimit. Kriminaliteti në Amerikë sot jo vetëm që është në nivele shumë të larta (krahasuar p.sh. me Shqipërinë) por është kryesisht i pranishëm në zonat ku banojnë afro-amerikanët apo latino-amerikanët. Shumica dërrmuese e të dënuarve me vdekje dhe e të burgosurve që popullojnë burgjet pafund të Amerikës vijnë pikërisht nga getot e populluara nga qytetarët me ngjyrë të Amerikës. Për një fëmijë me ngjyrë që lind në geto, jeta, në fjalët e Hobsit, është e keqe, e shëmtuar dhe e shkurtër. Pra, ndonëse në parim shoqëria amerikane ofron shanse të barabarta, në realitet grupe të tëra sociale janë të margjinalizuart dhe të përjashtuar në mënyrë sistematike dhe strukturore nga e ashtuquajtura “ëndrra amerikane”.  
Pikërisht ky përjashtim dhe margjinalizim që vazhdon edhe sot e bën zgjedhjen e Obamës një moment historik dhe shprese për shumë qytetarë të Amerikës dhe botës. Jo vetëm sepse qytetarët me ngjyrë penalizohen nga struktura ekonomike dhe sociale e Amerikës, por edhe sepse një pjesë e mirë e popullatës amerikane ende i shikon afro-amerikanët si qenie inferiore dhe e identifikon Amerikën me popullatën e bardhë kryesisht anglo-saksone. Herë pas here ndjenja të tilla raciste shpërthenin hapur tek turmat e fushatës Mekein dhe Palin, ku pjesëmarrësit e akuzonin Obamën se ishte “arab”, “terrorist” dhe “tradhtar”, epitete që për shumë nga këta amerikanë ishin sinonime. Madje, këto ndjenja në mënyrë indirekte nxiteshin nga vetë guvernatorja Palin, e cila djallëzisht i drejtohej turmës duke i thënë se Obama “nuk e sheh Amerikën si ne”. Pra, ai nuk është “dora jonë”.   Në fakt gjatë javëve të fundit të fushatës Mekein dhe Palin filluan ta bazonin fushatën e tyre gjithnjë e më tepër tek ndjenja e frikës që Obama ngjallte tek një pjesë e mirë e elektoratit.
Fitorja e Obamës në zgjedhjet presidenciale tregoi që elektorati amerikan e tejkaloi këtë frikë në shumicën e tij. Dhe ky është një hap i parë dhe një lajm i mirë jo vetëm për Amerikën, por edhe për të gjithë botën. E megjithatë kjo nuk do të thotë që racizmi në Amerikë ka marrë fund. Obama u zgjodh president i SHBA-ve jo sepse, por edhe pse është afro-amerikan.  Ai u zgjodh president sepse SHBA-të, sikurse dhe shumica e vendeve të zhvilluara, po kalojnë një nga krizat më të thella financiare të njëqind viteve të fundit. Ai u zgjodh sepse qytetarët amerikanë sot më shumë se kurrë janë të shqetësuar për rrogat, pensionet dhe kursimet e tyre. Sot më shumë se kurrë qytetarët amerikanë janë të shqetësuar për ekonominë amerikane që politika e presidentit Bush e çoi në prag të katastrofës. Në këto kushte çështja e racës së Obamës, apo çështje të politikës së jashtme dolën tërësisht në plan të dytë. Përballë një Mekeini që nuk kish shumë lidhje me ekonominë, që vuante trashëgiminë katastrofike të presidentit Bush, Obama u bë simbol i një ndryshimi të domosdoshëm. Apo sikurse vërente një analist amerikan, situata u bë aq emergjente saqë “amerikanët nuk kishin kohë të ishin racistë”.
Por nuk është thjesht origjina afro-amerikane që e bën historik momentin e zgjedhjes së Obamës. Ajo që e bën historik këtë moment është edhe kriza aktuale financiare dhe globale. Kjo krizë ka krijuar një nga ato mundësitë e rralla kur paradigmat ekonomike, politike dhe sociale transformohen. Kriza aktuale ka tronditur thellë hegjemoninë neoliberale, që përballë shtetit e shikon tregun si mekanizmin absolutisht superior të shpërndarjes dhe prodhimit. Për momentin po përjetojmë një nga dështimet më spektakolare të tregut, që ka detyruar ekonomistë dhe studiues të ndryshëm të rishikojnë dhe rivlerësojnë marrëdhënien treg–shtet apo individ–shoqëri. Në këto kushte politikat ekonomike të Obamës kanë shansin historik që të shkëputen nga politikat thellësisht neoliberale të Presidentit Bush, që e thelluan së tepërmi pabarazinë në Amerikë, duke penalizuar veçanërisht shtresat më në nevojë si ajo afro-amerikane. Sot më shumë se kurrë ka gjasa që në politikat ekonomike të SHBA-ve roli i shtetit dhe i tregut të ri-dimensionohen. Sot ekziston mundësia që nga individi neoliberal si një entit autonom të kalojmë drejt individit social si një qenie shoqërore, që formësohet jo vetëm nga vendimmarrja personale, por edhe nga struktura sociale. Për të eliminuar shumë nga diskriminimet strukturore që vuajnë shtresa të gjera në Amerikë, sot Obama do të detyrohet të theksojë një rol më aktiv për shtetin, si dhe një dimension shumë më social për individin.   Obama gjithashtu pritet të ndryshojë thellësisht marrëdhënien e shtetit me kapitalin global dhe lokal. Ai është ndoshta kandidati i parë presidencial që synoi të shkëputet nga financimi i lobeve ekonomike, duke kërkuar financim direkt nga qytetarët. Për pasojë, të paktën politikisht, ai është në një pozicion të favorshëm për të ri-dimensionuar marrëdhënien mes shtetit dhe kapitalit në Amerikë dhe përtej.
Diçka e tillë mund të prekë mjaft thellë edhe paradigmën e zhvillimit social dhe ekonomik që mbizotëron në Shqipëri për momentin. Çdo ndryshim në politikat ekonomike dhe të zhvillimit në Amerikë, reflektohet direkt në politikat e institucioneve ekonomike ndërkombëtare që Amerika kontrollon, si FMN dhe Banka Botërore. Janë pikërisht këto institucione që e përcaktojnë sot zhvillimin e Shqipërisë si një proces që do të ndodhë nëpërmjet integrimit të tregut shqiptar në tregun global. Kjo ka bërë që në politikën zhvillimore shqiptare shteti të mos ketë asnjë rol në zhvillim, por vetëm të krijojë terrenin për thithjen e kapitalit global në Shqipëri. Për këtë arsye e gjithë ekonomia shqiptare është kthyer në funksion të kapitalit global, duke e furnizuar atë kryesisht me krahun e punës dhe duke mos i krijuar asnjë konkurrencë që do ta dëmtonte. Në këto kushte kapitali lokal është pothuajse injoruar, ndërsa politikat zhvillimore të shtetit shqiptar janë kufizuar te stabiliteti makro-ekonomik që kërkohet nga FMN-ja. Për të kuptuar dështimin spektakolar të këtij modeli zhvillimi mjafton të shohim se sot pas 20 vitesh tranzicion, shqiptarët në shumicën e tyre dërrmuese janë gati ta lenë Shqipërinë. 
Ndryshimi i paradigmës mbizotëruese të zhvillimit ekonomiko-politiko-social në Amerikë nëpërmjet Obamës, mund të ketë një nga impaktet më të thella në zhvillimin e Shqipërisë në të ardhmen e afërt. Një impakt shumë më të thellë sesa mbështetja për njërin apo tjetrin lider politik. Problemi me zhvillimin e Shqipërisë nuk ka qenë kurrë thjesht çështje e një individi të vetëm, por e një paradigme të caktuar zhvillimore, që sot me ardhjen e Obamës mund të ndryshojë duke ndryshuar vetë kohën në të cilën jetojmë. Ky është momenti historik Obama. Nëse ky moment historik do të kthehet në histori, mbetet për t’u parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›