E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja nga guroret, gjobiten dy firma

URË VAJGURORE - Qyteti i Urës Vajgurore ka një ndotje katër herë më të lartë se normalja. 

Specialistët e mjedisit thonë se ndikim më të madh për shkallën e ndotjes kanë aktivitetet e firmave të nxjerrjes së gurit dhe gëlqeres në këtë qytet, për të cilat janë ankuar dhe banorët. Konstatimi është bërë i ditur nga specialistë të Ministrisë së Mjedisit pas inspektimit të bërë ditët e fundit në zonën ku veprojnë 17 subjekte të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror. Kryeinspektori Dritan Arapi si dhe ekspertët e mjedisit në Berat kanë zhvilluar kontrolle në aktivitetin e subjekteve që veprojnë në këtë zonë. Nga inspektimi i bërë ka rezultuar se, firmat nuk vënë në përdorimin impiantet për filtrimin e ajrit gjatë aktivitetit të tyre. Për pasojë janë marrë masa duke u gjobitur dy prej firmave që veprojnë pranë zonave të banuara dhe nuk përdorin impiantet për pastrimin. Këtyre dy subjekteve u është vendosur nga një gjobë prej 300 mijë lekësh, ndërsa janë paralajmëruar bashkë me firmat e tjera se do të jenë nën monitorim mbi masat që do të marrin. Kryeinspektori Arapi u shpreh se, dhe Bashkia e Urës Vajgurore duhet të marrë masa, në bashkëpunim me zyrën e mjedisit për të bërë monitorimin e aktivitetit të këtyre subjekteve herë pas here. Sipas tij, bashkia ka kompetencën e plotë deri në pezullimin e aktiviteteve të këtyre subjekteve nëse ata nuk zbatojnë rregullat e mjedisit, pasi është pikërisht pushteti vendor që jep ok për to, e më pas lejen e vendos Ministria e Mjedisit. Po kështu, bashkisë i është kërkuar që në bashkëpunim me bizneset, të shtrohen rrugët që përshkohen nga mjetet e firmave, pasi gjendja e mjeruar e rrugëve shton nivelin e ndotjes.                d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›