E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Berisha: Kemi shpëtuar 4 miliardë dollarë

 

Në tre vjet Shqipëria ka dalë nga 24 vendet më të korruptuara në botë dhe ka lënë pas 95 vende. Kryeministri Berisha ka reaguar për perceptimin e korrupsionit në vend, duke thënë se lufta ndaj këtij fenomeni ka qenë përparësi e qeverisë. “Ka një ‘watch dog’ botëror dhe ky është Transparency International, raportet e të cilit faktojnë se në tre vjet, Shqipëria, nga grupi i 24 vendeve me korrupsionin më të lartë në botë, ka lënë mbrapa 95 vende të planetit dhe siç thotë raporti, qeveria ishte kampione në reformat e saj. Këto janë rezultatet”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “lufta kundër korrupsionit për këtë qeveri ka qenë përparësia më serioze. Duke e konsideruar korrupsionin një kancer që duhet luftuar në mënyrën më aktive çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, dua të paraqes dy nga arritjet më madhore në këtë fushë. Reformat për parandalimin e tij dhe ndëshkimi i rasteve të korrupsionit i bënë të mundur qeverisë, me gjithë uljen dramatike të taksave, që në tre vjet, të mbledhë 3.2 miliardë dollarë më shumë sesa paraardhësit tanë, të kurseje në prokurimet publike më shumë se gjysmë miliardë euro, të kursejë nga shpenzimet operative mbi 300 milionë euro dhe të marra së bashku, për aq sa korrupsioni ka të bëjë me paratë, janë mbi 4 miliardë dollarë të shpëtuara”. Kreu i qeverisë tha pas interesimit të mediave se beteja e parë me korrupsionin është fituar, por shtoi se lufta vazhdon ende. Berisha theksoi se qeveria po punon për përballimin e tij ndërmjet reformave. “Mendoj se një nga drejtimet themelore është se duhet të forcojmë rolin e shoqërisë civile në monitorim, pasi nuk ka zëvendësim për rolin e shoqërisë civile dhe mediave në këtë betejë. Por, siç kanë faktuar raporte të panumërta të brendshme dhe të jashtme, mediat vuajnë nga fenomeni i kapjes, gjë që kufizon rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha. Sipas tij, “Shoqëria civile duhet të ketë një rol lider në monitorimin e të gjithë administratës në sektorin publik në raport me ketë fenomen. Unë jam i vendosur që të bëj çdo përpjekje për forcimin e rolit të saj. Një pjesë të mirë të fondit që qeveria ka kaluar për OJQ-të, uroj dhe dëshiroj që Bordi do ta shpërndajë atë, t’ia përkushtojë atyre OJQ-ve që do të mbikëqyrin e monitorojnë luftën kundër korrupsionit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›