E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentet, prokurorja dhe avokati në polici

TIRANE - Kryepolici i qarkullimit rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmetaj, urdhëron shoqërimin në polici të një prokuroreje dhe të bashkëshortit të saj, avokat. 

Gjithçka ka ndodhur si rezultat i një debati të bërë mes prokurores dhe policëve të qarkullimit të cilët, sipas saj e kanë fyer në mënyrë aspak dinjitoze. Pas një debati të tillë prokurorja thërret bashkëshortin e saj, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Prokurorja dhe bashkëshorti shoqërohen në komisariatin nr. 2, ndërkohë sipas tyre, ishin vetë këta që kanë lajmëruar sallën operative. Prokurorja udhëtonte në një makinë të drejtuar nga i vëllai i saj dhe pohoi dje se ka respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe ishin treguar të gatshëm për t’i dhënë policit dokumentacionin e kërkuar. Pasi drejtuesi i mjetit ka kontaktuar me policin, i cili nuk ka konstatuar shkelje të rregullave rrugore, i ka kërkuar këtij kthimin e dokumenteve të mjetit. Polici i quajtur Arjan Balla, i vonon disa minuta për t’i kthyer ato duke u justifikuar se po i verifikonte. Në këtë moment prokurorja e ndodhur në makinë ndërhyn duke i bërë të ditur se i duhej të largohej sa më shpejt pasi kishte një problem familjar, duke i shpjeguar se në makinë kishte nënën e saj të sëmurë. Brenda pak çastesh biseda merr tone të tjera, ndërsa polici e fyen prokuroren, edhe pasi kjo i bën të ditur funksionin e saj. Në konflikt është përfshirë dhe Ahmetaj, të cilit prokurorja i ka telefonuar dhe e ka vënë në dijeni të fyerjes së bërë nga polici i qarkullimit. Si rezultat i rëndimit të debatit prokurorja ka lajmëruar sallën operative duke kërkuar ndërhyrjen e policisë. Me ardhjen e grupit të gatshëm prokurorja dhe burri i saj avokat përfundojnë të shoqëruar në komisariat, duke iu marrë dhe automjeti dhe sendet personale pa asnjë lloj dokumentacioni nga vetë kryepolici Ahmetaj. Sipas Bajrit, Ahmetaj komunikoi në turqisht me policët e grupit të gatshëm dhe i urdhëroi ata ta shoqërojnë prokuroren dhe avokatin në komisariat. Gjatë kësaj kohe policët këmbëngulin se avokati ishte i dehur dhe se i kishte fyer, ndërsa ky nuk pranon të dalë nga policia pa i bërë testin e alkoolit. Pasi i nënshtrohet testit vërtetohet se Bajri nuk kishte konsumuar alkool, ndërsa ai dhe bashkëshortja e tij depozituan kallëzime kundër policeve të qarkullimit, atyre që e shoqëruan dhe shefit Ahmetaj, për fyerje, veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre. Ahmetaj i kontaktuar mbrëmë nga “Panorama” pohoi se, edhe ky kishte depozituar në komisariat denoncim për avokat Bajrin dhe bashkëshorten e tij, nën akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrës”, ndërsa shtoi se, nuk kishte urdhëruar shoqërimin e prokurores. Aktualisht denoncimet i janë kaluar prokurorisë së kryeqytetit për të kryer veprimet e mëtejshme hetimore. Gjatë ditës së djeshme, në lidhje me incidentin reagoi me një deklaratë zyrtare Forumi i Avokatëve për Drejtësi, anëtar i bordit drejtues të të cilit është edhe avokati Bajri. Avokatët sqaruan se, policët dhe kreu i qarkullimit kishin tejkaluar kompetencat pasi kishin shoqëruar në komisariat avokatin Bajri.              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›