E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet e vjedhura janë të dubluara

07/04/2009  Kadastra e Sarandës, flet nënkryetari i qarkut Llambi Panteqi

SARANDË - “Nuk ka arsye për ta përjetuar në mënyrë dramatike grabitjen e ndodhur në zyrën kadastrale të Sarandës, pasi i gjithë dokumentacioni i asgjësuar gjendet i dubluar me të njëjtën vlerë si origjinalet”, është shprehur nënkryetari i qarkut të Vlorës, Llambi Panteqi, duke dashur të qetësojë mijëra banorë të nënprefekturës së Sarandës dhe të fshatrave që ajo përfshin.

Përballë kësaj grabitjeje, nënkryetari i qarkut, Llambi Panteqi, u ka bërë apel keqbërësve, që t’i dorëzojnë dokumentet, me argumentin se atyre nuk u hyjnë në punë. Nga ana tjetër, Panteqi ka bërë të ditur se në zyra të tjera të arkivave shtetërore të sigurisë së lartë, gjenden kopje të të gjitha dokumenteve të grabitura dhe se ato janë të dubluara. Ndërkohë, zoti Panteqi sqaron se rinisja e funksionimit të zyrës së kadastrës në Sarandë do të mundësohet për jo më shumë se një javë, për të qenë sërish në shërbim të qytetarëve. Prej ditës së djeshme mjediset ku gjendet zyra e kadastrës janë marrë në ruajtje të posaçme nga Policia e Rendit, edhe pse kjo del jashtë detyrës së saj funksionale, pasi ajo ruhet nga polici private. Nga burime policore në komisariatin e Policisë së Rendit në Sarandë ka mbërritur një grup ekspertësh të krimit ekonomik nga policia e shtetit të Tiranës dhe nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Vlorës. Në objektin e punës së tyre është mësuar se qëndron kontrolli i vendimeve të dhëna pas viteve 1990, sidomos me ato që konsiderohen problematike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›