Berat, plagosi kushëririn me thikë, gjendet i vetëhelmuar 38-vjeccari
BERAT - Vetëhelmohet autori i plagosjes së topografit të komunës Kutalli. Ndërsa kërkohej nga policia për ngjarjen që rrezikoi jetën e Bujar Selmanit, 38-vjeçari Përparim Selmani ka gëlltitur një sasi fostoksine, duke gjetur vdekjen disa orë më vonë. Burime zyrtare të komisariatit të policisë së Beratit pohuan dje, se rreth orës 16:00 kanë marrë njoftimin nga spitali i Fierit se i dyshuari i plagosjes së rëndë së 45-vjeçarit Selami kishte mbërritur pranë këtij spitali për ndihmë mjekësore. Por, ai nuk kishte mundur të jetonte më gjatë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni uniformat blu kanë udhëtuar drejt spitalit të Fierit ku është bërë dhe identifikimi i Përparim Selamit, i dyshuar sipas policisë për plagosjen e kushëririt të tij pasditen e së mërkurës. Nga dëshmitë e mjekëve është mësuar se pacienti ishte regjistruar sipas një dokumenti që mbante me vete si Përparim Selami, 38 vjeç. Sipas mjekëve, të vetmet fjalë që ka pohuar Selami në momentet e fundit ishin ato se kishte pirë helm. Ndërkohë, që ndër të vetmet fjalë që kishte pohuar në çastet e mbërritjes së spital ishin se kishte vendosur ti jepte fund jetës duke pirë helmin vdekjeprurës. Mjekët i kanë ofruar ndihmën e parë shëndetësore, por baba i dy fëmijëve ka ndërruar jetë shumë shpejt. Trupi i tij është dërguar më pas në morgun e qendrës spitalore të qytetit të Fierit ku dhe është bërë më pas identifikimi nga ana e policisë dhe familjarëve. Nga hetimet e uniformave blu të Beratit mësohet se 38-vjeçari ishte gjetur në një banesë të të afërmve të tij në fshatin Kutalli, ku është strehuar pas plagosjes. Në gjendje të rëndë e kanë gjetur, duke e transportuar për në spitalin e Fierit, për shkak të afërsisë gjeografike. Por, autori i dyshuar i plagosjes së kushëririt ka ndërruar jetë në spital, pa hedhur dritë mbi shkaqet e ngjarjes që rrezikon dhe topografin. d.xh