E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetues të huaj në Tiranë për aktivitetin e Damir Fazlliçit

Damir Fazlliç po hetohet dhe nga agjenci të huaja të shteteve të tjera. Pak ditë më parë, disa hetues vendosën kontaktet e para në Tiranë

Habjon Hasani
Hetimi në Tiranë për pastrim parash i serbo-boshnjakut Damir Fazlliç ka vënë në lëvizje dhe struktura hetimore të shteteve të tjera ku Damir Fazlliç kryen aktivitet tregtar. Madje, pak kohë më parë, disa hetues të huaj kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë kontakte me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pikërisht një burim i nivelit të lartë nga organi i akuzës e informoi “Albania”-n duke pohuar se drejtues të këtij institucioni kanë pritur hetues të huaj (ku njëri prej tyre po asiston prokurorët shqiptarë për hetimin e dosjes “Fazlliç”), të cilët morën të dhëna lidhur me aktivitetin e Fazlliçit në Shqipëri, në kuadër të verifikimeve që këta hetues po kryejnë në vendet e tyre. “Ishin hetues të huaj, të cilët duket se janë vënë në lëvizje pasi janë sinjalizuar se Damir Fazlliçi ka kryer veprime të dyshimta financiare në Shqipëri. Hetimi i prokurorëve shqiptarë ka ngjallur interes te kolegët e huaj”, - i ka thënë dje burimi “Albania”-s, duke refuzuar të japë të dhëna të detajuara për hetuesit e huaj që kanë vizituar Tiranën pak kohë më parë. Gjithsesi, “Albania” ka mundur të mësojë se hetuesit e huaj kanë qenë seriozisht të interesuar për të ngelur në kontakt dhe për të mos nënvleftësuar asnjë të dhënë që do të dalë nga hetimi shqiptar për Fazlliçin lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri.
Hetimi
I pyetur dje nga “Albania” nëse kishte ndonjë lidhje me vizitën e zyrtarëve të huaj në Tiranë dhe vizitën e kryeprokurores Ina Rama, zyrtari i Prokurorisë nuk pranoi të komentonte. “Mund t’ju them vetëm se ka një interesim të hetuesve të shteteve mike lidhur me aktivitetin e zotit Fazlliç. Zoti Fazlliç ka kryer biznes në disa shtete të botës, por një pjesë e këtyre shteteve kanë shfaqur interesim lidhur me rastin e konstatuar në Shqipëri, pasi mund të ketë lidhje dhe me biznese të tjera të zotit Fazlliç, që janë nën juridiksionin e këtyre shteteve. Por më lejoni të sqaroj që takimi ka qenë informues dhe hetuesit e huaj kanë ardhur në kuadër të hetimeve paraprake që kanë nisur në vendin e tyre dhe jo posaçërisht për rastin shqiptar. Megjithatë, një prej këtyre hetuesve do të asistojë hetimin tonë”, - i deklaroi dje zyrtari i Prokurorisë “Albania”-s, duke lënë të kuptohet se hetuesit e huaj po kalojnë në sitë aktivitetin tregtar që Damir Fazlliçi ka zhvilluar në disa vende.
Fazlliç
Aktiviteti tregtar i Damir Fazlliçit përfshin një hartë shumë interesante përsa u përket vendeve ku është zhvilluar. Vetë zoti Fazlliç, në prononcimet e tij publike për mediet shqiptare, ka deklaruar se ka prona në Shtetet e Bashkuara, Bosnjë dhe Zvicër. Ndërsa deri sot, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, është mësuar se Fazlliçi ka ngritur një perandori me firma në pronësi të tij, edhe në Qipro, Angli dhe Shqipëri. Pra nga të dhënat e deritanishme janë të paktën gjashtë shtete në të cilat zoti Fazlliç ka regjistruar në emër të tij disa firma, ndërsa sikurse vetë ai është shprehur se bizneset kryesore të tij janë kryesisht në Uashington dhe në Bernë të Zvicrës. Vetëm në Shqipëri zoti Fazlliç rezulton pronar ose aksioner në gjashtë kompani, ku njëra prej tyre (Croun Acquisitions) rezultoi se ka kryer një shitje fiktive duke shkaktuar minimalisht evazion fiskal, ndërsa hetimet zyrtare po shikojnë dhe mundësinë e pastrimit të parave.

Precedenti, prokurori amerikan dha “alarmin” për pastrim parash

Një javë më parë, fill pasi ambasadori amerikan Xhon Uidhers ofroi publikisht mbështetje për Prokurorinë, pas nisjes së hetimit (dhe shantazhit të Ekzekutivit) për biznesmenin Damir Fazlliç, prokurori federal amerikan, Xhimi Gurule, deklaroi hapur se nga të dhënat e dala në media ekzistonin dyshime të forta se bëhej fjalë për pastrim parash. I ndodhur një javë më parë në Tiranë për një kurs trajnimi me prokurorët dhe hetuesit e Njësisë Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, prokurori amerikan ka dhënë komentet e tij lidhur me çështjen e shumëpërfolur të bizneseve që 33-vjeçari boshnjak zotëron në Shqipëri. “Sigurisht, nuk jam ekspert për këtë rast. Është e pamundur pas vetëm dy ditësh këtu, por kam një kuptim të përgjithshëm të pretendimeve dhe fakteve të përfshira. Përsa i përket atyre që kam mësuar, sidomos pretendimet për shitjen dhe blerjen e korporatave fiktive, korporatave të rreme që nuk kanë vlerë apo qëllim ekonomik, nga përvoja ime, kjo përbën një flamur të kuq alarmi që njofton pastrim parash. Këto lloj kompanish fiktive shpesh përdoren nga kriminelët për të pastruar para. Edhe një herë shenja të tilla përbëjnë flamuj të kuq alarmi për pastrim parash”, - ka deklaruar Gurule një javë më parë, gjatë vizitës së tij treditore në Shqipëri.

“Fazlliç”, Ina Rama, kontakt me prokurorët anglezë për çështjen

Pesë ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama u nis në një udhëtim zyrtar për në Londër, ku takoi homologun e saj. Sikundër u bë e ditur, pjesë të rëndësishme e arsyes së këtij takimi ishte dhe bashkëpunimi në kuadër të hetimit për shtetasin Damir Fazlliç, banues në Londër. Prokuroria e Tiranës ka hapur një hetim nën akuzën e "pastrimit të parave". Por Prokuroria, gjatë një vizite të Fazliçit në Shqipëri, nuk është lejuar që ta marrë në pyetje, duke u penguar nga policia. Çështja në fjalë pati përplasje të mëdha, ndërsa, nga ana tjetër, Akuza bllokoi disa prej firmave të shtetasit Fazlliç në Shqipëri. Ky i fundit, gjatë një deklarate publike, theksoi se ka pasuri të paluajtshme dhe se nuk ka kryer asnjë krim. Por kërkesa e Prokurorisë për ta marrë në pyetje, duke shfrytëzuar vizitën e tij të shpejtë në vendin tonë gati sa nuk shkaktoi një skandal më vete pas pengesave që u shfaqën nga forcat e Rendit, të cilat shoqëruan Fazlliçin në Rinas. Por sikur të mos mjaftonte ky episod, qeveria filloi betejën mediatike me Prokurorinë, duke kërkuar madje dhe “hetim ndërkombëtar” për shtetasin Fazlliç, kërkesë që u venit me kohën pas presionit ndërkombëtar për pavarësinë e Prokurorisë.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›