E Diel, 1 Nëntor 2026

Devoll, arrestohet i shumëkërkuari

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Policia e Devollit arrestoi një të kërkuar për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, i cili fshihej në Greqi. Zamir Sino, 52 vjeç nga fshati Miras u arrestua rreth orës 20:30 të së mërkurës pas një operacioni të mirorganizuar. Ai ishte larguar në drejtim të Greqisë, pasi nëntorin e vitit të kaluar plagosi rëndë me thikë bashkëfshatarin e tij, Agim Dule. Në fakt, kjo ngjarje pasonte një serial ndodhish të rënda ndërmjet dy familjeve. Konflikti ndërmjet tyre kishte nisur prej më shumë se një dekade. Sipas policisë, familjet Dule dhe Sino kishin mbi dhjetë vjet në sherr me njëra-tjetrën. Mësohet se një nga djemtë e Zamir Sinos ishte kapur nga policia greke duke transportuar lëndë narkotike. Vëllezërit e tij aso kohe dyshonin se “spiuni” tek ushtarët kufitarë ishte Agim Dule, pasi ai kulloste bagëtinë buzë kufirit. Që prej asaj kohe, sherret mes familjeve vijuan me disa ngjarje të rënda mes tyre, deri në rrahje, pengmarrje e plagosje. Vëllai i Agimit, Sulejmani, mësohet se bëri një përpjekje për të shuar sherret. Ai shkoi te shtëpia e Zamirit dhe kërkoi që të mbylleshin konfliktet. Por djemtë e Zamir Sinos e rrahën barbarisht e më pas e morën peng. Në gusht të vitit 2006, ata rrahën sërish barbarisht në arë Agim Dulen me të shoqen. Një vit më vonë, këta të fundit hakmerren. Në një nga lokalet e fshatit Miras, ata masakrojnë Zamir Sinon duke i prerë veshin, e qëllojnë në çdo pjesë të trupit e kokë. Konflikti vazhdon derisa më 26 tetor 2007, Sino godet me thikë duke i rrezikuar jetën Agim Dules. Ky i fundit është arrestuar për ngjarjen e ndodhur në lokalin e fshatit dhe po vuan dënimin. Tashmë në pranga është vënë edhe i kërkuari Sino. Policia u shpreh se prej vitesh dy familjet ishin bërë tepër problematike. Gjatë seancave gjyqësore, në qershor të 2007-ës, Agim Dule u shpreh se e kishte kryer krimin pasi për vite me radhë ishte fyer dhe rrahur nga familja Sino. “Ata na erdhën në arë dhe më rrahën mua e gruan, sa u shtruam në spital. Vëllanë që shkoi për të biseduar për të shuar sherret e morën peng dhe e rrahën. Tani kanë filluar të më ngacmojnë edhe fëmijët. Policinë e kisha njoftuar shumë herë për sherrin që kishim”, deklaroi i arrestuari në gjykatë.

Prokuroria, burg përjetë vrasësit të katërfishtë

SHKODER - Prokuroria e Shkodrës kërkoi dje dënimin me burgim të përjetshëm për Valentin Ftonin, i cili akuzohet se ka kryer katër vrasje. Akuza kërkoi edhe 20 vjet burg për dhëndrin e tij, Paulin Kola, të cilit i janë faktuar dy vrasje. Ndonëse masa e kërkuar e dënimit është bërë në mungesë të Ftonit, prokuroria i paraqiti gjykatës prova që e implikojnë atë bashkë me Kolën në vrasjet. Valentin Ftoni, 34 vjeç, mban edhe një tjetër dënim në mungesë, 25 vjet burg për vrasjen e dy bashkëshortëve. Sipas prokurorisë, këta dy shtetas, në gusht të vitit 1998 në fshatin Ças, komuna Velipojë kanë vrarë në bashkëpunim Gac Vastomën. Ndërsa në gusht 2001, ata akuzohen se kanë vrarë 24-vjeçarin Behar Becaj. Njëri nga autorët, Kola është arrestuar më 22 nëntor 2007 për “vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Ndwrsa tjetri, Valentin Ftoni, veç krimeve të mësipërme, i cili është në kërkim, akuzohet edhe për disa krime të tjera. Prokuroria e akuzon atë se në vitin 2000 ka ekzekutuar bashkëshortët Gjelosh dhe Ardjana Markaj. Për këtë krim, ai është dënuar në mungesë nga gjykata e shkallës së parë me 25 vite burgim. Në fund të seancës gjyqësore, në ngarkim të tyre prokuroria arriti në konkluzionin përfundimtar se dy të pandehurit ishin fajtorë, duke kërkuar edhe masat e dënimit, burg të përjetshëm dhe 20 vite.                    r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›