E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatja e Braun: S‘i mbroj 2 anglezët, përdhunuan fëmijët

Greko-anglezi, Dino Christodoulou dhe skocezi, Robin James Arnold nuk do të mbrohen nga avokatja e David Braun. 

Fatos Mahmutaj

Lajmin e pohoi dje vetë avokatja gjatë një kontakti telefonik. Sipas saj, shkak për të mos i mbrojtur para togave të zeza dy të ekstraduarit ishte fakti që ata janë akuzuar nga të miturit për dhunimin seksual të disa të miturve. Ndërkohë burime nga procesi që po zhvillohet në ngarkim të David Braun në Gjykatën e Tiranës pohojnë se midis këtij të pandehuri dhe dy të ekstraduarve ka kundërthënie dëshmish. Ndërkohë mesditën e djeshme prokurori i çështjes depozitoi në gjykatën e kryeqytetit kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë “burg pa afat” të vendosur në mungesë ndaj Christodoulou dhe Arnold në verë të vitit 1996, kur nisën hetimet në ngarkim të tyre. Ndërkohë mesditën e sotme ishte paracaktuar që në Gjykatën e Tiranës të niste seanca e parë e procesit në ngarkim të dy anglezëve, por burime nga ky institucion pohojnë se është e pamundur që të zhvillohet pasi nuk dihet nëse do të arrihet apo jo të vlerësohet masa e sigurisë për dy të akuzuarit. Aktualisht dy të ekstraduarit mesnatën e së premtes po mbahen të izoluar në burgun 302 në kryeqytet në bazë të urdhërarrestit të lëshuar në ngarkim të tyre. Prokuroria e Tiranës ka ngritur për Christodoulou 45 vjeç dhe Arnold 56 vjeç, akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me disa fëmijë, djem, të moshës 3 deri në 13 vjeç. Ndërkohë në një proces tjetër po gjykohet miku i tyre David Braun, 52 vjeç. I vetëm po gjykohet edhe Janaq Papaleka, 33 vjeç nga Erseka, ish-kuzhinier i fondacionit i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Procesi penal në ngarkim të tyre nisi më 16 maj të vitit 2006 kur pas një kallëzimi penal të depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit nga shtetasja holandeze Jacoba Dikken, u arrestua Braun, kreu i qendrës bamirëse “Fëmijët e tij”. Më pas u prangos edhe Papaleka si dhe u shpallën në kërkim dy anglezët Christodoulou dhe Arnold, të cilët u prangosën më pas në Londër për llogari të autoriteteve shqiptare. Sipas Prokurorisë, Braun ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1999 dhe ishte prekur nga varfëria e fëmijëve romë, ndërsa dy vjet më vonë do të krijonte fondacionin “Fëmijët e tij” për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Më pas kur në fondacion jetonin disa fëmijë, Braun njihet me greko-anglezin Christodoulou dhe skocezin Arnold, të cilët kanë sponsorizuar shuma të ndryshme të hollash për këtë shoqatë. Pas kësaj ata kanë filluar të abuzojnë seksualisht me fëmijë të shumtë të moshës nga 3 deri në 13 vjeç, të cilët gjatë procesit që po zhvillohet ndaj Braun kanë pohuar se Christodoulou dhe Arnold kanë abuzuar seksualisht me disa prej tyre. Vetë të miturit të pyetur para gjykatës në procesin në ngarkim të Broun kanë pohuar se, Christodoulou dhe Arnold kanë abuzuar seksualisht me disa prej tyre. Madje, ata shtojnë se këta persona shpeshherë kanë përdorur edhe dhunë fizike ndaj tyre gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Kurse për Braun, ende nuk ka akuza për dhunë seksuale ndaj tij. Fëmijët e pyetur në gjykatë kanë pohuar se, ai ushtronte ndaj tyre vetëm dhunë fizike, ndërsa pritet të pyeten me anë të videokonferencës edhe disa dëshmitarë të tjerë. Ndërkohë, mediat angleze pohuan pak kohë më parë se, Arnold akuzohet në këtë vend për përhapje të imazheve dhe videove me skena pedofilie nëpërmjet internetit. Mendohet se disa prej këtyre mund të jenë realizuar në Shqipëri, pikërisht në mjediset e qendrës “Fëmijët e tij”.

Të akuzuarit

John David Braun,52 vjeç,anglez

Dino Christodoulou,45 vjeç,greko-anglez

Robin James Arnold,56 vjeç,skocez

Akuza
“Kryerje marrëdhëniesh seksuale me të mitur, shoqëruar me dhunë fizike”

Videokonferenca
Në procesin e pritshëm në ngarkim të greko-anglezit, Dino Christodoulou dhe skocezit, Robin Arnold dëshmitarët e mitur do të pyeten nëpërmjet videokonferencës. Kjo për faktin se organi i akuzës pohon faktin se dëshmitarët e mitur janë të traumatizuar si pasojë e dhunës fizike dhe seksuale që është ushtruar ndaj tyre. Nëse gjenden fajtorë, dy anglezët rrezikojnë të dënohen deri në 20 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›