E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit në protestë: Jemi të diskriminuar në çdo aspekt

07/04/2009  Kërkojnë rritje të pagesës së tyre sipas ligjit dhe përfitime shtesë

Rreth 80 për qind e tyre jetojnë në minimumin jetik

DURRES- Dhjetëra të verbër si dhe familjarë e kujdestarë të tyre kanë protestuar dje para institucionit të prefekturës për të kërkuar rritje të pagës së trajtimit financiarë të kësaj kategorie. Me pankarta në duar ata kanë zënë portën hyrëse të godinës si dhe kanë bërë apel për qeverinë. “Ne kemi pesë vjet që marrim më pak sesa përcakton ligji”,-ka thënë kryetari i shoqatës Franko Rrufaj, ndërkohë që protesta ka pasur edhe mbështetjen e zëvendëspresidentit të shoqatës mbarëkombëtarë Luan Bregu. Nisur nga pohimet e mbështetura në përllogaritjet e shoqatës çdo anëtari të kësaj shoqate i janë mbajtur 58.980 lekë. “Që nga viti 2003 e deri në fund të vitit 2008 paga minimale e vendosur nga qeveria ka ndryshuar disa herë, kurse të verbrit nuk kanë përfituar”,-ka vijuar Rrufaj. Kjo kategori përfiton 70 për qind të pagës minimale dhe tani që kjo pagë është 17 mijë lekë, çdo të verbëri i takon 10.980 lekë në muaj. Gjatë protestës është thënë se ata vijojnë të marrin 8700 lekë në muaj, ndërkohë që VKM-ja e qershorit të vitit 2008 nuk u afron atyre të drejtën e kompensimit për efekt të ndryshimit të pagës minimale. Në nivel vendi numërohen më shumë se 10 mijë anëtarë të shoqatës, ndërkohë që është thënë se në tërësi gjendja e tyre ekonomike është shumë e ulët. Bregu ka deklaruar se më shumë se 80 për qind e anëtarëve të shoqatës jetojnë nën minimumin jetik dhe se shteti ka treguar pak apo aspak kujdes në vite për këtë shtresë shoqërore. Të verbrit kanë kërkuar të përjashtohen nga taksat e detyrimet e ndryshme që rrjedhin, të përfitojnë në subvencione të medikamenteve mjekësore duke zgjeruar paketën e ndihmës si dhe të përjashtohen nga detyrimi për të paguan në shërbimet urbane e interurbane. Janë fare pak të punësuar të verbër, ndërsa për shkak të mosvëmendjes së duhur përgjithësisht të verbrit janë të paarsimuar duke shtuar radhët e analfabetëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›