E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet, Fazlliç i hetuar për pastrim parash dhe trafik influence

Cilat janë të dhënat e denoncuara dokumentarisht në media. Që nga trafiku i energjisë elektrike deri te firma që trafikon armë

PASTRIMI I PARAVE

Firma Croun Acquisitions

E formuar më datë 20 shtator 2005, me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Pronar, ortak i vetëm, shtetasi boshnjak me banim në Londër, Damir Fazlliç, i biri i Sacos dhe Jovankës, lindur në Foca më datë 26 shtator 1975, mbajtës i pasaportës me nr. 3520256, lëshuar në vitin 2002.

Ditën e regjistrimit të firmës, administrator i vetëm i kompanisë është caktuar shtetasi Erion Isufi, shtetas shqiptar, i lindur në Tiranë më 21 mars 1978, banues në rrugën "Shinasi Dishnica". Erion Isufi është kunati i ministrit shqiptar Lulzim Basha.

Më 20 qershor 2007, dy javë pas shkarkimit të administratorit Erion Isufi, ortaku i vetëm i kompanisë, Damir Fazlliç, vendosi shitjen e 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Kontrata e shitjes ishte në vlerën 1 milion e 700 mijë euro.

Kompania blerëse e firmës "Croun Acquisitions sh.p.k" është firma "Altaria Research Limited", me seli në adresën: Irakli 2, Egkomi, p.c. 2413, Nikosia, Qipro, e cila gjithë praktikën e blerjes ia ka besuar me prokurë të posaçme avokates shqiptare Flutura Kola (Tafaj). Zonja Kola, së bashku me juristen tjetër, znj. Argita Malltezi, punojnë në të njëjtën studio ligjore.

Ndonëse u nënshkrua kontrata e shitjes, sot rezulton se kompania "Croun Acquisitions" është ende në pronësi të Damir Fazlliçit dhe nuk ka paguar tatimin mbi fitimin e shitjes, që minimalisht është 170 mijë euro.

TRAFIKU I ENERGJISË

Zoti Fazlliç ka deklaruar se firma blerëse qipriote "Altaria Research Limited" është e tij, por ende në Tiranë nuk është ndërruar emri i kompanisë nga "Croun Acquisitions" në "Altaria Research Limited".

Firma qipriote "Altaria Research Limited" ka themeluar në nëntor 2007 në Zagreb kompaninë "Rudnap Energija d.o.o", pjesë e grupit "Rudnap". Nga të dhënat zyrtare rezulton se grupi "Rudnap" ka përfituar rreth 33 milionë euro nga taksat e shqiptarëve si pasojë e energjisë që i ka shitur KESH-it me prokurim të drejtpërdrejtë.

NË DOSJE DHE FIRMA QË TREGTON ARMË

Në prokurën e firmës qipriote "Ataria Research Limited" për Flutura Kolën ka nënshkruar dhe një zonjë e quajtur Janula Markantoni, në cilësinë e sekretares dhe përfaqësueses së firmës "Skysec Secretarial Limited".

Firma "Skysec Secretarial Limited" është e skeduar nga Amnesty International dhe nga OKB-ja si një furnizuese me armë e disa konflikteve në Afrikë. Investigimi i financuar nga OKB-ja në vitin 2001 konkludoi se pas një firme të quajtur "KS Engineering" qëndronte firma "Skysec Secretarial Limited", ndërsa "KS Engineering" ishte lokalizuar duke bërë marrëveshje dhe duke mbajtur komision fitimi për një dërgesë të rëndësishme me armë për llogari të forcave rebele të quajtura UNITA në Afrikë.

TRAFIKU I INFLUENCËS

Firma Rompetrol Albania

"Rompetrol Albania" lindi pas "shkrirjes" së "Rompetrol Grup" me firmën qipriote "Kelena". Pas shkrirjes me firmën qipriote, firmës "Rompetrol Grup" iu falën rreth 1 milion euro borxhe që i detyrohej shtetit shqiptar.

Më 8 maj të vitit 2007, kreu rumun i kompanisë "Rompetrol Albania", i quajtur Bogdan Kostaçe, autorizoi me prokurë nga Amsterdami avokaten Flutura Kola të regjistronte një firmë të re të quajtur "Rompetrol Albania". Zonja Kola në këtë kohë ka punuar si anëtare e Bordit të Energjetikës në Ministrinë e Ekonomisë.

"Rompetrol Grup" kishte blerë që në janar të vitit 2005 disa hektarë tokë në Porto Romano, ndërsa fill pas bashkimit me firmën "Kelena", qeveria po merrte masa për ta shpallur Porto Romanon si zonë energjetike.

Firma "Rompetrol Albania" u krijua si pasojë e bashkimit të aksioneve të "Rompetrol Grup" me një firmë qipriote të quajtur "Kelena", me seli në Limasol të Qipros. Sipas prokurës nr. 610, firma "Rompetrol Albania" do të përfaqësohej pikërisht nga "Rompetrol Grup" me 60 për qind të aksioneve dhe "Kelena" me 40 për qind të aksioneve.

Damir Fazlliç është pronar i firmës "Kelena", ndërsa kjo e fundit është 40 për qind aksionare e parkut energjetik në Porto Romano. Sikurse "Altaria Research Limited", edhe "Kelena" është krijuar në Qipro nga Fazlliçi në dhjetor të vitit 2005.

Dokumentet tregojnë se në datën 20 mars të vitit 2007, në Florida të Shteteve të Bashkuara, Damir Fazlliç, pronar i "Kelena ltd" dhe Eduard Roxhers, i cili rezulton të jetë pikërisht pronar i firmës "Barbour Griffith & Rogers" (BG&R), kanë nënshkruar së bashku për të marrë pjesë me 40 për qind në firmën "Rompetrol Albania" në Porto Romano.

Firma "Barbour Griffith & Rogers" ka mbështetur dhe asistuar në vitin 2005 Partinë Demokratike që kjo të fitonte pushtetin.

Eduard Roxhers, pronar i kësaj firme, ka nënshkruar në cilësinë e sekretarit teknik. Por nisur nga statuti i firmës, e cila parashikon se si sekretarë mund të firmosin dhe drejtorët, ekziston mundësia ligjore që Roxhers të jetë dhe drejtor i qipriotes "Kelena".

FIRMA TË TJERA NË PRONËSI TË DAMIR FAZLLIÇ

Firma "Virtu Acquisitions"
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. "Shinasi Dishnica", Pallati 2/4
Më 14 nëntor 2005 dy shtetas gjermanë (Abdilgafar Ramadani dhe Jurgen Rober) blenë 55 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te "Dëshmorët e Kombit", Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me DF TRADE LIMITED)

Firma "SRF Developments"
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. "Shinasi Dishnica", Pallati 2/4
Më 12 dhjetor 2005 shtetasi gjerman Abdilgafar Ramadani bleu 50 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te "Dëshmorët e Kombit", Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me DF TRADE LIMITED)

Firma "DF Trade Limited"
E regjistruar më 9 janar 2006
Administrator: Damir Fazlliç
Vazhdon të jetë aktive
Adresa: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Kulla 2, kati VIII

Firma "ALPHA"
E regjistruar më 10 shtator 2007
Administrator: Damir Fazlliç
Firma është regjistruar me prokurë të posaçme nga avokate Joana Qeleshi
Eksperte kontabël është caktuar znj. Shpresa Breçani
Adresa: Bulevardi "Bajram Curri", pranë Aviacionit

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›