E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Dikush është i interesuar që të zvarrisë zbardhjen e Gërdecit

Nga Seladin Xhezairi, BBC

Zonja Topalli, gjatë qëndrimit tuaj këtu në Londër presidenti Topi ka kthyer në Kuvend ligjin për Kodin Zgjedhor me arsyetimin se nuk ka përputhje me afatet kohore. Sipas Kodit, zgjedhjet duhen dekretuar jo më vonë se nëntë muaj. Zonja Topalli, çfarë nuk shkoi mirë në këtë proces?

Unë mendoj se është një justifikim gjetja e afateve, se po të kishim qenë aq korrektë me afatet, nuk do kishim ende vende bosh në Gjykatën e Lartë prej dy vitesh. Janë lënë vendet bosh në Gjykatën e Lartë prej 6 muajsh nga presidenti dhe nuk është folur për afate. Ka vende në institucione të tjera bosh dhe këto afate, jo kanë kaluar, por kanë shkaktuar probleme të mëdha.

PS ka deklaruar se do të rishikojë vërejtjet e presidentit, ndërsa LSI, si parti e vogël, ka deklaruar se në këtë mënyrë presidenti është vënë në anën e partive të vogla...

Besoj se LSI dhe PDK kanë thënë të vërtetën. Se presidenti e ka bërë pikërisht për LSI dhe PDK. Pra, presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të parlamentit dhe tetëdhjetë për qind të vullnetit të shqiptarëve. Në fakt, nuk është hera e parë, sa herë ka pasur konsensuse të mëdha, një veprim i tillë ka qenë i përsëritur i presidentit, natyrisht do vazhdojmë siç e parashikon rregullorja dhe ligji...

Nuk do ketë një ri-tensionim të marrëdhënieve mes mazhorancës dhe kryetarit të shtetit?

Normalisht gjëra të tilla nuk ndodhin në botë. Kur ka konsensus, nuk njoh asnjë rast tjetër në botë, që një president i një republikë parlamentare të kthejë një ligj që është diskutuar për tre vjet dhe është marrë me konsensusin më të madh të mundshëm. Ndonjëri mund të kishte guxuar ta quante këtë si një lloj momenti për të krijuar një krizë kushtetuese. Unë nuk do e dramatizoja kaq shumë, pasi demokracia jep zgjidhje të tjera ligjore pa dramatizim.

Kalojmë tani në një çështje tjetër. Pikërisht te Kodi i miratuar Zgjedhor dhe te zgjedhjet e ardhshme. Që prej 1992, Shqipëria s’ka realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zonja Topalli, përse duhet të besojmë se këtë radhë do të kemi zgjedhje të ndershme?

Jam dakord me ju, kur thoni se deri më tani s’ka pasur një palë zgjedhje që të konsiderohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kemi pasur një proces zgjedhor që në 17 vite ka ardhur në përmirësim e sipër. Zgjedhjet e 2005, me gjithë problemet që kishin, ishin një hap drejt zgjedhjeve të lira, zgjedhjet e 2007 shënuan një hap tjetër të rëndësishëm, ku pavarësisht kritikave që u bënë, u tha një gjë është thelbësore: fakti që qeveria nuk ndërhyri në asnjë rast me forcë apo polici në ditën e procesit zgjedhor. Besoj se me një infrastrukturë të re, siç është, regjistri elektronik dhe pasaportat biometrike, dhe të një Kodi që bazohet në një sistem ndryshe nga i pari, sistem i cili shmang Dushkun dhe shmang deformimet e mëdha në jetën parlamentare, besoj se janë të gjitha mundësitë për të realizuar zgjedhje sipas standardeve. Unë jam optimiste dhe ne po punojmë fort për të arritur këtë standard kaq të rëndësishëm që na jep mundësi për t’i kërkuar pastaj me seriozitet dhe këmbëngulje për të na pranuar si pjesë të tyre.

A mendoni se këto çështje dhe këto kushte që sapo i përmendët, në radhë të parë regjistrin civil dhe më pas pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, do të jenë gati para zgjedhjeve, apo mund të ketë vonesa?

Regjistri elektronik i votuesve besoj se është tashmë gati. Kartat elektronike dhe pasaportat fillojnë shpërndarjen në janar. Unë besoj se shumica e shqiptarëve do e kenë, dhe ata që s’do e kenë, që do të jetë një numër shumë i kufizuar, do kenë mundësi të votojnë me pasaportat ekzistuese. Besoj se zgjedhjet do mbahen në fund të qershorit.

Zonja Topalli, a mund të arrihet një zgjidhje për sa i përket partive të vogla që u futën në grevë urie?

Realisht unë do të thoja se problemi i futjes së LSI si forcë e tretë, dhe Ilir Meta është forca e tretë, ka të drejtë, sepse anëtari i komisionit i jepet një forcë tjetër. Pra, e vendos pjesa më e madhe e opozitës, se kujt do i jepet komisionari. Në këtë kuptim ai ka të drejtë. Në kuptimin e vendosjes së një konsensusi të madh, ne jemi të detyruar të negociojmë me partinë më të madhe të opozitës. Problemi nuk është mes PD dhe PS, problemi është i PS dhe i forcave të tjera politike. Detyra jonë e parë është të negociojmë dhe të arrijmë konsensusin me forcën më të madhe të opozitës.

Njoftimi nga Brukseli është se viti 2010 është më i mundshmi për liberalizimin e vizave, ndërsa nga ana e Tiranës zyrtare ka një lloj optimizmi se ky proces do të ndodhë në 2009...

Në fakt, përpara se BE të fliste për afatin e fundit, fillimi i 2010, unë kam bërë një deklaratë se në vitin e parë të mandatit të qeverisjes së PD, dhe unë besoj se PD do i fitojë zgjedhjet e ardhshme, do të ndodhë kjo. Kontrolli i kufijve që tashmë mund të quhet një problem i kapërcyer dhe i atyre kushteve që u folën për zgjedhjet e ardhshme, si dhe aftësia që do ketë ministri ynë i Brendshëm për të lobuar me ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE, do të jetë shumë e rëndësishme se sa të aftë do të jenë për t’i nënshkruar këto marrëveshje. Aftësia që do të ketë Ministria jonë e Brendshme në raport me ministritë e tjera për ta nënshkruar këtë marrëveshje, ka për të pasur influencën e vet në liberalizimin e vizave. Unë jam optimiste se në vitin e parë të mandatit ky proces do mbyllet dhe ky është një element tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm për shqiptarët.

Zonja Topalli, në raport-progresin e BE vlerësohet bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, por ka dhe probleme. P.sh., në raport thuhet se marrëdhëniet mes parlamentit dhe prokurorisë u ashpërsuan. Parlamenti refuzoi anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe i miratoi një muaj me vonesë, në korrik. Ky veprim ngriti shqetësime serioze në raport me institucionet kushtetuese në vend. Si i komentoni ju këto zhvillime?

Ne jemi një republikë parlamentare. Parlamenti është sovrani, në parlament përfaqësohen të gjithë shqiptarët. Kur parlamenti voton, të gjithë të tjerët duhet të heshtin. Ky është koncepti i të gjithë parlamenteve të botës. Ky është koncepti i parlamentit dhe në Itali, dhe në Hungari, dhe në vende të tjera. Natyrisht që ka pasur momente të vështira mes Parlamentit dhe Presidencës për shkak të rrëzimit nga ana e parlamentit për herë të parë të pesë dekreteve të presidentit. Dhe është përsëri parlamenti që gjen zgjidhjen, sepse kjo është mrekullia e demokracisë, gjetja e zgjidhjeve përmes ndryshimeve të rregullores dhe ligjeve për të mos u përsëritur më.

Cilat janë raportet e zonjës Topalli me Prokuroren e Përgjithshme?

Si kryetare e Kuvendit kam një detyrë shumë themelore. Të mbroj deputetët, të mbroj parlamentarizmin dhe t’i qëndroj fort shtetit ligjor. Sa herë që dikush mund të guxojë që të veprojë jo në bazë të ligjit, pavarësisht nga ajo që mund të duket si kosto, unë do të mbroj vetëm ligjin dhe parlamentarizmin. Nuk ka asgjë më të fortë se parlamenti. Të gjitha institucionet e tjera janë aty ku janë nga parlamenti, dhe të gjitha do të raportojnë para parlamentit.

Mos e vë kjo në pikëpyetje pavarësinë e pushteteve të tjera?

Kjo do të thotë se unë i qëndroj fort parimit *Check and Balance”, pra unë shikoj dhe kontrolloj.

Zonja Topalli, ç’të keqe ka që ministri të shkojë në prokurori për çështjen Durrës-Kukës, qoftë dhe nëse është i bindur në pafajësinë e tij?

Asgjë s’ka. Por ka dy vite që ka filluar hetimi i rrugës Durrës- Kukës, dhe unë pyes veten, pse duheshin dy vite dhe pse nuk mbyllet ky proces. Kush urdhëron mbajtjen hapur të këtij procesi që në janar të vitit 2007? Kujt i intereson politikisht? Unë për këtë kam mendimin tim, por çdo qytetar ka të drejtë të pyesë. E dyta, vendimi për ndërtimin e kësaj rruge është vendim i partisë time. E kemi premtuar si projekt tonin dhe e kemi zbatuar. Socialistët zhdukën 300 milionë euro, ndërsa ne në fund të qershorit kemi të përfunduar një ndër mrekullitë inxhinierike dhe një ndër momentet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Gjatë dy viteve që bëhen hetime, zoti Basha ka shkuar një herë në prokurori në mënyrë vullnetare dhe në dy vjet rresht nuk është thirrur asnjëherë.

Cili është raporti i Kuvendit karshi qeverisë? Do e hetoni qeverinë?

Vetëm vitin kaluar janë ngritur tetë komisione hetimore dhe kontrolli ndaj qeverisë do jetë maksimal.

ǒmund të na thoni për çështjen e Gërdecit, çështjen “Fazlliç” dhe sa do ndikojnë këto çështje në zgjedhjet e ardhshme për mazhorancën?

Nuk ekziston çështje “Fazlliç”. Faktet e treguan se ishte një trillim për të krijuar një tymnajë që në fakt në bazë nuk kishte asgjë, dhe mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Gërdeci po, është një tragjedi e rëndë, që ka qenë shprehje e sjelljes së një papërgjegjshmërie totale të drejtuesve të Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe drejtuesve të ushtrisë tonë, duke filluar nga Komandanti i Përgjithshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes dhe gjithë gjeneralët që kanë pjesën e tyre në këtë histori.

Opozita ka kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë për këtë?

Opozita atë detyrë ka, që të kërkojë dorëheqjen e kreut të qeverisë, por unë në thellësi të shpirtit kam bindjen se ka qenë një papërgjegjshmëri totale nga ana e pjesës ushtarake dhe civile që ka të bëjë me këtë ngjarje. Dhe kjo është një mënyrë për të kuptuar se si duhet ndryshuar mënyra e funksionimit dhe si duhen vënë njerëzit përpara përgjegjësisë...

Në një deklaratë të krye-diplomatit amerikan në Tiranë thuhet se nga kryetarja e Kuvendit ka pasur përpjekje për të penguar hetimet e Gërdecit. Ka të vërteta në këtë deklaratë?

Unë i kam shkruar një letër prokurorisë në atë kohë, dhe koha tregon se unë kam pasur të drejtë....

Sa besoni te sistemi aktual i drejtësisë në drejtim të mbylljes së çështjes së Gërdecit?

Fakti që kanë kaluar nëntë muaj dhe asgjë nuk lëviz, është i rëndë, madje shumë i rëndë. Dikujt i intereson që ta mbajë zvarrë dhe për të mos e kaluar në gjykatë.

Buxheti i fundit nuk plotëson as kërkesat e prokurorisë, as KLD...

Ka një rritje prej 6 % nga rritja ekonomike. Çdo institucion kërkon rritje buxheti, por buxheti është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e rrogave. Buxheti nuk është përqendruar në rritjen e rrogave tona apo të shëtitjeve të prokurorëve dhe gjykatësve.

Marrë me shkurtime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›