E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sefgjini më urdhëroi për Remziun”

 

Avni Koldashi, ish-kreu i bazës së vëzhgimit të SHIK-ut të Tiranë në vitin 1995 rrëfeu dje në një intervistë për emisionin “Ekslusiv” në “Top-Channel”, shoqërimin e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në Vain të Lezhës, me urdhër të ish-shefit të tij në SHIK, Arben Sefgjini. Koldashi shfajësoi veten duke pohuar se, kishte zbatuar urdhrat e ish-shefit të vet, Arben Sefgjini, i cili kishte udhëhequr me radio gjithë operacionin e ndalimit dhe shoqërimit të Remzi Hoxhës, pas informacioneve se ai mund të shkaktonte një ngjarje të rëndësishme në Tiranë.
“Në tetor 1995 më kërkoi në drejtori, zëvendësdrejtori Arben Sefgjini, që mbulonte problemet operative. Sefgjini më tha se, është një person që na duhet ta tërheqim në bisedë operative. Problemi tha se është i një rëndësie të veçantë, pasi mund të kryhet ndonjë akt i paprecedent. Ky kërkohet të tërhiqet pasi mund të japë ndonjë sqarim dhe neve na shërben shumë, ta gjejmë sot dhe ta tërheqim. Nuk më përmendën emrin Remzi Hoxha, pasi unë këtë person e njihja me pseudonimin që nuk më kujtohet. As me hetimin e 2003 nuk kam mundur ta rikthej për arsye se baza e Tiranës kryente disa vëzhgime. Më thanë se ky person është marrë në vëzhgim nga punëtori operativ prej disa muajsh. Që do të thotë, mbikëqyrje e fshehtë fizike. E kërkonin që ta njihnin pasi nuk njihej. Kishte qenë dikur në vëzhgim. Shkova në bazë, mora dokumentacionin, gjeta në bazë të pseudonimit se në çfarë date dhe cilët e kishin vëzhguar. I thirra në zyrë këta persona dhe u thashë që kërkohet ky person të identifikohet dhe se zyra operative nuk është në gjendje. Kërkohet ndihma jonë. Të gjendet ku ndodhet, pikat që frekuenton, vendin e punës. Ne nuk e njihnim me veprimtarinë që kishte ai të përcaktuar, nëse akuzohej apo jo. Procedura dhe detyra jonë ishte që gjatë kohës që ai jepej për vëzhgim, hartohej material, sepse kontrollohej nga unë, firmosej dhe me dokument të sekretuar, kalonte në arkivin përkatëse të Drejtorisë së Tiranës. Pastaj nga arkiva, tërhiqej nga sektori operativ. Arben Sefgjinit i thashë që unë nuk kisha makinë të bazës. Ishin dy makina vëzhgimi dhe një e përdorja unë si shef dhe administrata. E imja ishte në riparim dhe dy të tjerat ishin në punë. Sefgjini më tha me radio: “Avni dil përpara bazës, ke një makinë të drejtorisë dhe eja se kemi një problem”. Ka qenë një makinë gri, “Fiat-tipo”, ishte makina e degës së dytë. Jo makina e degës së parë që kishte Kombaro, por e degës së dytë, kishte një kryetar tjetër. Shoferin e mbaj mend quhej Shpëtim Pasholli. Unë kisha një radio me vete që linjën e saj e kishte drejtori, dy zëvendësdrejtorët dhe krerët e bazave. Pra, nuk ishte për inspektorët, komunikonte me shërbimin e qendrës dhe ndiqej që aty. Më thotë Sefgjini, se ishte identifikuar vendi i këtij personi që do merret në bisedë operative dhe që do shkoni bashkë me atë, janë edhe disa inspektorë dhe makina të tjera dhe atje do vendosni se kush do shkojë për ta tërhequr. Udhëtuam drejt rrugës së “Frigoriferit”, u afruam në një distancë dhe në radio kuptova se kërkohej nëse personi ishte brenda dhe se ishte marrë konfirmimi që ndodhej aty. Me radio mu tha se, cila makinë të afrohej. Pra, nga Sefgjini. Do i afrohesha unë. U futëm në oborr dhe më thanë që t’iu thosha inspektorëve që ta merrnim në makinë duke i thënë që do vinte për një sqarim. Ishte hera e parë që e pashë personin. Ishte rreth të dyzetave, nuk komunikova fare me të. As ai me mua. Nuk e di si i janë paraqitur inspektorët si punonjës të SHIK, apo të Policisë Kriminale. Këtë nuk e di pasi edhe unë në momentet e fundit u ngarkova për të shkuar atje dhe nuk ishte dhënë instruktazhi nga unë. Ky personi nuk kishte ndonjë reagim agresiv apo të kishte kundërshtim. As nuk foli as ne nuk komunikuam me të. Kujtoj se kishte edhe makina të tjera në operacion, por nuk i kujtoj se cilat ishin pasi nuk e drejtoja unë. Komunikimi (Arben Sefgjini, i cili drejtonte operacionin) më thotë që të niset drejt “Zogut të Zi”, në Rrugën e Durrësit. Ndoshta në Laprakë, apo institut më thanë në radio të ndaloja makinën dhe personin t’ia kaloja kryetarit të degës së parë, Ilir Kumbaro. Erdhën dy makina të tjera. Më kujtohen si fytyra, por jo si emra, inspektorët e degës së Ilirit. Unë dola nga makina, shoferi jo. Erdhi Iliri. I thashë: “Ilir e dëgjove”. Më tha: “Po. Është urdhër i zëvendësdrejtorit”. E mori Kumbaro. Në radio mora urdhrin të kthehem. Bashkë me një inspektor të quajtur Qerim Canko të kontrollojmë makinën e Remzi Hoxhës para punishte së tij. Punëtorëve nëse do pyesnin, t’u thuhej se është marrë për një pyetje të shpejtë nga Policia Kriminale dhe do kthehet sapo të mbaroj bisedën, por mos u shqetësoni. Këto ishin me urdhër. Dolën inspektori Canko me dy kolegët e vëzhgimit dhe kontrolluan makinën me imtësi. Unë dhe shoferi qëndruam në këmbë. Nuk e di nëse gjetën ndonjë material që i shërbente sektorit informativ. U thamë punëtorëve: “Pa merak se personi do kthehet”. Bëmë bisedë normale. U largova me shoferin e degës së dytë Shpëtim Basholli. Shkova pranë bazës dhe vazhdova punën rutinë pranë bazës. Me çështjen Remzi Hoxha jam njohur pas arrestimit të vitit 2003, gjë të cilën e kam sqaruar. Me Sefgjinin nuk kam pas komunikim pas punës, pasi çdo gjë e dija të mbyllur zyrtarisht. Sefgjini ishte eprori im dhe kaq. Porsa i përket dosjes së Remzi Hoxhës, jo vetëm që është shumë e sinqertë dhe pa asnjë presje dhe me përpikërinë më të madhe kjo ngjarje që ka ndodhur në 1995, por duhet t’ju bëj me dije, gjithë opinionit publik që është krijuar shumë tymnajë rreth çështjes, familjes dhe të afërmve të Hoxhës, Kristopullit dhe mos gabohem Armand Loshajt që nga unë Avni Koldashi nuk ka ekzistuar asnjë veprim në kundërshtim jo vetëm me ligjet, por as me përmbushjen e detyrave të funksionit tim, por nuk ka ekzistuar asnjë krim. Kjo jo vetëm ligjore, por edhe me normat morale më të vogla. D.m.th., nuk kam asnjë shkelje, asnjë fyerje, por unë thjesht kam kryer një veprim, shoqërimin e personave, i cili ka qenë i urdhëruar nga eprorët e mi, i motivuar në zbatim të ligjit dhe funksionit që kisha. Duhet të deklaroj se këto që thashë janë thënë në vitin 2003 dhe janë maksimalja e asaj që di. Nuk kisha arsye dhe mundësi që të di më shumë. Ishin të tjerët që dinë më shumë. Porsa i përket këtij segmenti, kjo ka qenë e qartë, është dhe do të jetë. Nuk kam pse unë të ndjehem fajtor për këtë segment. Familjarët e Hoxhës kanë të drejtë, pasi personi në fjalë ka humbur në Shqipëri. Unë karshi meje e shoh akuzën të pabazë dhe të pathemeltë dhe tendencioze. Unë nuk e di nëse Gazidede ka pasur apo jo dijeni. Kjo është çështje e vetë Gazidedes dhe organit të procedimit penal. Unë e përsëris se Arben Sefgjini është personi që më ka urdhëruar. Kam pasur respekt për të, për nivelin intelektual si drejtues, si njeri, vazhdoj të kem pasi nuk e di nëse ka kryer krim apo jo. Nuk mendoj se mund ta ketë kryer, por ka qenë personi që i ka marrë në pyetje dhe mund të ketë kaluar kompetencat siç e thonë, unë nuk e di nëse i ka kaluar, por di që është personi që ka urdhëruar shoqërimin e tyre. Këtë nuk kam pse ta mbaj unë mbi kurriz në kohën që ai është bërë zyrtarisht. Përsa i përket Kumbaros di që është personi që bashkë me inspektorët e vet e ka marrë Hoxhën nga makina jonë për bisedë operative, gjë e cila është e faktuar. Flas hapur dhe shkoqur, troç. Problemi është ky: Unë nuk jam fajtor, po penalizohem krejtësisht padrejtësisht dhe jashtë çdo norme dhe ligji. Nëse ka ndonjë person tjetër, drejtësia le ta gjejë”.

“Kristopullin e mora në Sarandë dhe e çova vetë deri në Vain”

TIRANE – “Unë nuk e kam njohur Ziso Kristopullin para asaj periudhe si person, pasi nuk kishte arsye që unë ta njihja. Më kërkojnë në drejtorinë qendrore të Tiranës, ka qenë diku nga tetori i 1995, ishte drejtori i asaj kohe Mehmet Hoxholli, dhe zëvendësdrejtori Arben Sefgjini. Më thanë: “Avni kemi një person që duhet ta tërheqim nga Saranda për bisedë operative, por meqenëse rruga është e largët dhe mund të ketë probleme, larg qoftë një aksident, mund të ketë një konfrontim në rrugë apo problem tjetër, është e nevojshme të shkosh ti meqenëse je më i njohur me problemet, mund të themi më i aftë se ata dhe më i rrahur me punët dhe veprimtaria është më e sigurt”. Pranova. Detyra ishte që unë do merrja kontakt me kryetarin e Sarandës, pastaj do ishin ata që do ta sillnin këtë personin dhe do bëja transportimin nga Saranda për në Tiranë. Mora dy punonjës, shoferin, kjo është bërë ditën për diell, makinën e bazës dhe me sa mbaj mend e pajisur me targa shtetërore për vetë daljen jashtë rrethit. Me sa mbaj mend atëherë ishin targat “Z” të verdha të shtetit. Kjo makinë do të ishte më autoritare dhe për të mos u ndaluar rrugës nga kontrollet. Mora kontakt me kryetarin e SHIK të Sarandës, ia bëra prezent qëllimin e udhëtimit tonë, ai mund të kishte komunikuar më parë, nuk më tha, por me sa mbaj mend: “Po”. Dega e Sarandës ishte në dijeni se personi do shoqërohej për në Tiranë. Nuk kishte asnjë dyshim nga unë, ngaqë ai nuk varej nga unë, por ishin struktura të tjera që do e pyetnin. Unë nuk u mora ditën e fundit. Vajtën dy inspektorët e bazës, biseduan me të dhe nuk kishin njoftim pasi në Sarandë radio nuk komunikonte. Pasi e morëm në makinë ishte shoferi i bazës i quajtur Besim Dafa, makina ishte në tip “Audi 80” model i vjetër, unë në vendin e parë, kam pas dy inspektorë të cilët janë të njohur me këtë problem nga organet e hetimit. I pyeta në fakt, pasi nuk e dija nëse ai ishte akuzuar apo jo, e pyeta nga ishte, si ishte, ç’arsim kishte, jo për hetim por thjesht për ta njohur. Në Tiranë drejtori i Drejtorisë së Parë pranë Shërbimit Informativ Qendror, Gëzim Kupe më tha të dërgoja në Vain. Në bazën e Vainit, nuk e mbaj mend, por nuk e kam shoqëruar brenda, por deri te dera pasi nuk ishte e nevojshme. E morën dy inspektorë të bazës së Lezhës. Domethënë unë bashke me dy inspektorët e mi e shoferin, e dorëzuam Zison në bazën e Vainit. Ishin prezent kryetari i Lezhës. Ne dolëm prej aty bashkë me kryetarin e Lezhës që erdhi me ne. Me kaq ishte e mbyllur dhe unë nuk di gjë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›